E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kohë për të shpëtuar atë që ka mbetur

Prof. Aleko Miho/ Botanikë e Përgjithshme

-Mbi 25 vjet jam pedagog i lëndëve të Botanikës së Përgjithshme, i Fiziologjisë Bimore(të dyja në Bachelor në Biologji), për shumë vjet i lëndëve të Monitorimit Biologjik Mjedisor (Master), i Menaxhimit Bimor etj. Bashkë me kolegë të tjerë të botanikës, bëjmë secili çdo vit mbi 2000 km vizita në terren, me studentë apo për studime me karakter ekologjik. Vështirë të gjesh një cep të Atdheut ku të mos na ketë shkelur këmba. Nga sa më sipër, atë që ka ndodhur me Pyjet Natyrore në Shqipëri e kemi parë si në film me sytë tona dhe nuk është aspak një delir i çastit. Si e njoh unë gjendjen? Ndoshta jemi i vetmi vend në Evropë ku sipërfaqja e mbuluar me pyje dhe shkurre është zvogëluar në mënyrë eksponenciale në gjithë dhjetëvjeçarët e dy sistemeve (1950-2010), kjo nga shpyllëzimet dhe taracimet për tokë bujqësore, urbanizimi dhe prerjet, shpesh pa aspak kujdes në dhjetëvjeçarët e fundit. Është e dhimshme, por kufijtë politikë të vendit dallohen me satelit prej fqinjëve tanë vetëm nga mbulesa bimore e rrëgjuar. Kam bindjen se secili nga ne, kushdo qoftë, nuk ndjehet mirë kur kalon kufirin malazez, maqedonas apo grek dhe vë re ndryshimin e gjendjes së bimësisë. Kjo gjendje sjell shumë pasoja zinxhir që nga oksigjeni i varfër që thithim për ditë, te kërcënimi i llojeve bimore dhe shtazore, te erozioni i tokës, pluhuri i madh në zonat e banuara dhe në rrugët tona, dhe tek ashpërsimi i klimës, mikroklimave dhe përmbytjet e shtuara në fushë, e deri te livadhet nënujore të dëmtuara të bregdetit adriatik. Mjafton t´ju them se lumenjtë tanë në Ultësirën Bregdetare kanë 3, 4 e deri 5 herë me shumë lëndë të ngurta pezull se norma e lejuar e vendeve të BE-së. Gjendja, vizioni i Shkencës dhe Shërbimi Pyjor Përshtypja ime është se specialistëve të shkencave pyjore dhe vetë Shërbimit Pyjor në Shqipëri, që sivjet festoi 90-vjetorin, u ka mbetur ora në vitet 60-70-të të shekullit të kaluar kur filloi të vihej në zbatim parulla ’T’u qepemi kodrave dhe maleve ...’. Konkretisht dua të sqaroj se koncepti i zhvillimit të ekonomisë pyjore nuk fillon nga Vjelja (Harvest!) e drurit të pyllit dhe nënprodukteve të drurit. Asnjë shkencë nuk pranon këtë vështrim tejet anësor e shumë të cunguar. Kujtoj se edhe në këtë degë të ekonomisë si në çdo drejtim tjetër ekonomik, para se të vjelësh duhet të mbjellësh. Kjo buron nga dy ligje të rëndësishme të termodinamikës që e thonë shumë qartë se asgjë nuk del nga hiçi. Këta ligje të fizikës janë universale dhe shtrihen edhe në ekologjinë e ekosistemeve, madje janë shumë të rëndësishëm në ekologjinë e brishtë të Pyjeve Natyrore, sidomos të Pyjeve tanë malorë, me klimë të theksuar mesdhetare, me reshje të trazuara, me taban të gërryeshëm, me kohëzgjatje ripërtëritëse mjaft të ngadaltë që kalon kufijtë e jetës së njeriut. Ne ndryshojmë dukshëm në rajon për gjendjen ndaj mbulesës bimore në përgjithësi, përfshirë shkurret dhe pyjet. Pyjet Natyrorë janë Pasuri Kombëtare, që japin frymëmarrje dhe strehë për të gjitha gjallesat, përfshirë dhe njeriun. Ato mbajnë klimën të mos trazohet, mbrojnë tokat të mos shkojnë në det, mbrojnë ujërat etj. etj. Çfarë duhet të bëjmë? 1) Unë mendoj se së pari Shërbimi Pyjor me Ministrinë e Mjedisit duhet të përgatisin Moratoriumin për Qeverinë, që të ndalohen për 10 vjet prerjet e drurëve në të gjithë vendin. Motosharrat tani u janë ngjitur zonave më të brishta dhe më të rralla që ne kemi dhe mburremi, në majat e maleve, si janë pyjet e Lurës, Vermoshit etj. Le të bashkohemi të gjithë për të ndaluar sa të mundim këngën e sharrave në pyjet tanë në male! Të ndalohet menjëherë eksporti i lëndës drusore dhe të nënprodukteve të saj! Nuk mundet Shqipëria të heqë xhaketën nga trupi i saj i rraskapitur për të mbajtur ngrohtë Italinë apo ndonjë vend tjetër në rajon, dhe këtë për vetëm 5 euro. 2) Të ruajmë Pyjet Natyrorë që kanë mbetur. Pyjet dhe shkurretat janë të ripërtëritshme, t’i lëmë të ripërtërihen vetë! Nuk ka nevojë për masa ripërtëritëse! Por duhen masa të rrepta për të lejuar ripërtëritjen, ku të ndalohen rreptësisht prerjet, kullotja e dhisë (!), të kontrollohen zjarret dhe të dënohen shkaktarët. 3) Theksoj fort se ekonomi pyjore (e qëndrueshme!) nuk mundet kurrë të ketë vetëm duke u mbështetur te vjelja pa mëshirë drurit të Pyjeve Natyrorë. Askush nuk i prek Pyjet Natyrorë, aq më tepër Pyjet e zonave të brishta malore, apo Pyjet e rralla që edhe tek ne mbrohen me ligj. Në rast se doni të zhvilloni ekonominë pyjore të nderuar specialistë të Shërbimit Pyjor, le të fillojmë të mbjellim ashtu si bën gjithë bota e mençur! Le të mobilizojmë për këtë rininë, sidomos atë të shkollës, e cila ka shumë vjet që ka rënë rehat! Nuk vlen të shahemi dhe të bëjmë potere me njëri-tjetrin, ndoshta të gjithë jemi përgjegjës, kush më shumë e kush më pak! Por unë kam bindjen se vetëm të gjithë sëbashku mund të bëjmë kthesën, që vjen nga një vizion ndryshe i gjithë shoqërisë. E di se nuk është gjë e lehtë që kjo të ndodhë! 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›