E Diel, 1 Nëntor 2026

Në krye të Armatës, një gjeneral shqiptar

SHKUP- Me urdhër të ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi dhe gjeneralit të shtatmadhorisë së Armatës të Maqedonisë, Goranço Kotevski, të premten oficeri shqiptar, Muhamed Raçaj është emëruar gjeneral.

Bashkë me të, në shënimin e 20 vjetorit të ARM-së me garda të larta ushtarake u avancuan edhe shumë eprorë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe shqiptarë.

Mirënjohje, vlerësime dhe pllakat ari morën edhe ushtarakë dhe pjesëtarë të stafit civil të ARM-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes për kontributin e tyre në reformimin dhe zhvillimin gjatë këtyre 20 viteve, ndërsa me urdhër të presidentit të vendit, Gjorgje Ivanov si komandant i përgjithshëm i armatës, post-mortum u nderuan edhe ushtarët e rënë të Maqedonisë në konflikte të ndryshme brenda vendit dhe misionet paqësore në kuadër të NATO-s.

Ministri, Fatmir Besimi u zotua se do të angazhohet për një Armatë moderne e cila do të jetë garanci për paqen dhe stabilitetin dhe ndërtimin e mirëbesimit në vend, që do të përfaqësoje karakterin multietnik të vendit.

“Do të bëjmë që të kemi një armatë moderne, të përkushtuar për paqe, një Armatë më afër qytetarëve, një Armatë profesionale, multietnike dhe të njohur ndërkombëtarisht. Do të punojmë që ndërkombëtarisht Maqedonia të marrë epitetin dhe të jetë e njohur si kontribuuese e paqes globale, në nivel të ARM-së do të bëjmë që Armata të jetë garanci e paqes dhe stabilitetit në institucion me kredibilitet të lartë dhe model i ndërtimit të mirëbesimit. Gjithashtu një Armatë e cila do të japë kontributet e saj për Maqedoninë si anëtare në NATO, një Armatë e cila do të reflektojë përfaqësimin e drejtë dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët”, citon ministrin Besimi gazeta KOHA.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›