E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kujtim të profesor Pilikës

Sapo i kthyer nga studimet e mia të dyta universitare në Universitetin e Peruxhias për "Antichita italiche", qëllimi i të cilave ishte përgatitja për të udhëtuar në kulturën italike, profesor Zyri Bajrami më ftoi të ligjërojë në konferencën ndërkombëtare të antropologjisë, e cila organizohej atë vit nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Aty referova për dëshmi të një udhëtari shqiptar, gazetar tashmë, në botën e etruskëve.

Me ligjërimin tim mbyllej ajo seancë e konferencës, dhe sapo lashë podiumin, shumë miq më erdhën e më uruan për informacionin që sillja në mjedisin e antropologëve shqiptarë, mes të cilëve flitej për antropologjinë fizike dhe ende nuk flitej për antropologjinë kulturore. Ligjërimi im kishte të bënte me ngritjen e një hipoteze, e cila ishte kjo:

"Një shqiptar në shkrimet etruske ka gjëra që i kupton".

Baza e hipotezës së ngritur ishte:

"Një shqiptar në gjuhën e vet ka fjalë të greqishtes arkaike dhe të latinishtes arkaike, fjalë të cilat nuk gjenden më në gjuhën greke moderne dhe në gjuhët neolatine. Fjalë të cilat dëshmojnë nga njëra anë marrëdhëniet e këtyre gjuhëve në lashtësi dhe nga ana tjetër përcjelljen e këtyre marrëdhënieve nëpërmjet shqipes nga shek V-VI e deri në kohët moderne. Gjuha shqipe dëshmon fort edhe për marrëdhëniet e saj me sanskritishten e shek IV ev. Përveç këtyre dëshmive, nuk mund të përjashtohet apriori në atë kohë marrëdhënia e shqipes edhe me gjuhë të tjera indoevropiane ose jo, një prej të cilave në Adriatik ishte etruskishtja".

Në konferencë thashë se nëse hipoteza kthehet në tezë, gjuha shqipe dëshmohet në shek. VII-VIII ev, atëherë kur në Mesdhe fillon e ngjizet qytetërimi grek.

Mbas ligjërimit, aty në sallë, mes miqve, u afrua një burrë shtatvogël, me sy që i ndrisnin pas syzeve, i cili ndryshe nga të tjerët më përqafoi. Nuk e njihja. Por fjalët e tij më përkëdhelën dhe më dhanë kurajë, atë kurajë të cilën vite më vonë, nuk do ta kisha as në formë nxitëse dhe as në formë frenuese nga kritika shkencore shqiptare. Sjellje, të cilën më vonë kuptova se e kishin pësuar me radhë shumë studiues që nga G. fon Han e deri te Pilika, e më të rinjtë që lëvrojnë në këtë fushë.

"Atë që prisja nga vite prej gjuhëtarëve e dëgjova nga një inxhinier. Mos u tut, sepse ka ndodhur edhe herë tjetër kur deshifrimet në Mesdhe i kanë bërë inxhinierë dhe jogjuhëtarë" - më tha burri dhe më ftoi për një çaj ditën e nesërme në një kafe të vogël në rrugën M. Shyri, atje ku ajo rrugë kryqëzohet me zgjatimin e rrugës "Sami Frashëri", pasi kalon Urën mbi Lanë.

Të nesërmen, unë inxhinieri elektronik që për njëzet vjet isha marrë me teorinë e përpunimit të sinjaleve elektronike, i pushtuar nga dëshira e studimit të sinjaleve gjuhësore, njoha burrin me të cilin na bashkoi pasioni i përbashkët i studimit të shkrimeve të lashta të Mesdheut, në të cilat dëshmohet qoftë edhe rastësisht, ajo që sot quhet gjuha shqipe.

"Punojmë në një fushë të minuar", tha profesori.

"Çdo hap i hedhur në të duhet bërë me kujdes dhe i sigurt, mbështetur vetëm në dokumente dhe jo në dëshira, sepse ndryshe, shkatërrojmë atë punë për të cilën jemi nisur, atë punë që na kanë lënë veçanërisht rilindësit. Busull të kesh leksionet e Çabejit në Universitetin e Prishtinës të përmbledhura në shtatë vëllime dhe të botuara nga Rilindja nën emrin "Studimet Gjuhësore".

Historiografia jonë është e mbushur me pasaktësi të cilat vijnë nga hamendësitë e kota, nga karakteri dogmatik i saj dhe veçanërisht nga prania e nacionalizmit vulgar, vazhdoi ai.

Takimet me Pilikën u bënë të shpeshta dhe të rregullta, për sa ai jetoi. Meraku i madh i profesorit ishte mungesa e diskutimit shkencor në Shqipëri për çështje të rëndësishme të historisë, veçanërisht të asaj që quhet paragreke. Më ka mbetur si një nga dhuratat më të mira kritika e profesorit për punën time:

"Çdokush nga ne shqiptarët që futet në botën e lashtë e ndien veten mirë, ashtu si u ndjeve ti në botën e etruskëve, ku shëtite. Ajo që më bën përshtypje te ti, është vështrimi mbi proceset e formimit të qytetërimit grek për të gjetur aty dokumente që kuptohen me shqipen, pra dëshmi të kulturës shqipfolëse në procesin e formimit të qytetërimit grek, pas mbërritjes së shkrimit në Mesdhe". Profesori ishte në merak për punën e dhjetëra studiuesve, të cilët me botimet e tyre në lidhje me lashtësinë e dëshmisë së kulturës së shqiptarëve, nuk kishin mbërritur të krijonin besueshmëri në mjediset shkencore. Këtë fat kishte pësuar edhe Mayani, argumentet e të cilit ishin konsideruar gjithmonë të brishtë. Madje, profesorit i vinte keq që për këtë periudhë të historisë në Shqipëri nuk kishte specialistë. Historiografia shqiptare e shumë viteve kishte përqendruar gjithë energjitë e veta në vazhdimësinë iliro-shqiptare dhe ishte treguar indiferente ndaj dokumenteve të shkruar të Mesdheut. Në ato dokumente ku që nga fillimet e përdorimit të shkrimit, gjuha shqipe duket se dëshmohet me siguri shkencore. Tani që shkruaj, jam në përfundim të librit mbi shkrimin në Stelën e Lemnos, rezultat i një pune tetëvjeçare, pas botimit të lajmit në librin "Një shqiptar në botën e etruskëve". Profesor Pilika nuk është më. I sigurt se atij me të drejtë nuk do t‘i pëlqente botimi i personalizuar i librit, kam kërkuar mendim kritik në disa universitete të botës, pranë edhe atyre specialistëve që gjithë jetën janë marrë me shkrimin e atij guri.

Reagimi kryesor i kritikës është se askush nuk pranon që të lexohet shkrimi i Stelës së Lemnos me gjuhën shqipe të sotme. Janë 2700 vjet mes shqipes së sotme dhe shkrimit mbi Stelë.

Po kjo kritikë është edhe nga specialistët shqiptarë, megjithëse ata cilësojnë se nuk janë kompetentë për të gjykuar mbi atë shkrim. Në këto kushte, këshilla e prof. Pilikës për të pasur bibël "Studimet Gjuhësore" të prof. Çabejit dha rezultatin pozitiv. Ja se çfarë kuptoi një udhëtar me interesa kulturore (ashtu si thotë prof. Sokol Saliu "me trastën e shqipes në krahë") gjatë studimit edhe një herë të ciklit të ligjëratave të prof. Çabejit, mbajtur në kursin për studentët e shkallës së tretë(Studime Pasuniversitare) në Fakultetin Filozofik të Prishtinës të Universitetit të Kosovës gjatë vitit shkollor 1971-1972: "Te shkrimi i Stelës së Lemnos mund të afrohemi në bazë të studimeve të deritanishme të ligjësive të ndryshimit të gjuhës shqipe në kohë. Gjuha shqipe ka marrëdhënie të paktën prej 3000 vjetësh me greqishten. Ajo mund të japë shpjegime edhe për shumë çështje të etimologjisë të gjuhës greke dhe të shkrimeve paragreke si rasti i shkrimit të Stelës apo shkrimeve të tjera të vjetra të Mesdheut. Ai shkrim bustrofedik i Stelës së Lemnos, pa dhe me scribta continua, me 199 shkronja të alfabetit fenikas dhe 35 togshkronja të ndara nga vetë shkruesi, duhet t‘i nënshtrohet një analize të brendshme të togshkronjave për t‘i kuptuar më mirë ato dhe për të nxjerrë mundësisht fjalët përbërëse. Pastaj bëhet analiza e fjalëve në bazë të njohurive të deritanishme të gjuhësisë së krahasuar, asaj filologjike dhe ligjeve të ndryshimit të shqipes në kohë. Kujdes! Në fund, ju mund të thoni vetëm se çfarë kuptoni në atë shkrim me ndihmën e gjuhës shqipe, ashtu si edhe të tjerë mund të thonë se çfarë kuptojnë ata me gjuhë të tjera. Kjo situatë do të jetë kështu derisa shkrimi dhe fjalët në Stelë do të jenë krahasuar me një gjuhë të lashtë botërisht të njohur". Faleminderit prof. Pilikës për këshillën vath në vesh, si edhe prof. Çabejit për pasurinë e madhe që na ka lënë në ndihmë të udhëtimeve dhe studimeve tona kulturore.

Sa për Stelën e Lemnos, të presim edhe pak dhe ta nxjerrim atë kur ta kemi mbështetur mirë shkencërisht në radhë të parë në Institutin e Gjuhësisë dhe në Akademinë e Shkencave. Këto institucione duhet të mësohen tani të dëgjojnë edhe udhëtarët me interesa kulturore.

Eshtë gjë shumë e bukur nëse jemi seriozë e të përgjegjshëm me dëshmi qoftë edhe hipotetike, por të mbështetura mirë, kaq të largëta të gjuhës sonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›