E Shtunë, 31 Tetor 2026

Receta dashurie

Sot është Shën Valentini, dita perfekte për të shijuar në çift pjatat që ndezin ndjenjat dhe ngrohin zemrat. Të përdorura që nga Antikiteti, ushqimet afrodiziake shërbejnë si stimuluese të funksioneve tona biologjike. Jo më kot, shefat e kuzhinës dhe restoranteve më të mirë anembanë botës, sugjerojnë që këtë mbrëmje të mos mungojnë në tavolinë ushqimet me shumë erëza, ku pjatat kryesore duhet të përfshijnë midhjet, argjinaret, çokollatat dhe sigurisht verën. Është vërtet një lidhje e fortë ajo mes ushqimit dhe seksit. Darka nën dritën e qirinjve e pjatancave të mbushura me ushqime të mrekullueshme janë me të vërtetë një armë e fortë për të bërë për vete dikë në këtë ditë të shënuar për të festuar dashurinë. Është provuar se një femër në katër të tilla "e bën partnerin për vete nëpërmjet ushqimit" natën e Shën Valentinit, duke u përpjekur të rizgjojë dëshirën seksuale. Një mënyrë vërtet efikase, që në fund të fundit të dhuron vetëm kënaqësi. Megjithatë, raporti i ngushtë mes ushqimit dhe seksit nuk ndalet këtu: rreth 46 për qind e grave dhe burrave mendojnë se seksi është zgjidhja më e mirë për të djegur kaloritë e shumta atë ditë. "Të hash ushqime të rënda ndikon në uljen e dëshirës seksuale të femrave", shpjegojnë ekspertët. Kjo vlen edhe për burrat, pasi gjërat e tepërta në tavolinë e ulin ndjeshëm dëshirën për të kryer marrëdhënie. Kuzhina është vendi më i mirë edhe për përkëdheljet e përqafimet, edhe pse gjysma e grave të intervistuara dhe një e katërta e burrave kanë deklaruar se i shkëmbejnë përkëdheljet para se të ulen në tavolinë atë mbrëmje, d.m.th. kur janë akoma duke gatuar. Nga ana tjetër, zbulohet se më shumë se gjysma e meshkujve iu duket seksi mënyra për të parë partneren e tyre të gatuajë dhe më shumë se gjysma mendojnë se po t‘i gatuajnë një ëmbëlsirë më 14 Shkurt, është një strategji e mirë për ta bërë për vete. Aroma e këndshme e ushqimeve është një tjetër veti që i bën meshkujt t‘u shtohet dëshira për seks. Studiuesit kanë matur efektin që aroma e një ushqimi shkakton në rrjedhjen e gjakut në organin gjenital mashkullor dhe panë se ndikimi i saj ishte më i madh ndaj kanellës, vaniljes, kokoshkave dhe luleshtrydheve. Çdo pjatë mund të bëhet erotike nëse shijohet me shumë kënaqësi. Ne të gjithë dëshirojmë që hormonet tona seksuale të na ndihmojnë të kalojmë thuajse çdo ditë net të këndshme dhe kjo mund të arrihet nëse një pjatë me bazë ushqimesh afrodiziake mund të shijohet në një ambient me pak dritë dhe muzikë të lehtë në sfond. Para se të japim disa receta të vlefshme për këtë natë, ju duhet të kujdeseni për vendin ku do të shtroni darkën dhe zgjedhjen e ngjyrave. Ato që stimulojnë më shumë romanticizmin janë e kuqja, trëndafilat dhe ngjyra e qumështit. Kjo e fundit ka një sensualitet në vetvete dhe është e rëndësishme për t‘u përdorur si sfond qetësues, ndoshta për tavolinën dhe karriget. E kuqja mund të përdoret për ndonjë aksesor të veçantë dekorativ mbi të gjitha për lulet (dy trëndafila të kuq në mes të tavolinës janë perfektë), qirinjtë dhe mbulesat e tavolinave. Bëni kujdes edhe me dritat. Përdorni drita të vogla, që krijojnë një atmosferë intime dhe shumë favorizuese për dialogët e dashurisë. Duhet të përdorni enë metalike që favorizojnë kënaqësinë dhe eksitimin. Për këtë qëllim janë të mira edhe gotat dhe objektet e tjera prej kristali. Është mirë që të serviren në mbulesa tavoline ngjyrë qumështi ose të kuqe dhe që të kombinojnë edhe me ngjyrën e karrigeve. Për sa u përket vendeve në tavolinë, vendosja më e mirë është drejt perëndimit, sepse, sipas profecisë së vjetër kineze, stimulon energjinë për kënaqësitë e jetës. Drejt veriut stimulon energjinë lidhur me natën dhe seksin, ndërsa drejt jugut favorizon pasionin dhe shprehjen e emocioneve. Ajo që është më e rëndësishmja është menyja: mos gatuani ushqime të rënda dhe shumë të kripura. Pjatat shumë të "rënda" i bëjnë personat të ndihen të lodhur dhe pak të predispozuar për lojërat e kënaqësitë e ndryshme pas ngrënies. Por mos e ekzagjeroni edhe me ushqimin e lehtë, "pa gjallëri", që të shtyn drejt çlodhjes së madhe dhe humbjes së eksitimit. Servirni verë të kuqe dhe evitoni pijet e ftohta e me akull, sepse vera është një tjetër ushqim që ndikon ndjeshëm në rritjen e dëshirës për të bërë seks. Megjithatë, kujdes nga ekzagjerimet. Sipas specialistëve, shumë verë ul impulsin seksual të meshkujve, shton dëshirën për seks te femrat, por ul mundësinë për t‘u kënaqur. Mjaft sensuale dhe intime janë edhe ushqimet që kërkojnë të hahen me dorë (shumë të mira edhe kuzhinat orientale, si ato japoneze, kineze dhe indiane. Përdorni recetat që kanë argjinare, që ashtu si midhjet janë shumë të mira për femrat nëse meshkujt i konsumojnë ato, sipas një thënieje të vjetër franceze. Nuk është surprizë se vendi që ka shpikur shampanjën ka idenë se ky ushqim mund t‘i japë një shije të ëmbël dashurisë. Deri kohët e fundit, ata e kishin traditë që nuseve t‘u jepnin argjinare në prag të dasmës, si shenjë pjellorie. Argjinaret konsideroheshin si ushqime afrodiziake që në kohët e vjetra. Edhe farat e kungullit, së bashku me arrat dhe bajamet, janë shumë të pasura me aminoacide që rrisin ndjeshëm fluksin e gjakut në organet gjenitale, duke i bërë ato të veprojnë si rozmarinës për të rizgjuar dëshirat seksuale. Për sa i përket Kleopatrës, nuk harronte asnjëherë që të servirte si ëmbëlsirë një përzierje të lehtë bajamesh dhe mjalti.

Recetat

Rizoto me petale trëndafili

Perëndia greke Kloris shndërroi një nimfë në trëndafil dhe ia dhuroi Erosit, Zotit të Dashurisë, që e cilësoi mbretëreshën e luleve. Ky lloj rizoto gatuhet me ujin brenda të cilit janë vendosur petalet e trëndafilit. Rezultati? Aromë e mrekullueshme dhe një pjatë e zbukuruar më së miri

Banane dhe fiq me erëza

E thjeshtë dhe plot shije, përveçse afrodiziake. E prerë në feta, sipër i hidhet një "salcë" e përgatitur me piper të zi, kanellë dhe fara susami

Çokollatë e shkrirë me fruta

Sipas Xhakomo Kazanovës, asgjë nuk është më e mirë se çokollata, "qoftë para, qoftë pas dashurisë". E holluar me pana ose rum, është perfekte për t‘i shtuar copa të vogla frutash të ndryshme

Mish pule me qumësht kokosi

Pjata e preferuar e indianëve. Fuqia e efekteve stimuluese të saj qëndron në përzierjen sekrete të erëzave, mes të cilave xhenxhefil, piper, rigon, shafron

Vera

Mirë është të jetë e kuqe, por sipas Izabel Alende në një libër të saj, më mirë të jetë verë e bardhë e thatë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›