E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pentagoni nxiton të pengojë publikimin e dosjeve sekrete

Wikileaks

I ka të gjithë elementët për të qenë skenar për një libër apo film spiunazhi: një analist ushtarak amerikan, që shndërrohet në kundërshtar, 260000 dokumente sekrete të qeverisë dhe thashethemet se vendi më i fuqishëm i botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është duke ndjekur ish-hakerin i cili ka shumë mundësi t’i botojë dokumentet “djegëse”

Zyrtarët e Pentagonit dhe të Departamentit të Shtetit, dëshpërimisht po përpiqen që të zbulojnë nëse Bradley Manning, një oficer i shërbimeve sekrete të ushtrisë amerikane, aktualisht i arrestuar në Kuvajt, i ka dhënë materiale shumë konfidenciale Wikileaks.com, një komuniteti online. Ai është një komunitet që përbëhet nga 800 ekspertë cyber, të gjithë vullnetarë, aktivistë, gazetarë dhe avokatë, që janë shndërruar në “një gjemb” për qeverinë dhe korporatat e korruptuara në të gjithë botën. Lajmet nga Shtetet e Bashkuara bëjnë të ditur se zyrtarët amerikanë po përpiqen që të kapin Julian Assange, themeluesin e këtij uebsajti, që ka qenë i pari i cili i ka publikuar ato lajme dhe informata që media zyrtare ose ka frikë, ose nuk do që t’i botojë.

Manning, 22 vjeç, një analist i shërbimeve sekrete nga Potomac, Maryland, që ka punuar në Irak, duket se është shkaktari i një “rrjedhjeje informacioni” në fillim të vitit. Manning ka mundësi që të ketë arritur të nxjerrë nga kompjuterët e ushtrisë një film në të cilin shfaqet hapur një helikopter “Apache” amerikan, që po hap zjarr ndaj civilëve të pafajshëm në Bagdad, tre vjet të shkuara. Por ky film mund të jetë vetëm maja e ajsbergut. Sipas Adrian Lamos, një ish-hakeri amerikan të shndërruar në gazetar, që ka pasur lidhje me Manning dhe më pas u dha emrin e tij autoriteteve shtetërore, mund të bëhet fjalë për 260000 mesazhe të klasifikuara të shërbimeve sekrete, që ka shumë mundësi të jenë në duart e Wikileaks. Sipas Adrian Lamo, Manning ka thënë se dokumentet flasin për një “marrëveshje politike thuajse kriminale”, bërë nga ambasadat amerikane në Lindjen e Mesme, të cilat, nëse do të dalin të vërteta, do të shkaktonin trazira të mëdha tek aleatët kyçë të Amerikës në shumë zona të brishta të botës. Lamo pretendon se Manning i ka thënë se “Hillary Clinton dhe shumë diplomatë amerikanë në të gjithë botën do të pësojnë pushim zemre kur të zgjohen një mëngjes të bukur dhe të gjejnë në internet të gjithë repertorin e klasifikuar të politikës së jashtme”. Në mars të këtij viti, Wikileaks publikoi një material “të rrjedhur” prej 32 faqesh. Bëhet fjalë për një raport të shërbimeve sekrete, që e konsideron këtë sajt si “rrezik për ushtrinë amerikane”.

Raporti shton: “Mundësia që punonjës, apo spiunë, brenda Departamentit të Mbrojtjes apo gjetkë në qeverinë amerikane t’i japin materiale shumë të klasifikuara dhe sekrete Wikileaks, nuk është për t’u përjashtuar”.

Sajti ka treguar edhe më parë se është i gatshëm që të aplikojë informacione sekrete nga ambasadat amerikane. Në janar, në këtë sajt u postua një material i klasifikuar nga ambasada amerikane në Reikjavik të Islandës, në të cilin përshkruhet një mbledhje mes shefit të ambasadës, Sam Watson, ambasadorit britanik Ian Whiting dhe anëtarëve të qeverisë së Islandës.
Në një intervistë me BBC, i vetmi organ lajmesh që e ka konfirmuar arrestimin e Manning, themeluesi i sajtit, Assange, ka refuzuar që të konfirmojë se kush është burimi i videos së helikopterit amerikan që po hapte zjarr ndaj civilëve. Ai tha gjithashtu se nuk kishte ndonjë dijeni në lidhje me 2600000 materialet që supozohet të jenë marrë nga Manning. Themeluesi i këtij sajti ndërkohë nuk është duke mbajtur një profil të ulët, por ka filluar që të shndërrohet në person publik. Ai do të marrë pjesë në një panel ku do të diskutohet në lidhje me mbrojtjen e burimeve të pavarura, në të cilin do të jenë edhe ish-agjentja e CIA-s, Valeri Plame, dhe Leonard Downie Jr, ish-botues i “Washington Post”, që mbikëqyri edhe pjesën më të madhe të pasqyrimit të skandalit në gazetën e tij.

Uebsajti që sjell lajmet ndryshe

-Edhe pse Wikileaks normalisht ndodhet në Suedi, ai mbron në mënyrë të vazhdueshme vetveten dhe identitetin e burimeve të tijj përmes kalimit të materialeve në një sërë serverësh në të gjithë botën, çka e bën virtualisht të pamundur gjurmimin apo mbylljen e sajtit. “është një masë shumë e efektshme që të mbash të fshehura burimet dhe lidhjet e tyre”, thotë një ekspert i sigurisë në kompjuterë. “E vetmja mënyrë për ta gjurmuar sajtin është ajo në kohë reale, çka është praktikisht e pamundur”.

- është themeluar në vitin 2006 nga hakeri australian, Julian Assange. Nuk ka një staf me pagesë dhe gjithë veprimtarinë e vet e bazon në punën e vullnetarëve.

- Gjatë 4 viteve të fundit, që kur sajti doli në internet, ai ka publikuar listën e anëtarësimit të Partisë Nacionale Britanike, procedurat e detajuara ushtarake amerikane për dorëzimin e të burgosurve në Guantanamo Bay, e-mail-et e Sarah Palin, apo 570000 mesazhet e përgjuara pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

-Wikileaks pretendon se “scoop”-i i tij i radhës do të jetë publikimi i fotove të një sulmi ajror të amerikanëve në Afganistan, që mori jetën e dhjetëra civilëve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›