Në kujtim të Lekë Qokut dhe Besnik Hidrit
Oficerët që ranë në krye të detyrës
28 shkurti i vitit tragjik 1997 shënon fillimin e rebelimit të armatosur komunist mbi institucionet e shtetit shqiptar. Pasi ishin sulmuar dhe djegur godina të bashkive, komisariateve, këshillave të rretheve, prokurorive, arkivave, gjykatave, sulmi mbi godinën e SHIK-ut në Vlorë tregoi hapin më të vendosur të rebelimit të kuq mbi institucionet e shtetit shqiptar. është pak të flitet për sakrificën e njeriut në kohë të vështira. Për zyrtarin e shtetit, përgatitja, sakrifica dhe ndjenja më e lartë njihet në kohë të vështira. Kësisoj oficerët e SHIK-ut Besnik Hidri dhe Lekë Qoku ndodheshin në krye të detyrës brenda godinës së SHIK-ut në Vlorë. Në atë kohë ishte thurur një skenar që niste me grevën e urisë së disa bijve dhe bijave të nomenklaturës komuniste që kishin nisur atë që në gjuhën e Sigurimit kuptohet me fjalët legjendim apo kombinacion. Për ditë me radhë, vesh më vesh, nëpërmjet shtypit të majtë, kanaleve televizive antishqiptare, etj ngrihej një legjendë mbi rolin e SHIK-it. Në Vlorë ngriheshin 3 gishtat e simbolit serb si në Beograd, ndërsa për ironi të saj rëndom përfletej për “ushtarë serbë” që kishin ardhur në Vlorë. Në këtë gjendje të paparë ndonjëherë ku kërkoheshin “paratë tona” me grushtin lartë apo tregishtorin serb ishin disa njerëz që treguan vendosmëri për mbrojtjen e institucioneve të shtetit shqiptar. Nuk duhet harruar se kombinacioni tipik i Sigurimit i kryer nëpërmjet një “incidenti” për plagosje nga SHIK-u të atyre që mbronin “grevistët e lirisë”, tregon sesa të përgatitura ishin skenarët e zi në atë kohë.
Nuk duhet harruar se pas sulmit të armatosur ndaj SHIK-ut në Vlorë, filloi sulmi mbi depot ushtarake e mbi të gjitha institucionet e tjera të vendit. Po ashtu gjithkush mund të kujtojë “studentët” e lumturuar nga gjaku i oficerit të SHIK Lekë Qoku që pihej me ulërimat e një ulkonje plake nga një deputete e ardhshme socialiste. Nëpërmjet skenash makabre u përcoll nëpërmjet medieve të posaçme në mënyrën më e poshtër e masakrimit të oficerëve të SHIK-ut.
Sulmi ndaj godinës së SHIK-ut është agresioni më i hapur ndaj institucioneve të shtetit shqiptar. Nga ata që sulmuan janë bërë gjatë këtyre viteve të njohur disa emra, ndërsa duhet kujtuar se ka edhe të tjerë për të cilët asnjëherë nuk është vonë për të çuar drejtësinë e munguar në vend.
Respekti ndaj zyrtarit të shtetit të rënë në detyrë, është respekti që tregon shoqëria ndaj njerëzve që morën përsipër rrezikun në kohën më të vështirë.