E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesër fillon kapitulli historik për evropianizimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nesër edhe zyrtarisht fillon dialogu për liberalizimin e vizave për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

Ai në mbledhjen e Qeverisë, tha se pas një pune kolosale që kanë bërë institucionet qendrore, Qeveria e Kosovës, komunat, komisionet parlamentare, me përkrahjen gjithëpërfshirëse të tërë spektrit politik kosovar, Kosova po hynë në një proces, i cili në fund do të rezultojë me qarkullimin e lirë dhe pa viza te qytetarëve të Kosovës në Evropë.

“Nga nesër fillon një kapitull i ri historik i evropianizimit të Kosovës. Ky proces është i merituar dhe jo i dhuruar. Në fakt dialogu për liberalizimin e vizave është dashur të nis edhe më herët, sepse Kosova kishte plotësuar të gjitha kriteret në mënyrë të njëanshme. Një e treta e qytetarëve të Kosovës tashmë jetojnë në Evropë dhe jam i vetëdijshëm edhe për dimensionin emocional dhe human që bartë ky proces në Republikën e Kosovës. Unë dhe Qeveria që përfaqësoj, do të punojmë natë e ditë, me përkushtim të plotë, që nënat, baballarët dhe familjarët tanë, të mundin që sa më shpejtë dhe pa viza të udhëtojnë në Evropë për t’i vizituar të afërmit e tyre. Studentët për të marrë përvoja të reja, bizneset për të gjetur partnerë të rinj në BE”, pohoi kryeministri Thaçi.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk është përfshirë në liberalizimin e vizave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›