Rama, Enver Lanèti dhe Dinjiteti
Në arsenalin e premtimeve boshe Rama futi dhe sloganin “Me mua do fitoni pará dhe dinjitet!”. Ky qe premtimi solemn i “rilindjes” me domethënien “Fjalën e mirë e gurin në trastë!”. Si lider që lakmon pushtet të pamerituar, Rama premtoi atë që përfill më pak, dinjitetin qytetar. Madje e shpalli atë prioritar! Se, si i përkëdhelur pa meritë, Rama nuk është mësuar të çmojë aftësínë, talentin, integritetin moral të njeriut. Përkundrazi! Por amá i duhet si propagandë! Ndonëse për të dhe neobllokmenët ka vlerë hileja, paraja, servilizmi, paturpësía, ai prapë e përdor kartën e dinjitetit, si një vlerë të “kënetës” pa moral. Ndoshta prandaj dhe nuk e la dinjitetin pas dore. Por, si një qershi në mes të “tortës” (gënjeshtrës) ai e vendosi atë në fjalimin e Konventës. E ç’i kushtonte predikimi i tij? Pse, pak llomotiti Enver gangsteri për lartësimin e dinjitetit të qytetarit në kolektiv, edhe kur s’la gur pa lëvizur që t’i katandiste shqiptarët në skllevër, në servilë, në dallkaukë e në spiunë? Prandaj dhe Rama, që ta poetizonte me moralizime “programin” e vet, e mbushi me përmbajtje vlerash, që shiten lirë e në çdo kohë. Ndaj ulëriti se me Rilindjen do t’u kthejë shqiptarëve dinjitetin (?) Ashtu si diktatura komuniste, e cila, si pushtet i paligjshëm, që e nëpërkëmbi barbarisht shenjtërínë e lirisë individuale, u mburr me dinjitetin e qytetarit të katandisur, ashtu dhe Rama po u predikon njerëzve se, veç parave, do t’u dhurojë dhe dinjitet. Fjalë kjo patetike, miklonjëse, e mirëpritur, por e neveritur kur e mendon si një propagandë, e cila, si në diktaturë, synon pikërisht rrëzimin e dinjitetit qytetar. Diktatura lakmoi kryesisht dinjitetin e atyre që piketonte si kundërshtarë. Megjithatë, ndonëse bëri çmos, ajo nuk mundi t’i asgjësonte energjitë shpirtërore të shtresave, që ishin sakrifikuar në breza për Shqipërínë. Sepse, as rrëzohet, as dhurohet, as lartësohet dinjiteti me fjalë. Nuk bëhen qytetarët më dinjitozë pse ka dëshirë një lider i caktuar. Dinjiteti kultivohet e përsoset në breza duke i krijuar kushte. Mos, vallë Rama dhe neobllokmenët janë frymëzuar nga dinjiteti i martirëve të demokracisë, të cilët, edhe në kushtet e asaj raprezaljeje mizore mundën të ruanin dhe të kultivonin një dinjitet për t’u patur zilí? Një dinjitet, nga i cili u trondit dhe vetë diktatura, e cila, edhe në apogjeun e “madhështisë” së saj u mahnit, ngaqë nuk kuptoi se nga u buronte viktimave të saj tërë ajo forcë herkuliane për t’i bërë ballë uraganit çnjerëzues të tiranisë së saj? Mos, vallë, vlerat morale, tërë bukuritë e sakrificave u dolën martirëve nga fundi i qenies duke iu shndërruar në gëzime morale, që burojnë nga çdo shpirt fisnik? Se, është gati e pabesueshme rezistenca fisnike, tërë ai dinjitet i brendshëm, shoqëruar me një mirësi apostolike, grumbulluar në shpirtrat e atyre që, edhe kur i linin pa bukë, dukeshin si të velur dhe i shtynin ditët e mjerimit duke ripërtypur kënaqësínë se edhe të keqen ata e mundën me urtësí e mirësi. Mirëpo Rama harron se nga vuajtjet e mëdha lindin dhe vlera të larta morale! Por, ndërsa diktatura këto vlera i përçmonte si sentimentalizma të një klase të degraduar nga limontia e parazitizmi dhe, lumturohej duke ua tallur e nëpërkëmbur, Rama po tenton ta fusë dinjitetin e qytetarëve në “program” për t’i kënaqur shqiptarët me lugën bosh (!).
Komunistët, që ulëritën për përmbysjen e botës së vjetër (të padrejtësisë) ngritën sistemin e shkatërrimit sistematik të vlerave të njeriut. Por ata u mburrën me krijimin e “Njeriut të Ri”, një hibrid ky që sot të ngjall frikën tek e kujton. Po për ç’dinjitet e ka fjalën Rama? Për qytetarin e stërvitur prej tij të hidhet si rrugaç mbi kokat e policëve? Apo për deputetët që ka vendosur në rresht si gurët e shahut? Mos e ka fjalën për dinjitetin e atyre që përjashton nga partia pse mendojnë ndryshe? Apo për qytetarët, që tentoi t’i linte pa liberalizim vizash, madje dhe pa opozitë dhe pa i integruar në BE? Mos ka ndër mend që kështu e tutje të mos i akuzojë më komisionerët e vet si trafikantë votash? Apo ka vendosur që deputetët tani e mbrapa t’i caktojë vetë se ku duhet të kandidojnë? Po! Rama i ka ndryshuar ca gjëra me kohën. Ai ka zëvendësuar biografinë komuniste me opinionin e vet autoritarist. Madje, ai ka nisur që dhe kryetarët e qarqeve t’i emërojë nga tavolina e klubit. Megjithatë, Rama është “liberal”, “modern” ! Sidomos në metodat e përjashtimit, të izolimit dhe të margjinalizimit të atyre që nuk i duhen. Dinjitetin qytetar ai e përfytyron si “indulgjencë”, që mund ta shpërndajë si shpërblim ndaj shërbimeve që njerëzit duhet të kryejnë ndaj tij. Se, ndërsa diktatura e deklaronte haptas se nuk i duheshin njerëz të mirë, por revolucionarë, domethënë - të pashpirt, cinikë mizorë e të pacipë, Rama këtë nuk e thotë, por e zbaton në praktikë. Kush dha një mendim të vyer dhe nuk u pa prej tij shtrembër? Kush investoi një kontribut të shquar në parti dhe nuk u spostua me lezet? Që të rehabilitoheshe në diktaturë duhej të bëje të paktën një autokritikë vetëposhtëruese, kurse sot nuk dihet se ç’kërkon “rilindësi” Rama që njeriu të fitojë statusin që pati, para se të fliste fjalë të zgjuara, që lënduan sedrën e tij të sëmurë? Rama tenton ta shesë dinjitetin si të shiste grason për gjalpë. Se ç’dinjitet mund të kultivojnë në shoqëri të pabesët, hajdutët, shpifësit dhe dhunuesit e lirive qytetare? Ç’dinjitet mund t’u dhurojë Rama dhe neobllokmenët qytetarëve, kur nuk u respekton vullnetin, të paktën duke u votuar tri ligjet për anëtarësimin në BE? Jo! Jo! Dinjiteti nuk premtohet! Ai është pasojë e gjithë politikave të drejta! Vetëm demokracia e sinqertë garanton lirínë dhe dinjitetin real qytetar.