Rama: Gati protestat në çdo qytet
Aristir Lumezi
“Asnjë hap mbrapa nuk bëjmë! Javën e ardhshme protesta qytet më qytet! Kryetari socialist ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të vazhduar protestat në çdo qytet të Shqipërisë deri në hapjen e kutive”.Gjatë një deklarate për mediat në selinë rozë, Rama tha se duke filluar nga java e ardhshme do të rifillojnë protestat shesh më shesh e rrugë më rrugë, deri në plotësimin e kërkesave të opozitës për transparencën e zgjedhjeve. “Asnjë hap mbrapa nuk bëjmë. Ne do të shkojmë javën që vjen qytet më qytet. Sali Berishën e gënjen mendja se do të na zmbrapsë, duke na gjuajtur me gurët e shpifjes e sharjet, por në fakt ai po na frymëzon për të çuar deri në fund aksionin politik deri në largimin e tij nëse kutitë nuk do të hapen”, theksoi Rama gjatë një konference për shtyp pasditen e sotme. Kreu socialist tha dje se PS ka depozituar në prokurori 20 padi penale ndaj shpifjeve të Kryeministrit Berisha dhe kërkoi ndërhyrjen e Prokurorisë. “I bëj thirrje prokurores së Përgjithshme të Republikës, të hapë hetimin e të gjitha akuzave të kryeministrit të vendit ndaj meje dhe të kërkojë, nga Sali Berisha, prova e fakte lidhur me dhjetë paditë penale që kam depozituar deri sot në Prokurori për këto akuza, pikërisht për të zbardhur, në çdo detaj, gjithçka është thënë gjatë këtij sulmi barbar”, tha Rama. Kryetari socialist i bëri thirrje përfaqësuesve të institucioneve të mos zbatojnë urdhrat politike të Sali Berishës. “Asnjë sipërmarrës mos t’u hapë derën atyre të cilët, nën uniformën e shtetit, u shkojnë në derë për orekset e paligjshme të pushtetit, që së fundmi kërkon të mbushë arkën e zbrazur për qëllime elektorale të Sali Berishës, duke vënë gjoba arbitrare. U ribëj apel drejtuesve të Policisë së Shtetit të mos e bëjnë policinë mish për topat e pushtetit”, u shpreh Rama.
Takimi me Presidentin
Kryetari socialist Edi Rama i kërkoi kreut të shtetit të qëndrojë garant i Kushtetutës. Pas një takimi kokë më kokë në Presidencë për rreth 30 minuta, takim i kërkuar nga kryetari socialist, Presidenti Topi e siguroi Ramën se do të vazhdojë të luajë rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe i ligjit në funksion të rritjes së standardeve të institucioneve të drejtësisë. “Ilustrova me shembuj dhe fakte konkrete gjithë sapo ndodh, dhe kërkova nga garanti i Kushtetutës që të garantojë liritë dhe të drejtat kushtetuese duke luajtur rolin e tij. E kërkova këtë takim me Presidentin e Republikës për të shprehur shqetësimin e thellë të opozitës në emër të të gjithë popullit opozitar çdo qytetari e qytetareje që kërkon shtet së të drejtës, në kushtet kur shteti i së drejtës ka rënë dhe ku kanë rënë të gjitha garancitë, dhe vendi gjendet në një krizë të thellë të demokracisë”, u shpreh Rama për mediat. Pak minuta pas deklaratës së kryetarit socialist, edhe kreu i shtetit dha versionin e tij rreth këtij. Zyra për shtyp e Presidentit bëri të ditur se Rama i shprehu Kreut të shtetit shqiptar dhe njëkohësisht Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë shqetësimet rreth gjendjes aktuale të institucioneve të sistemit të drejtësisë, si dhe zhvillimeve më të fundit e situatën në vend. Lidhur me këto shqetësime, Presidenti garantoi kreun e PS se do të ndjekë çdo rrugë ligjore në funksion të pavarësisë së institucioneve. “Pasi dëgjoi qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste lidhur me këto çështje, Presidenti i Republikës ripërcaktoi edhe njëherë pozicionin e tij kushtetues dhe e siguroi zotin Rama se do të vazhdojë të luajë rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe i ligjit në funksion të rritjes së standardeve të institucioneve të drejtësisë, profesionalizmit dhe efektshmërisë, ndershmërisë dhe paanësisë së gjyqtarëve, dhe se do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e pavarësisë së këtyre institucioneve të shtetit të së drejtës.