E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa po na mungojnë udhëheqësit të cilët dinë ta drejtojnë shtetin?

09-03-2013 / Nga Skënder Mulliqi

Kemi kaluar nga sistemi një partiak në sistemin shumëpartiak. Por në praktikë nuk duket se situata është krejt kështu. Është e sigurt se jemi duke lënë sistemin socialist të modelit të Karl Marksit, Engelsit e socialistëve të tjerë. Shumë ngadalë po kalon kjo fazë e tranizicionit. Sigurisht se dallimi ndërmjet këtyre dy sistemeve është qenësor, por le t’ia lëmë këtë teorisë. Por pyetja e vërtetë që bëhet në këtë rast është dallimi në mënyrën e jetesës në socializëm dhe mënyrën e jetës në sistemin kapitalist. Secilit njeri sot i intereson më shumë mënyra se si na bëhet jeta, mirëqenia në familje, që fëmijët të jetojnë më mirë se prindërit e tyre, etj. Secili është i interesuar që ta ketë një vend pune, që të sigurojë së paku të ardhura elementare, dhe në fund të kursejë diçka. Por në Kosovë shumë po mungojnë vendet e reja të punës për gjeneratën e re. Jeta po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe shumëkush po e ka vështirë të mbijetojë në këtë situatë kur ata të cilët po e drejtojnë shtetin po interesohen shumë më shumë që t’i realizojnë interesat e tyre personale, duke harruar se janë zgjedhur nga populli dhe për t’i mbrojtur interesat e tij. Kjo fazë nëpër të cilën po kalojmë është fazë, kur askush nuk mund ta dijë saktësisht se si do të na gjejë dita e nesërme. Sistemi kapitalist është sistem ku lypset dije dhe kreativitet për të organizuar shoqërinë. Sistemi kapitalist kërkon njerëz të zot, të cilat do të gjejnë njerëz kapitalist të cilët din të organizojnë punën, ku do të ishte i kënaqur edhe punëtori edhe ai si punëdhënës që është. Njerëzit e politikës janë ata të cilët i kanalizojnë punët. Këtu tek ne si duket nuk e kemi pasur fatin që në krye të strukturave më të larta të shtetit, të kemi njerëz të cilët dinë, duan dhe nuk dëshirojnë ta keqpërdorin pozitën. Në atë vend ku lulëzon kriminaliteti dhe korrupsioni, nuk mund të ketë mirëqenie shoqërore. Dhe  shumë pak po i kushtohet kujdes punës menaxheriale, edhe nese bëhet kjo punë bëhet për interesa personale dhe për interesa partiake. Dihet fortë mirë se çka u bë me ndërmarrjet shoqërore. Ato u privatizuan, dhe ky privatizim shumë pak solli të mira, kur bëhet fjalë për punësimin e të rinjve tanë. Problemet ekzistenciale më të cilat po përballen sot shumica në Kosovë, nuk po gjejnë zgjedhje në praktikë, ato po gjejnë zgjedhje imagjinare në kokat e pushtetarëve. Ne botën e tyre është gjithçka e mundur, edhe zgjedhja e problemeve të popullit. Nuk ka justifikim gjendja jo e mirë e rrjedhave ekonomike kur po bëhen 14 vjet pas përfundimit të luftës. Është absurde për kohën që po jetojmë dhe për predispozitat që i posedon Kosova, të ecim kaq ngadalë në çdo sferë të jetës. Sikur kjo garniturë udhëheqëse më shumë e parapëlqen rikthimin e sistemit një partiak, duke mos lënë zgjedhje tjetër. Edhe diçka. Si duket barem deri më tash në strukturat më të larta të shtetit dhe në krye të subjekteve politike kanë depërtuar njerëz më një njohuri mesatare. Dhe, është shumë evidente së elita intelektuale nuk është e inkuadruar qëllimisht në krye të partive politike. Liderët e tyre janë më shumë të interesuar të kenë pranë vetit njerëz të dëgjueshëm dhe servil, sesa kuadro të cilët do ti kishin avancuar proceset politike dhe ato ekonomike. Zgjedhjet lokale që nuk janë larg dhe ato nacionale do të ishte e udhës që më në fund, të sjellin në krye të shtetit njerëz të cilët së pari nuk janë të ngarkuar me hipoteka të së kaluarës, të cilët kanë njohuri së si ndërtohet shteti, në këtë situatë kur vendi ka mbetur në udhëkryq. Ka ardhur koha që t’u ndalet “ tagjia” të gjithë atyre  të cilët u treguan më shumë të padijshëm, dhe të predisponuar ta keqpërdorin pozitën në shoqëri. Tregues i gjithë kësaj janë edhe  shumë të akuzuar nga qeveritarët tanë për korrupsion dhe krim të organizuar. Po paguhen shumë shtrenjtë ata të cilët abuzuan më shtetin. Është koha e fundit që t’i paguajmë njerëzit të cilët kanë dije dhe élan. Mjaft është bërë me njerëz të cilët kanë vetëm libreza partiake, të cilët çdo ditë e më shumë po ia thyejnë kurrizin këtij populli të përvuajtur…

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›