E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kopjimet e Enverit dhe të Edi Ramës

09-03-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Njëra prej megalomanive që i ka si sëmundje Edi Rama, është ajo e kohëve të fundit: “Më keni kopjuar”!  Përgjigjen, si me humor, ia dha aty për aty dr. Berisha: “S’kemi ç’të kopjojmë prej teje, se s’ke program!”. Gjithmonë është akuzuar, édhe prej LMN-së brenda radhëve të tij, se ai ka qenë kurdoherë humbës, veç të tjerave, se s’ka pasur  program. Për t’iu kundërvënë kësaj akuze të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Edvini ndërtoi një si kjoskë në qendër të kryeqytetit, në sheshin përballë pallatit të Operës dhe të Baletit, me xham rreth e përqark e të mbyllur me dryn, të mbushur me letra dhe kartela dosjesh. Dhe reklama ishte me një hiperbolë qesharake të pabesueshme: 10.000 faqe program! Edhe po të ishte e vërtetë, askush nuk e ka ngenë dhe kohën për ta lexuar! Natyrisht ishte një kundërvënie për t’iu përgjigjur kundërshtarëve politikë. Humbësi i përhershëm, me këto retorika komike, gjithmonë është bërë i pabesueshëm. Por edhe po t’i besojmë se paska bërë një program me tamam, sërish ai është i pabesueshëm. Sepse ai ç’thotë sot nuk thotë nesër. Fjala “inkoherent” është gjetur bash për të personifikuar Edvin Ramën.  Edhe gjestet i ka të tepruara, si një aktor i  panatyrshëm.
Mjafton të ballafaqohen libri i parë i tij “Refleksionet” dhe ai i dyti me titullin “Kurban” dhe do të verehet se janë të kundërt me njëri-tjetrin. I pari është antikomunist. I dyti është komunist. I pari u dogj për t’i lënë vendin të dytit. Por mallkimet e tij për veteranët, thirrjet patetike për të nxjerrë jashtë ligjit Partinë Socialiste, si pjellë e PPSH-së, stigmatizimin e Enver Hoxhës me fjalor të bujshëm; dënimet me vdekje me të cilat kërcënohej nga nga veteranët e Smokthinës, e lloj-lloj marrëzish të tjera, - të gjitha këto gjëra të bujshme, nuk i ka marrë era, sidoqë libri u zhduk nga qarkullimi. Tani ka mbetur në qarkullim, - i shitur me listë si libri “Veprat” i Enver Hoxhës, - që do të ketë fatin e “Refleksioneve”, domethënë se do të bëhet edhe ai për të dalë jashtë qarkullimit (Dhe, pasi i zhduku nga qarkullimi, i quajti në “Kurban”, “Refleksionet e famshme!” (f. 285).  Megalomania nuk ka brirë...
Si njeri i ekstravagancave, ai gjendet në të papritura që i ka me hak. Kështu e pësoi nga një majtist dinjitoz bullgar, profesor i njohur dhe ekspert në ekonomi, Krastyo Petkovi. Ky ekonomist me vlerë  në akademitë prestigjioze të ekonomisë, i paraqiti rezervat e tij për rrëshqitjet e Ramës në lëmën e biznesit të vogël për heqjen e plotë të taksave, duke i dhënë një leksion mjaft domethënës: - “Bëjini zero (taksat),bëhuni njëlloj  “parajse”, po deshët, por kjo  nuk e ndihmon zhvillimin ekonomik”. Ekonomisti i nderuar nuk ishte optimist për kryetaksën e Ramës, taksën progresive. PS-ja u orvat të vinte vetullat, por nxori sytë! Edhe diçka për ”Kurbanin” që nuk do të vlejë për t’u cituar nga ky libër që do të katandiset si “Refleksionet”. “Kurbani”  është një libër i mllefeve nga faqja e parë tek ajo e fundit. Le të gjendet një vlerësim në kuptimin pozitiv, qoftë për politikanë të majtë, qoftë për të djathtë. Dhe, në intervistën e fundit me B. Fevziun, thotë se është personi që nuk fyen njerí! Kur drejtuesi i emisionit i kujton se  gazetaret e reja e të brishta, i merr nëpër gojë si prostituta semaforesh, Edvini përdor lodra fjalësh për të zbutur përbaltjet e tij të zakonshme: “Sot flitet për prostitucion biznesi, etj” - kur ai e kishte trajtuar në mënyrë përbuzëse atë vajzën e re gazetare, vetëm se ajo s’ishte e një mendjeje me të. Kur Blendi i përmendi atë mënyrën rrugaçërore në Sheshin Skënderbej “Ooo  doktooor”, E.Rama i rrëshqiste temës se ishte i mërzitur nga që Berisha e kishte cenuar në familjen e tij, në përbaltjen e babait etj., kur këto i kishte bërë, në fakt, një gazetar investigimesh familjare, të cilin hë për hë e ka aleat në ambicien e tij për t’u bërë kryeministër pa derman dhe... ( duket se ia paska bërë hallall!). Kush ka dëshirë le ta shohë në “Kurban”  emrin e atij gazetari në f. 175. E quan vetëm antietik! Mjaft që ai ta ndihmojë në ambiciet vetjake për pushtet të pamerituar, pa gjynahet e këtij ia ngarkojmë... Saliut! Meqë ra fjala, “z. Berisha” nuk di të thotë kurrë ky mllefexhi, qoftë për reciprocitet, ndërsa kryeministri e quan atë kurdoherë “z. Rama”!
Pa lé për atë kohën që kishte qenë ministër i Arsimit, Kulturës e Sporteve. Në vend që të mos përmendej fare ajo periudhë e turpshme kur të gjithë artistët e kishin bërë def në atë kohë shkretëtirë në art-kulturë, mundohej që edhe në këtë episod të dilte i larë dhe të shfajësohej përkundrejt grevistëve të urisë, ndaj të cilëve kishte ndërsyer policinë (ishte në fuqi atëherë) e cila i kishte gjymtuar grevistët me shkopinj të thurur me fije çeliku! Kishte përmendur edhe Aidën e Verdit, me arien e korit të skllevërve, për turpin e tij.
* * *
Kopjimet e Ramës, në aktin e dytë të tragjikomedisë së tij politike (kur u bë nga kundërenverist i tërbuar në enverist  të apoteozave të Pezës) janë të ngjashme me kopjimet e Enverit, që demaskon vetveten me mësymjen që i bën Ymer Dishnicës, Mustafa Gjinishit etj. për Konferencën e Mukjes. Edhe Enveri, kur u shndërrua nga titist i flaktë në “armik” të Titos, përdori të gjithë frazeologjinë e gjashtëshes nacionaliste të Mukjes kundër ish-ithtarit të tij të hershëm, mareshalit jugosllav.
Tanimë Enveri flet me një gjuhë që është shumë e përafërt me shprehjet e ballistëve  për pavarësinë e Kosovës e për referendumin e premtuar për statusin e kësaj krahine shqiptare, që u bë shkak për mbajtjen e një qendrimi të diktuar nga  pikëpamjet e Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës, në gushtin e vitit 1944. Tani e ka të lehtë që të kopjojë ballistët e asaj kohe “për të drejtat dhe padrejtësitë historike”, për “qëndrimet që u mbajtën gjatë luftës”, kur “Kosova trajtohej jashtëzakonisht ashpër” dhe për lëvizjen kosovare që u shtyp në mënyrë të përgjakshme”. Në faqet 241-242 të librit të Jon Holideit “Shqiptari dinak”, lexojmë edhé: “Enver Hoxhës Titoja i tha: “Kosova dhe rajonet e tjera ku jetojnë shqiptarët, i takojnë Shqipërisë dhe ne do t’jua kthejmë, por jo tani, sepse diçka e tillë nuk do të pranohej nga ana e reaksionit serbomadh”. Atëherë përse gjithë ajo mësymje kundër Ymer Dishnicës, Mustafa Gjinishit dhe delegacionit gjashtëvetësh të ballistëve, kur tani Enveri përvetëson fjalorin e nacionalistëve dhe nuk paskësh qenë ndikuar nga M. Popoviçi dhe nga D. Mugosha? Enveri më kot e paska dërguar një historian të indoktrinuar gjer në Angli për të gjetur prova kolaboracionizmi për B. Kombëtar, kur tashmë ai flet pikërisht  me gjuhën e Ballit për mashtruesin Tito, për keqpërdorimin e qytetarëve të Kosovës, për lënien në prapambetje e në varfëri... Më vonë historiani Uran Butka do të shkruante se me përjashtim të Halil Halisë e të Isa Toskës, Balli ka pas bërë, përveç luftës së Gjormit, të drejtuar nga nacionalisti Hysni Lepenica, edhe nja njëzet përpjekje të tjera me okupatorin. Madje në Gjormin që përmendëm, komandanti i aksionit, Lepenica, luftonte kundër pushtuesit bashkë me n.çlirimtarët e një njësiti të vogël të Hysni Kapos,  i cili nuk vonoi të largohej, se partizanët e tij ishin të pakët dhe namin do ta merrnin nacionalistët e H. Lepenicës. Në të vërtetë ai qylaxhiu “historian” me dieta për të diskredituar Ballin, paska vajtur gjer në Londër dhe një enverist tjetër që e kishte vënë foton e diktatorit në m. e Jashtme në një kohë të sistemit pluralist, kishte vajtur edhe më tej akoma, po për veprimtari kundërballiste. Për hir të së vërtetës duhet thënë edhe se Ramiz Alia, dy javë para vdekjes, në një intervistë në mbarim të jetës, ka thënë se jo të gjithë ballistët kanë qenë kolaboracionistë. Dhe solli si shembull pozitiv Safet Butkën, por nuk tha asgjë për Tivarin, në të cilin ishte përgjegjës i drejtpërdrejtë, sipas dëshmisë së deshifruesit Islam Kadesha si edhe të disa fatlumëve që i shpëtuan ekzekutimit të 4500 kosovarëve të pafajshëm.
Një  provë e pabesisë komuniste shqiptare, që doli në pl. e Beratit, ishte edhe misioni i Manush Myftiut për të vrarë Muharrem Bajraktarin prapa shpine dhe për ta shpallur si kolaboracionist. Por e gjeti, andej nga fshatrat e veriut, duke luftuar kundër gjermanëve dhe u kthye i pikëlluar se i dështoi aksioni i tij. Këtë e deklaroi Manushi, me gojën e tij, në Berat. Ja sesa luajalë ishin enveristët ndaj atyre që luftonin pushtuesit. Po aq mashtrues është edhe Edi Rama kur flet kot më kot se ia kopjuan atë programin e tij inekzistent. Për Dushan Mugoshën, Enveri ka – gjithashtu – dy këndvështrime: Në f. 106 të librit të cituar, Mugosha “e kreu punën e poshtër antiparti, me mjeshtri”, -  siç shkruan ai. Pas disa rreshtash, flet për punën e tij agjenturore. Një faqe më pas, flet për punën e tij me “gabime  për sektarizmin”. Harron se kur Stojniçi e largoi, Enveri, Nexhmija,  Fiqiretja dhe disa hierarkë e hierarke të tjera e mbushën me letra lamtumire, tërë dashuri e mallëngjim!
Po kështu edhe mashtrimet e Ramës s’kanë të mbaruar. Si nihilist i regjur, nuk ka shumë ditë që flet për dhjetëra rrugë të Tiranës që Edi nuk i rregulloi dot për 11 vjet, me atë mashtrimin vulgar se kryebashkiaku L. Basha hedh mbi ato rrugë “asfalt përmbi asafalt”!  A thua se pak punë ka përmbi kurriz Lulzim Basha që të gjendet si Kola në punë.  Rama nuk ka sy t’i shohë në media ato rrugë që janë tërë gropa dhe makinat s’dinë si ta marrin drejtimin, kur mbushen me ujë.  Dhe mund të ngecen makinat në pellg e të mos munden dot që të dalin... Për fat të mirë s’kemi nevojë për sytë e Ramës se janë kamerat televizive që zbulojnë gënjeshtrat e tij. Me këto rrena kërkon të bëhet kryeministër!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›