E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në korrik, nëpër ANP kaluan 170 mijë udhëtarë

Prishtinë, 9 gusht - Vetëm gjatë muajit korrik, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës u shërbyen më shumë se 170 mijë udhëtarë, nga 151 mijë, sa ishin shërbyer në korrik të vitit të kaluar. Në total, gjatë këtij viti brenda 7 muajve nëpër ANP kaluan 728 mijë udhëtarë apo gati 10 për qind me shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Muaji korrik solli një bum udhëtarësh në ANP, duke tejkaluar të gjitha parashikimet e mundshme, rreth 20 mijë udhëtarë më shumë se një vit më parë.

Derisa korrikun e vitit të kaluar nëpër ANP kaluan 151 mijë udhëtarë, këtë herë numri i tyre ishte mbi 170 mijë apo rreth 13 për qind më shumë se periudha paraprake.

Rritja e numrit të udhëtarëve në korrik dhe përgjithësisht gjatë gjithë vitit kalendarik i atribuohet në radhë të parë shtimit të konkurrencës mes aviokompanive dhe për rrjedhojë rënies së çmimit të biletave.

Gjatë vitit të kaluar, 2009, deri në muajin korrik nëpër ANP kishin kaluar  666 mijë udhëtarë ndërsa këtë vit numri total për këtë periudhë është 728 mijë, apo një diferencë prej 62 mijë udhëtarë.

Në përqindje rritja vjetore e numrit të udhëtarëve për periudhën 7 mujore është 9.24 për qind. 

“Arsyeja kryesore për shtimin e numrit të udhëtarëve qëndron në rritjen e kapaciteteve nga ana e aeroportit dhe shtimin e konkurrencës mes aviokompanive. Kjo gjë ka sjellë edhe uljen e çmimit të biletave.  Secili qytetar i Kosovës që ka udhëtuar këtë vit mund të bëjë dallimin në çmimin e biletave që kanë blerë sivjet në krahasim me vitin e kaluar. Jemi të kënaqur që angazhimi i jonë për të sjellë aviokompanitë më të njohura që operojnë me çmime të ulëta është reflektuar në çmimet e biletave”, tha drejtori menaxhues i ANPS-së Agron Mustafa.

Përveç numrit të udhëtarëve, rritje të konsiderueshme kanë pasur edhe fluturimet e aviokompanive. Gjatë këtij viti në ANP u realizuan 3 mijë e 400 fluturime, ose 350 më shumë se në shtatë muajt e parë të vitit të kaluar.

Momentalisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës përveç kompanive të njohura tradicionale si British Airways, Austrian Arilines, Turkish Airlines, Swiss, Malev, Croatia Airlines, Adria Airwyas etj. kanë filluar të operojnë edhe kompanitë e mirënjohura për çmime të lira, apo si quhen ndryshe “Low Cost company” si  Easy Jet, Airberlin etj.

Interes së fundmi për të fluturuar ka paraqitur edhe kompania e njohur gjermane Luthansa.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›