E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në krizën e Demokracisë

Nuk e di se sa do të vazhdojnë të varen në rrugët e Tiranës banderolat dhe posterat e vendosura për ‘festën’ e 8 dhjetorit, ku me germa kapitale shkruhet “Shqipëria Europiane”. Por, një gjë është e qartë: Shqipëria aktualisht nuk është e tillë, paçka mashtrimeve të përhershme të partisë në pushtet dhe liderit të saj, që kryeson administrimin e vendit në mënyrë vazhdimisht të korruptuar. Ndërkohë që vendi është në krizë, në një krizë të shumanshme, Sali Berisha urdhëron të bëhet ‘festë’ me shpenzime të jashtëzakonshme, duke i treguar opozitës se cili është më i zoti të mbledhë më shumë njerëz në Tiranë.
Pra, megjithëse 8 dhjetori për Shqipërinë mbahet mend si datë e krijimit të pluralizmit politik dhe ekonomik, megjithëse kjo datë përherë është përkujtuar në mjedise dhe salla të mbyllura, megjithëse këtë vit nuk ishte mbushur ndonjë jubile i saj, ‘festa’ e organizuar me klientelë të detyruar dhe krejtësisht të njëanshme nuk mund të mos nxirrte kështu në pah më mirë se kurdoherë totalitarizmin, duke përhapur në atmosferën tonë, gjithashtu, ngjyrat e zbehta të mjerimit masiv.
Në këtë mënyrë, nga Partia në pushtet dhe lideri i saj u bënë përpjekje për të treguar hapur atë që kanë dashur të bëjnë për të qëndruar në pushtet: ndarjen, copëtimin e gjirit të shoqërisë shqiptare. Në një kohë që Sali Berisha, nëpërmjet hipokrizisë tipike dhe gjestikulacioneve të shfrenuara të tij, së fundi deklaroi se, po festonim përvjetorin e shembjes së Murit të Berlinit në vendin tonë. Të jetë vërtet kështu?
***
Bota i kujton prej disa dekadash fjalët që ish-Presidenti i SHBA-së, John Kenedi i artikuloi më 1963: “Unë jam berlinez”, çka nënkuptonin fare qartë se idealizmi kryeneç ndaj të vërtetës brutale synonte në besimin te liria, demokracia, ndershmëria. Duhej të kalonte vetëm pak më shumë se një çerek shekulli, që Muri i Berlinit të binte. Që ai mur të rrëzohej nga njerëzit të cilët i ndante. Që ai mur të sheshohej, për të bashkuar një qytet, një komb, një kontinent, mozaiku i vlerave bazë të të cilit synohet në ditët e sotme që të shtrihet edhe në përvijoren e Ballkanit Perëndimor.
Që në fillim të këtij shekulli, Europa Perëndimore luftoi të përmblidhte në hapësirat dhe vlerat e veta edhe vende të Europës Juglindore, sepse këtyre vendeve u nevojitej solidariteti rajonal dhe solidariteti i Bashkimit Europian për Rajonin tonë. Por, duke synuar t’i jepej fund getoizimit të Rajonit, njëherazi Bashkimi Europian nuk pranoi të ‘shpikte’ kritere të veçanta, speciale, për pranimin në gjirin e vet të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kundërshtimin për krijimin e formave integruese të tipit të ashtuquajtur ‘partneritet i privilegjuar’ e ka shprehur me gojën plot edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë bisedës me kryeministrin slloven, Janez Jansa, në mars të vitit 2006.
Gjithkaq, është folur shpesh dhe me tone kritike për krizën e sistemit të vlerave, për boshllëkun e tij në fazën e zgjatur të tranzicionit, veçanërisht në Shqipëri, ku është vërejtur gjithnjë e më shumë shkatërrimi i etikës në politikë; krijimi dhe fiksimi i modelit partitokratik i autoritetit shtetëror; rrëmbimi i kompetencave të pushtetit vendor prej atij qendror ekzekutiv, mungesa e partneritetit midis kapitalit dhe punës, dezideologjizimi i partive të cilat përqendrohen në proceset vendimmarrëse te një rreth i ngushtë personash duke i anashkaluar interesat e qytetarëve, deligjitimimi i politikanëve dhe politizimi i administratës së varur nga partitë që rekrutojnë në bazë të ‘marrëdhënieve’ dhe jo të ‘meritave’, sistemi gjyqësor i varur politikisht, sektori aspak autentik dhe mjaft i fragmentarizuar i të ashtuquajturës ‘shoqëri civile’, presioni ekzistues mbi mediat...
Ndërkohë, shumica e publikut kërkon përherë e me zë më të lartë luftë kundër selektimit, klientelizmit, nepotizmit dhe krimit të organizuar; shumica e publikut uron europianizimin e proceseve ekonomike, politike dhe të përgjithshme, siç dëshiron funksionimin e plotë të shtetit të së drejtës dhe europianizimin e vlerave. E pra, për të realizuar këto nevojitet domosdoshmërisht një brez politikanësh të cilët të udhëhiqen nga morali, nga fjalët e arsyeshme. Dhe, mbi plane të tilla është e kuptueshme që europianizimin e rajonit, veçanërisht të Shqipërisë, do ta ndihmonte vlerësimi realist i situatës së brendshme dhe vendosmëria për reforma, për të mos e lënë vendin për shumë kohë në krizë shumërrafshëse të Demokracisë, rreth tre prej elementeve të së cilës mund të vazhdojmë shkurtimisht më poshtë.
***
“Në politikë, mënyra europiane nuk është bojkoti, por dialogu”, – thonë herë pas here autoritete drejtuese të Komunitetit Europian për situatën në Shqipëri. Por, këtu bojkoti i Parlamentit prej opozitës erdhi pikërisht nga zhvillimi pa standardet e kërkuara të zgjedhjeve të përgjithshme në mes të këtij viti, që si rezultat krijoi një maxhorancë të dyshimtë. Në këtë realitet të dridhshëm, kërkesa e opozitës për të hapur kutitë e votimit, jo që të ndryshohet rezultati në tryezat e Kuvendit, por që mbi to të bëhet një hetim efikas, realisht nuk mund të konsiderohet e paarsyeshme.
Kundërshtimi i vrazhdë i maxhorancës, dhe njëherazi, rezistenca konsekuente e opozitës, tashmë po e thellojnë konfliktin politik. Ndërkohë që, pavarësisht deklaratave nën surdinë në Brukselin e zhurmshëm, dihet që dimensioni i vlerave në këtë fushë është objekt kërkimi, dhe më pas debati. Prandaj, nuk mund të jetë plotësisht i mjaftueshëm dhe bindës justifikimi i maxhorancës për qëndrimin e saj se kutitë nuk mund të hapen, ngaqë rezultati i numrit të mandateve sa në një krah në tjetrin është formuluar me vendim gjykate. Nuk është i mjaftueshëm, përderisa opozita kërkon hetim të përmbajtjes së kutive dhe jo apelim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Nuk mund të jetë i mjaftueshëm edhe sepse Kolegji Zgjedhor, ashtu si shumica e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shkelën me të dyja këmbët dy dispozita të Kodit Zgjedhor. Nuk është i mjaftueshëm, gjithashtu, as ‘argumenti’ i krahut të djathtë që opozita nuk e shoqëron me prova konkrete kërkesën për hapjen e kutive, sepse në më të shumtën e rasteve manipulimet bëhen fshehurazi, por pa mundur të eliminojnë gjithmonë incidentet, siç mund të konsiderohet zgjatja tej çdo parashikimi i procesit të numërimit të votave dhe vlerësimi nga raportet e ODIHR–it, që në një të tretën e zonave ky proces është kryer keq ose shumë keq.
Në situata të tilla të agravuara përherë e më tepër, megjithëse maxhoranca aktuale (e njohur fare mirë për mungesë të esencës së vlerave europiane), vazhdimisht gjoja i bën thirrje minorancës që të futet në Parlament për të dialoguar, kushdo e ka të qartë që ajo di vetëm monologun. Madje, edhe nëse opozita do të pranonte të shkelte pragun e Kuvendit.
Arroganca, shantazhi dhe presionet e vazhdueshme të koalicionit të stisur në pushtet kanë spikatur vijimërisht edhe ditët e fundit, kur Sali Berisha deklaron se do ta flakë opozitën nga Parlamenti, ndërsa të nesërmen del në konferencë shtypi për t’u ‘korrigjuar’, duke e zbrazur tërë inatin në diskreditimin e figurës së liderit kundërshtar. Pas tij dhe në unison me të, instrumentet orkestrale të Partisë Demokratike dhe të satelitëve të saj, me tingujt që lëshon fagoti pushtojnë ekranet me sharje dhe shpifje ndaj kundërshtarëve të tyre. Dhe, shpesh herë pasohen nga përgjigjet e krahut tjetër.
***
Në këto kushte të krizës politike, që sipas të gjitha gjasave pritet të keqësohen përditë e më shumë, me sa duket do të ishte naivitet të shpresohej për ‘qetësim të gjakrave’. E pra, kështu nuk mund të krijohen mundësitë për kryerjen e reformave të kërkuara nga Komuniteti Europian. Sepse, këto reforma domosdoshmërisht duhet të bazohen së paku në disa ligje organike që miratohen në Kuvend me shumicë të cilësuar të votave, dhe jo sipas hallit dhe mallit të maxhorancës së drejtuar prej Sali Berishës.
Kjo krizë, edhe në fushën e jurisprudencës u provua përsëri së fundmi me aprovimin e ligjit të ashtuquajtur ‘Antimafia’, përmbajtja dhe zbatimi i të cilit ka rrezik të kriminalizojnë shoqërinë, sidomos nëpërmjet selektimit politik të saj. Në të vërtet, ky ligj nuk i përgjigjet frymës dhe praktikës europiane, siç deklamon Berisha, sepse për hartimin e tij është zgjedhur qëllimisht një sistem i përzierë, të cilit i janë bashkëngjitur elemente të prototipit që vepron vetëm në disa vende të Komonuelthit, pa u parashikuar njëkohësisht klauzola të qarta për të garantuar interesat e individit.
Mirëpo, cenimi i rëndë i shtetit të së drejtës nuk fillon dhe as nuk mbaron këtu, po të marrim parasysh varësinë politike të pothuajse të gjitha organeve të pavarura, pa përjashtuar kurrsesi ato të Drejtësisë. Sidomos, gjatë pesë viteve të shkuara, kur janë kryer vepra penale të rënda dhe të organizuara nga nivele të larta të qeverisjes e të klaneve të tyre, gjykatat tona janë përpjekur dhe vazhdojnë të ‘luajnë’ me legjislacionin përtej pikëpamjes standarde të interpretimit gjyqësor.
Pa u zgjatur me çështjet gjyqësore të Gërdecit apo të abuzimeve skandaloze me fondin financiar të hedhur për ndërtimin e rrugës Durrës–Kukës, le të zëmë në gojë një veprim së fundmi të kryetares së Gjykatës së Lartë, e cila për të shpënë në vend porosinë e partisë në pushtet, që faktikisht dhe gradualisht ia dhuroi këtë funksion, me iniciativën e vet arriti të mblidhte më pak se gjysmën e gjyqtarëve të vendit për t’iu imponuar vendimin që të mblidhej Konferenca e tyre Kombëtare, me synimin që të zgjidhte anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Një iniciativë e rezultuar dështuese, se jo të gjithë pjesëmarrësit e atij takimi mund të binin dakord për të vënë në funksionim Konferencën pa miratimin e një ligji organik.
***
Atëherë, si mund t’ia dalë kështu vendi ynë për të shtrirë një orientim vlerash europiane në shoqërinë e tij, pra për të pasur edhe ai sa më shpejt një vend të merituar në Demokraci dhe në ekonominë e tregut? Për t’i dhënë përgjigje optimiste kësaj pyetjeje, sigurisht që nuk kanë vlera deklaratat populiste banale, në një kohë që dihet se këto vlera vlejnë, kur është e domosdoshme të përdoren konkretisht nëpërmjet mekanizmave të caktuara institucionale dhe administrative. Në fund të fundit, Demokracia si një rregull politik është e paimagjinueshme nëse nuk ka një rregull të përshtatshëm ekonomik. Përndryshe, liria si vlerë do ta humbiste përmbajtjen e saj, sepse nuk ka asnjë kuptim liria politike, qoftë edhe e reduktuar, pa atë ekonomike.
Kjo tezë e provuar dhe e propaganduar nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian, madje edhe ato në Lindje të tij, ende të pazhvilluara plotësisht si Bullgaria dhe Rumania, i përket Lirisë njerëzore, rreth së cilës nuk është fjala për sqarime të karakterit planifikues apo të synimeve aspiruese, por për krijimin e një politike që i siguron çdo qytetari konkretisht plotësimin e nevojave ekonomike e sociale.
Te ne, kur arkën e shtetit Qeveria e ka zbrazur, veç të tjerash, për të mbajtur medoemos pushtetin autokratik e korruptiv, nuk mund të flitet aktualisht për një politikë të tillë. Përkundrazi, për masa shtrënguese, zbatimi i të cilave po zgjeron varfërinë dhe vitin e ardhshëm do ta thellojë atë, nëpërmjet falimentimit masiv të bizneseve të vogla, rritjes drastike të çmimit të energjisë elektrike dhe pothuajse të të gjitha artikujve ushqimore e industriale, të inflacionit të monedhës vendase apo të shtimit të papunësisë.
***
Kështu pra, shumëkush edhe nga radhët e atyre që në mënyrë të detyruar dhe të paguar morën pjesë në ‘festën’ e deformuar të 8 dhjetorit ka të ngjarë të kuptojë përfundimisht se, procesi i integrimit në BE nuk është piknik fundjave në Perëndim, madje as në Tiranë, por zbatim i vlerave të përbashkëta me shumë mund, vullnet e talent, me qëllim që edhe njerëzit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku bëjnë pjesë shqiptarët, të japin ndihmesën e tyre për realizimin e projektit të madh të Kontinentit.
Prandaj, s’është për t’u çuditur nëse nga fillimi i vitit të ardhshëm protestat do të jenë gjithnjë e më masive me kërkesën e pashmangshme të tyre: zhvillimin sa më parë të zgjedhjeve të parakohshme, pas të cilave të nisë që të hapet sa më thellë hendeku me Tranzicionin kaq të zgjatur dhe të padenjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›