Majko: Me serbët duhen negociata të kujdesshme
Ish kryeministri i vendit, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Pandeli Majko nuk sheh asgjë të keqe në dialogun e Prishtinës me Beogradin, por thotë se duhet respektuar parimi i paritetit, ku nëse bisedohet për statusin e serbëve në veri, duhet bisedohet edhe për atë të shqiptarëve në Luginë.
Gjatë një intervistë për Radio Dukagjinin në Kosovë, Majko tha se me serbët duhen negociata shumë të kujdesshme dhe aspak të shpejtuara.
Ai nuk sheh asgjë të keqe nga dialogu me Serbinë, por thotë se varet se çfarë interesash ka pala që e ke përball. Serbia, thotë Majko, do të ulet në bisedime politike me Kosovën në kushtet kur më kushtetutën e saj Kosovën e ka krahinë të veten.
Nëse lihet një anë çështja e shqiptarëve në Luginë ,atëherë sigurisht që pala serbe do të vijë në tryezë me një lloj subvencionimi që sigurisht do ta vinte Prishtinën zyrtare në një lloj vështirësie të natyrshme. Për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, e drejta e Prishtinës për të negociuar prevalon ,vendoset mbi të drejtën e Tiranës zyrtare. Nuk ka të drejtë Tirana zyrtare të hyj në negociata me Beogradin zyrtar për çështjen e shqiptarëve të Preshevës. Kjo është çështje që ka të bëjë me kufirin midis Kosovës dhe Serbisë .- thotë Majko gjatë intervistës.
Kërkesën e Beogradit për të hyrë në bisedime me Tiranën për çështjen shqiptaro- serbe, Majko e komenton si një mënyrë që Beogradi të anashkalojë Kosovën, që në thelb shkon në mosnjohjen e shtetit të Kosovës.
Për Majkon është e rëndësishme të thuhet se me kërkesën e Serbisë ,çështja e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka shkuar në GJND dhe është marr përgjigja.
Tanimë Serbia dhe Beogradi zyrtar kërkon të negocioj në tavolinën politike diçka që e ka humbur në gjykatë. Cilido që ka pas çështje në gjykatë e di se çështjet e humbura në gjykatë nuk mund të negociohen në tavolina kafenesh,tha Majko për Radio Dukagjini.