E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kthesën e vitit '89

Gjermania Lindore e vitit '89, njerëz që braktisin vendin drejt një ëndrrë. E trajtuar me origjinalitet, thjeshtëri, saktësi fotografike tek "Adami dhe Evelina" i shkrimtarit gjerman Ingo Schulze.


Sculze, prej tri ditësh në Tiranë, tregon për vitin e kthesës në Gjermani, përjetimet e tij, për komunizmin, si dhe për letërsinë e varur prej tregut


Shkrimtari gjerman Ingo Schulze, i ftuar nga shoqata kulturore gjermano-shqiptare "Robert Schëartz", ndodhet në Tiranë për tri ditë për prezantimin e romanit "Adami dhe Evelina" (K&B, 2009), për biseda me njerëz të letrave, shkrimtarë, përkthyes shqiptarë.


Shqipërinë e ka njohur përmes koleksionit të tij të pullave dhe për të ishte një nga vendet e shumta, ku nuk mund të shkelte para viteve '90. Schulze ka lindur në Dresden, në atë kohë pjesë e Republikës Demokratike Gjermane.


"Një vend i çuditshëm, as Lindje, as Perëndim", e cilësoi ai Shqipërinë gjatë një bisede të shkurtër me përkthyesin Ardian Klosi, gjatë takimit të parë me shkrimtarin në Teatrin e Metropolit. Në dy mbrëmje, aktorët Sesilia Plasari, Valbona Imami, Dritan Boriçi, lexuan pjesë nga "Adami dhe Evelina".


Është historia e dy të rinjve të cilët në gusht të vitin 1989, guxojnë të kapërcejnë kufirin gjerman-lindor, me një dëshirë e zjarrtë për të njohur perëndimin. Perëndimi ishte një ëndërr, për ata që u kishte rënë shorti, t'i takonin Republikës Demokratike Gjermane.


Viti '89 e tërheq Schulzen, për ta hetuar, për të zbuluar ndryshimet jo aq ekonomike e politike sesa marrëdhëniet e njerëzve me njëri-tjetrin. Këtë ka bërë edhe tek "Adami dhe Evelina". Përmes një historie dashurie, ëndrra të përbashkëta, me xhelozi brenda, thyerje dhe ribashkime, mes Adamit rrobaqepës dhe Evelinës kameriere, ai tregon ndryshimin e kohëve.


Ingo Schulze ka arritur të thurë me saktësi dhe qartësi një histori të këndshme, përshkrime të gjalla, një botë të pasur personazhesh. Jo më pa i rëndësishëm është fakti që romani është i gjithi i ndërtuar mbi dialogë.


Adami dhe Evelina nuk kanë asgjë të përbashkët me mitin biblik. Nëse aty thuhet që Eva mëkatoi dhe bashkë me Adamin duhet të lënë parajsën, në romanin e Schulzes, është Adami që e kryen "mëkatin fillestar", dhe dënohet të ndjekë nga pas Evën.
Shijimin e plotë të librit e bën të mundur edhe gjuha e pasur e përkthimit të Ardian Klosit.

Në këtë intervistë për gazetën "Shekulli", Schulze tregon gjithçka për vitin e kthesës në Gjermani, për njerëzit e papunë dhe ndërmarrjet e privatizuara, për anët e errëta dhe të mira të kohës, për përjetimet e tij, për Evropën të ndarë në Lindje dhe Perëndim. Po ashtu, për "Adamin dhe Evelinën", për shijet e tij letrare, për autorët e preferuar dhe për fillimet e tij si shkrimtar.


Sot paradite, shkrimtari gjerman ka takimin e fundit me kolegë shqiptarë në Sallën Gjermane të Leximit (Biblioteka e vjetër Kombëtare).


Ingo Schulze ka lindur në Dresden në vitin 1962. Ka studiuar filologji klasike në Jena, ka punuar në teatër dhe redaktor në shtyp. Është autor i librit "33 çaste lumturie", i romanit "Jeta e re" dhe kolazhit me tregime "Celular".


Nga "33 çaste lumturie" janë botuar në shqip tri tregime, pjesë e Antologjisë "Tregimtarë të gjuhës gjermane pas 1945-s". Romani i tij i fundit është "Adami dhe Evelina" (2008), i prezantuar në Shqipëri në nëntor 2009 në Tetorin Gjerman, në kuadër të 20-vjetorit të Rënies së Murit të Berlinit. Në vijim, Schulze, tregon edhe për kushtet ku gjallon letërsia gjermane sot, për autorët që pëlqen tregu dhe ata që nuk munden të lajnë dot qiranë në fund të muajit.


Z. Schulze, përse kaq interes për vitin '89?


Dikur ishte diçka e projektuar drejt së ardhmes, tani është një kthim mbrapa, drejt së tashmes. Pas kthesës, së viteve '89-'90, gjithçka mori një vlerësim të ri. Ka pasur njerëz që kanë shitur shtëpinë për të blerë një makinë të përdorur. Nëse këtë e kanë bërë para "kthesës", u eci ters, sepse një shtëpi pas vitit '89, ka vlerë shumë më të madhe sesa një makinë e përdorur.


Ose ka pasur punëtorë shumë të kërkuar, që ishin si mbretër në RDGJ, dhe papritur u ndodhën pa punë, nuk i kërkonte më njeri. Kartat u ripërzienë. Mendoj se kur i trajton njerëzit, në momente të tilla kthesash kaq të forta, nxjerr zbuluar shumë më tepër gjëra sesa kur i shoqëron ata dalëngadalë në jetët e tyre.


Si lidhet me përjetimet tuaja ky vit?


Unë gjithmonë kam menduar që kështu do të ekzistojë gjithmonë bota, e ndarë në dy pjesë. Edhe kur unë të jem pensionist. Kur erdhi vjeshta e vitit '89, kur bëmë revolucionin tonë, në të vërtetë nuk mendonim fare për bashkimin. Ne donim të ndryshonte Gjermania e Lindjes. Natyrisht që ka pasur ndryshime të mëdha në dy sistemet, por çfarë është më e rëndësishme sot, është pasja, ose mospasja. Niveli që i ka gjërat dhe niveli që nuk i ka.


Dhe keni zgjedhur të tregoni për komunizmin përmes një historie dashurie...
Shpresoj që është brenda. Duke treguar një marrëdhënie dhe ndryshimin e kësaj marrëdhënieje, njëkohësisht tregoj edhe ndryshimin e kohëve. Një histori dashurie e viteve '80, ishte ndryshe nga një histori e vitit '89, madje ishte shumë më ndryshe në vitin '90. Kështu që edhe një histori dashurie ndryshon me ndryshimin e kohëve. Kështu ne historinë e jetojmë përmes familjes dhe ndryshimi i historisë reflektohet pastaj në ndryshime familjare.


Rasti i mëkatit, mëkati i mirëfilltë shprehet përmes një historie dashurie, dashurisë së Adamit dhe të Evës.

Ju ka volitur të rrëfenit vetëm dhe nëpërmjet dialogut?


Në fillim e kemi botën në perspektivën e Adamit. Kurse, në fund perspektiva ka kaluar tek Evelina. Këtë gjë dëshiroja ta arrija, ndryshimin e perspektivës. Dhe e dija se kalimi duhet të bëhej me dialog.


Pastaj, unë u befasova nga figurat e mia sepse pas rastit të mëkatit, kalohet në Lindje dhe takohen me njeri-tjetrin personazhe dhe ka shumë nevojë që të flasin me njëri-tjetrin. Në fund pastaj qetësohet prapë gjithçka. Por në momentin, kur këta takohen, në atë kohë kanë për të thënë shumë gjëra. Flasin shumë.


Si keni arritur tek saktësia gati absolute e përshkrimit?

Më është dashur të punoj, të bëj kërkim, edhe për detaje fare të vogla, si për shembull, ku furnizohet me magazinë një Wartburg i vjetër. Megjithatë këto nuk kishin rëndësi primare. Rëndësi kishin karakteret. Shpresoj që detajet të jenë të sakta. Por në të vërtetë, rëndësinë kryesore e kishte zhvillimi i personazheve, kurbat që ato ndjekin.

Ç'vend zë "Adami dhe Evelina" ndër ato që keni shkruar?


Mua do të më pëlqente që këtë vlerësim ta bënte dikush tjetër, jo unë. Megjithatë mund të them, që me këtë libër, kam dashur të jap kthesën, ndryshimin, në mënyrë sa më të qetë, gati të pandjeshme, si një parabolë.
Është një libër mjaft i mirë për të filluar me mua, me veprën time. Lexohet lehtë.


Si jeni bërë shkrimtar?


Në fakt që në moshën 13-14-vjeçare kam dashur të bëhem shkrimtar i famshëm. Në të vërtetë që të mos shkoja në ushtri. Por nuk ia arrita. Megjithatë, deri nga mosha 30-vjeçare, e dija që kjo që bëj, nuk është ajo që dua. Gjithmonë kam kërkuar zërin tim origjinal dhe nuk e kam gjetur atë. Deri sa e kuptova që nuk kishte rëndësi, që zëri im patjetër të ishte origjinal, por unë të përballoja dhënien e situatave.


Vetë me ç'lloj leximesh ushqeheni?

Më është dashur të shkruaja për paragonët e mi, për ata që unë admiroj, dhe më dolën mbi 60. Avantazhi ynë në Gjermani është që përkthehet shumë. Kemi shumë letërsi të përkthyer dhe natyrisht arrij të lexoj shumë më pak nga sa do të kisha dëshirë. Nga shkrimtarët shqiptarë, për fat të keq, njoh vetëm dy libra të Ismail Kadaresë.


Letërsia e preferuar gjendet brenda Gjermanisë, apo i kalon kufijtë?


Në shekullin e XX-të, për mua janë shumë të rëndësishëm Franz Kafka, Joseph Roth. Por edhe të tjerë, ndoshta tek ju pak të njohur: Peter Weiss, Johaness Bobrowski, një radhë kolegësh të tjerë që i çmoj shumë nga tradita Georg Büchner, Heinrich Heine. I kaloj kufijtë pa vështirësi. Për mua janë shumë të rëndësishëm shkrimtarë sovjetikë, hungarezë, italiani Italo Svevo.


Ç'mendoni për letërsinë e sotme? Sa e varur është nga tregu ajo?


Po të mos e kisha gjetur shtëpinë botuese për librin tim të parë, ndoshta do ta kisha shkruar edhe librin e dytë, por nuk di në do ta kisha shkruar dot librin e tretë, në qoftë se tregu mua s'do të më kërkonte. Natyrisht shifrat e shitjes janë të rëndësishme, për jetën time, për jetën e familjes sime.


Por janë të rëndësishme edhe gjykimet e disa pak njerëzve, të cilët unë i çmoj shumë. Unë kam fatin e madh, e quaj privilegj madje, që mund të jetoj prej letërsisë sime. Unë kam mjaft kolegë që nuk janë më të këqinj se unë, por nuk dijnë sesi mund ta paguajnë qiranë e muajit tjetër.


Po e mbyllim me komunizmin, ashtu siç nisi. Vutë re shenja të komunizmit këtu në Shqipëri?


Për aq pak kohë sa shëtita, mu duk një arkitekturë e njohur, familjare. Më ka bërë përshtypje në Itali kur më dhanë një çmim, që m'u afrua një nxënës shqiptar dhe më tha: "Më pëlqen shumë libri juaj sepse aty gjej shumë nga historia e vendit tim".


Përse po bëhet kaq e vështirë "hyrja" në Evropë e vendeve që ndodhen në lindje të saj? Fjala nuk është vetëm tek vështirësitë e tipit ekonomik.


Pyetja është "Ç'është Evropa?" dhe Evropa është më shumë sesa Evropa Perëndimore. Natyrisht që e vlerësoj Bashkimin Evropian. Është një gjë e rëndësishme, por ka edhe mjaft probleme, mënyra sesi funksionon, qeveria, te Parlamenti Evropian. Nuk është shembull.


Më duket se e kemi mjaft të shkurtër kujtesën. Për të kuptuar procese historike nuk mjafton të merresh me 10 ose 20 vitet e fundit.


Duhet të merresh me shekuj, ndonjëherë edhe me mijëvjeçarë. Ka vija ndarëse, vija thyese në politikë që janë shumë të vjetra. Shqipëria ka traditë edhe në shkrime, me gërma arabe, me gërma greke, me gërma latine, dhe kjo është një traditë e veçantë dhe kjo bën pjesë në Evropë.


Po ashtu edhe në besimet e ndryshme. Isha para dy-tri vjetësh në Siçili dhe aty e ndjen sesi janë përzier influencat e ndryshme, një histori shumë e përzier. Edhe këtu ndihet.
Janë çështje shumë të komplikuara.


Unë nuk kam qenë dakord me privatizimet. Brenda një viti u nxor gjithçka në treg. Procesi ishte shumë i ndërlikuar nuk mund të ishte kaq e thjeshtë që një vend i shtetëzuar, të kalonte menjëherë në një vend krejt të kapitalizuar. Bashkimi Evropian nuk është vendi i duhur që i zgjidh këto probleme.


Ç'do të thotë për ju komunizëm?


Nuk mund të jap gjykime të përgjithshme, me epitete. Siç thashë, nuk jam për privatizime totale, janë disa sektorë, si prodhimi i energjisë, që duhet të jenë në duar të shtetit. Edhe kapitalizmi ka nevojë për rregullat e tij.


Si qytetar, dua demokracinë. Aktualisht mendoj se kanë humbur krejt orientimet. Partitë flasin vetëm për rritje ekonomike dhe për asgjë tjetër. Duhet të flasin edhe sesi mund të ndaheshin ndryshe punët, si mund të ndaheshin ndryshe fitimet.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›