E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatja e rrëmbyesit: Dërgojeni në psikiatri

Prokuroria gjatë seancës së djeshme kërkoi që i akuzuari për grabitje dhe pengmarrje të izolohej në burg pa afat


Gjykata veç arrestit me burg, për Romeo Lekën vendosi që për të të kryhej edhe një ekzaminim psikik


TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, me kërkesë të organit të akuzës, vendosi izolimin në qeli të "grabitësit dhe pengmarrësit" Romeo Leka me masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve, ndërsa avokatja mbrojtëse i kërkoi togave të zeza të urdhërojë shtrimin e tij në Spitalin Psikiatrik.


Leka, 25 vjeç nga Mirdita, banues në Tiranë, të premten në mesditë grabiti një bankë në një hotel luksoz në kryeqytet dhe më pas për t'iu shmangur policisë mbajti peng për disa orë një vajzë, ndërsa në dorë mbante një pistoletë pa fishekë. Ndërhyrja e RENEA-s si dhe negociimi i krerëve të Policisë neutralizoi Lekën, i cili gjithsesi nuk kishte pasur armën me municion.


Rreth orës 9:35 të paradites së djeshme kur 25- vjeçari Leka i shoqëruar nga tre punonjës të policisë u ul në "kafazin" e hekurt të sallës nr.3 të kësaj gjykate, për të dëgjuar kërkesën e prokurorit për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë për të.


Ndërkaq gjyqtari i çështjes, Gurali Brahimllari, vendosi ndaj të akuzuarit masën e sigurisë burg pa afat si dhe ekzaminim pisqik për të. Me hyrjen në sallën e gjyqit të të arrestuarit Leka, gjyqtari i gatshëm, Gurali Brahimllari, nisi me verifikimin e palëve të paraqitur në këtë seancë gjyqësore.


Në sallë ishin të pranishëm përveç medias, edhe avokati i caktuar kryesisht nga prokuroria Pelivan Luçi, prokurori i çështjes Adnan Xholi si dhe mbrojtësja e zgjedhur nga djali i hallës së të arrestuarit, avokatja Klojda Dashi. Me legjitimimin e kësaj të fundit, gjykata urdhëroi largimin nga salla të avokatit kryesisht Pelivan Luçi.


Pas këtij momenti, prokurori i çështjes Xholi kërkoi nga gjyqtari që seanca e gjyqësore e vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë të vazhdonte me dyer të mbyllura. Ndërkohë, ende pa mbaruar parashtrimin e kësaj kërkese, i arrestuari Leka, gjatë gjithë kësaj kohe kryente lëvizje të shpeshta, foli duke i kërkuar prokurorit t'i kërkonte sa më shpejt gjykatës caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg".


Pas kësaj kërkesës së prokurori Xholi, për boshatisjen e sallës së gjyqit nga të pranishmit, gjyqtari Brahimllari e miratoi atë, duke urdhëruar boshatisjen e sallës së gjyqit nga mediat e pranishme.


Në kohën që publiku po largohej nga salla e gjyqit, Leka iu drejtua gjykatës me fjalët: Nuk kisha mend të vrisja njeri, pasi edhe pistoleta ishte pa fishek". Më pas, sipas burimeve nga gjykata, vazhdoi me deklarimin e të dhënave personale nga i arrestuari dhe leximi i kronologjisë së katër ngjarjeve të kryera nga i arrestuari Leka.


Në përfundim të parashtrimit të kësaj kërkese, i është drejtuar togave të zeza që 25 vjeçari të izolohet në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg". Kjo kërkesë u mbështet edhe nga avokatja Dashi, e cila kërkoi që klienti i saj të izolohet në Spitalin Psikiatrik, pasi nuk është në gjendje të mirë mendore.


Kjo gjendje, sipas avokates, do të provohet me mbërritjen e materialeve mjekësore (kartelës) së tij nga SHBA-ja, ku është mjekuar për disa vite në një qendër psikiatrie.


Gjyqtari, pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi që të pranojë kërkesën e prokurorit, duke izoluar në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.


Romeo Leka: Unë i kam pranuar krimet e mia


"Thuaja o prokuror, çfarë kam bërë. Thuaja krimet që kam kryer, të cilat i kam pranuar që i kam bërë dhe kërko që të caktohet masa "arrest me burg" dhe të iki që këtu se nuk po rri dot"-tha Leka, duke sharë e përdorur fjalë të ndyra nën zë në gjuhën angleze.


Gjatë kësaj kohe, gjyqtari Brahimllari i tërhoqi vërejtjen, duke urdhëruar të ulej dhe mos të fliste pa leje. Kjo kërkesë u përforcua edhe nga avokatja Dashi, që i kërkoi klientit të saj të qetësohej.


"Si të qetësohem, nuk jam mirë. Kryetar i gjykatës apo z.gjyqtar kërkoj pesë minuta pushim, pasi nuk jam mirë. Më dhemb koka, plasa dhe kërkoj të qetësohem, se këto kamera më rrinë si raketa drejt meje"-tha 25 vjeçari duke u ulur me ndërhyrjen e efektivëve të policisë që ndodheshin pranë tij në "kafazin" e hekurt të sallës së gjyqit.


Prokuroria ngre pesë akuza ndaj Lekës


Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i arrestuari Leka ka kryer pesë vepra të rënda penale nga data 8 mars kur mendohet se ka ardhur në Shqipëri nga Greqia e deri më 19 mars 2010, ditën kur u arrestua nga forcat RENEA-së pasi 30 minuta të "pengmarrjes" së një studenteje në zonën e Librit Universitar.


Nga hetimet paraprake, sipas akuzës, janë provuar dhe dokumentuar se i arrestuari ka kryer "vjedhjen me armë" të mbetur në tentativë ndaj një filiali të bankës në lagjen "Ali Demi"; "vjedhjen me armë" të mbetur në tentativë ndaj taksistit të marrë nga parku "Rinia" e deri tek mbikalimi në hyrje të Kamzës ku është larguar pasi ka parë një post-bllok të policisë; "vjedhjes me armë" të bankës që ndodhet brenda një hoteli buzë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke marrë 30 milionë lekë të vjetra; "rrëmbimin e mbajtjen peng" të studentes me inicialet L.H. për mbi 30 minuta si dhe "armëmbajtjes pa leje" me të cilën ka kryer të gjitha këto vepra penale.


Ndërkohë, në ditët në vazhdim priten përgjigjet e analizave të gjakut dhe urinës të të arrestuarit dhe kryerja e akt-eksperitmit psikik, pasi dyshohet se ka probleme të rënda mendore.

************************


I arrestuari akuzohej nga prokuroria për djegien e automjetit të xhaxhait të tij, në kohën e largimit nga banesa ku qëndronte i izoluar

Theu arrestin shtëpiak, kapet pas kthimit nga Italia


KAVAJË- Theu arrestin shtëpiak, arrestohet pas kthimit nga Italia, i akuzuari për djegien e automjetit të xhaxhait të tij në Kavajë. Zamir Xhelezi, 24 vjeç, me banim në fshatin Spille të Kavajës u arrestua, nga policia e Kavajës pasi ishte në kërkim për veprën penale të shkeljes së vendimit të gjykatës e cila kishte vendosur për të masën e arrestit shtëpiak, i akuzuar për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr.


Nga të dhënat e Policisë mësohet 24 vjeçari Xhelezi, ishte në gjendje arresti shtëpiak pas krimit të djegjes së pronës me zjarr, për të cilin ai dyshohej.


Në këtë kohë, ai sipas burimeve të policisë, braktisi shtëpinë e tij duke thyer masën e arrestit të gjykatës dhe u largua në drejtim të Italisë. Një veprim i tillë ishte kryer me qëllim për t'iu shmangur vuajtjes së dënimit të mundshëm për krimin për të cilin akuzohej.


Pas thyerjes së masës së arrestit, Gjykata e Apelit në Durrës, në dhjetor të vitit që kaloi ka vendosur tjetër masë sigurie ndaj Xhelezit, duke e lënë në arrest me burg.


Nga burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës mësohet, se Zamir Xhelezi fillimisht është arrestuar më 15 nëntor të vitit 2008, për ngjarje të ndodhur në fshatin Sharrdushk.


I arrestuari për shkelje të masës së arrestit, akuzohet së në këtë fshat para ambientëve të një lokali ka djegur makinën tip "Iveko" në pronësi të xhaxhait të tij.
Për këtë ngjarje, ky i fundit arrestohet nga forcat e Policisë të Komisariatit Kavajë, dhe ishte në pritje të gjykimit.


Por, pasi Gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi, Xhelezi nuk e ka respektuar vendimin e gjykatës. Pasi iu është shmangur forcave të policisë, 24 vjeçari është larguar në Itali.


Pas informacioneve për kthimit e tij në Shqipëri, shërbimet e hetimit të krimit në Komisariatin e Kavajës e kanë arrestuar. Mësohet se hetimet ndaj tij do të vazhdojnë nga Prokuroria e Kavajës për veprën penale largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›