E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria përfundon edhe 170 pyetjet shtesë të Komisionit Evropian

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu: 170 pyetjet e reja së bashku me legjislacionin përkatës janë përcjellë ditë pas ditë në KE


Siç edhe u premtua nga kryeministri Sali Berisha, dorëzimi i pyetjeve shtesë të Pyetësorit për integrimin në BE do realizohej brenda 10 qershorit, Shqipëria i ka dhënë përgjigje edhe 170 pyetjeve shtesë të KE. Lajmin e konfirmoi ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në një konferencë për shtyp, duke theksuar se kthimi i përgjigjeve është bërë ditë pas ditë në formatin elektronik. “170 pyetjet e reja së bashku me legjislacionin përkatës janë përcjellë ditë pas ditë në KE. Kemi përdorur formatin elektronik për kthimin e përgjigjeve”- u shpreh ministrja Bregu. Ministrja e Integrimit Evropian deklaroi se kërkesat për sqarime dhe pyetjet shtesë janë shoqëruar nga misionet e vëzhguese në terren nga Komisioni Europian. “4 misione kane kanë përfunduar vëzhgimin në terren. Dy misione janë në vijim të punës ndërsa tre të tjerë do përfundojnë vëzhgimin në fund të muajit”, saktësoi ajo. Sipas ministres, misionet janë fokusuar tek lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Nuk ka pasur mospërputhje mes realitetit në terren dhe përgjigjeve që ne kemi dhënë në përgjigjet e pyetësorit”, saktësoi ajo. Sipas ministres, që nga 16 dhjetori kur pyetësori erdhi në Shqipëri janë respektuar të gjitha afatet kohore. “Që nga ardhja e pyetësorit deri sot kemi respektuar aftin kohor dhe kemi dëshmuar serozitetin e saj në procesin e plotësimit të detyrimeve për integrimin në BE”, u shpreh ajo. Komisioni Europian dërgoi 170 pyetje shtesë për Shqipërinë pas dorëzimit të pyetësorit nga Kryeministri Sali Berisha. Pyetjet shtesë lidheshin me çështje që kanë të bëjnë kryesisht me Gjykatat, drejtësinë, veprimtarinë e Komisioneve hetimore, etj.


Pyetjet e mediave Keni deklaruar që një nga pyetjet shtesë ka qenë përsa i përket vendimeve të gjykatës kushtetuese për objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare. Si i jeni përgjigjur? Përgjigjet e pyetjeve do të jenë publike për ju dhe të gjithë qytetarët sapo ne të përfshijmë sqarimet shtesë në formatin e përgjithshëm të përgjigjeve dhe ju do të keni mundësinë të shihni sesi i jemi përgjigjur të gjitha pyetjeve, një proces që nuk besoj se do të marrë për administratën më shumë se 10 ditë kohë, për të mos depozituar në mënyrë publike dy dokumenta, një të datës 14 prill dhe një dokument të përgjigjeve shtesë. Ne i jemi përgjigjur ashtu sikurse është realiteti, pyetja ka qenë sesa vendime të Gjykatës Kushtetuese ka patur ku raportohej për një përplasje ndërmjet objektit të hetimit të komisioneve parlamentare dhe ligjeve në përgjithësi dhe realiteti shqiptar bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese na e ofron këtë të dhënë, e cila nuk është aspak e vështirë për t’u identifikuar. Besoj që edhe ju e kuptoni se pyetja e përfshirë si pyetje shtesë lindte edhe nga situata e fundit politike në Shqipëri, kur debati mbi misionin dhe objektin e komisionit hetimor parlamentar është diskutuar gjatë dhe sigurisht ne kemi dhënë përgjigje sikurse e parashikon ligji për komisionet hetimore parlamentare. Sa është objekti i tyre i shqyrtimit, deri ku janë limitet e Komisionit hetimor Parlamentar, ku ai nuk përplaset me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e tjera të gjykatave. A mendoni se mund të ndikojë kriza politike në ndonjë vonesë të mundshme për përgatitjen e Opinionit apo statusin e kandidatit? Në cilësinë e ministres së integrimit jam e detyruar të ndjek dhe të monitoroj çdo ditë zbatimin e detyrimeve që Shqipëria ka në marrëdhënien e saj me Bashkimin Europian. Sigurisht që ne jemi të interesuar që çdo lloj arritje dhe zhvillim në Shqipëri, i cilësuar pozitiv nga ndërkombëtarët, siç ishin zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit të kaluar të shoqërohej me një praktikë po kaq të mirë të situatës dhe të zbatimit e funksionimit, edhe të debatit politik në Shqipëri. Kjo gjë që them nuk është e re, ka pasur një bojkot të tejzgjatur nga ana e opozitës, por fatmirësisht procesi i integrimit të vendit në BE, nuk është një proces që ecën vetëm në bazë të humorit të opozitës apo liderit të PS-së. Ne zbatojmë, raportojmë, përmirësojmë fushat në të cilat ka nevojë për një progres të mëtejshëm, dhe jemi të bindur që po bëjmë maksimalisht atë çka duhet. Pjesa e kriterit politik është një pjesë e cila besoj se, edhe në këtë moment që flasim, ka një qartësi më të madhe nga sa mund të ishte muaj më parë dhe e rëndësishme është që ky nuk është vetëm një proces meritash. Askush nuk i heq meritën as qeverisë, as politikës, asnjë individi apo politikani në veçanti, sikurse askush nuk mund të mos i njohë përgjegjësinë për bllokim apo tentativa për të bllokuar procesin e integrimit atyre politikanëve që kanë dëshmuar papërgjegjshmëri. Si e bëjnë ekspertët verifikimin në terren të përgjigjeve që kanë marrë nga institucionet shtetërore? Misionet janë ndarë dhe janë planifikuar nga Komisioni Europian. Misionet e para kanë qenë për kriterin ekonomik, ka patur misione që kanë bërë vizita në terren edhe në biznese shqiptare për të parë përputhjen mes përgjigjeve sesi funksionon sistemi tatimor në Shqipëri, i akcizave, ruajtjen apo depozitimin e mallrave të caktuara. Gjatë 4 misioneve të para ka patur vizita në pika doganore, në parlament, për të parë mënyrën e funksionimit të komisioneve parlamentare, sesi ato bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Misionet që po operojnë këto ditë në terren, janë misione që janë përqëndruar kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe kanë pasur takime me strukturat në Shqipëri, nisur nga policia e shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, gjykatat dhe misionet e tjera që vijnë në fund të muajit. E rëndësishme është që pritshmëria ose ajo që kemi realizuar deri më sot është fakti që nuk ka patur mospërputhje ndërmjet raportimit tonë në përgjigjet e pyetjeve të Komisionit Europian dhe realitetit të cilin misionet e kanë gjetur në terren, madje besoj që është një praktikë shumë e mirë e aplikuar nga KE, sepse përforcon dhe jep mundësi që ky realitet të prezantohet siç është tek ata që merren përditë me këtë çështje. Mund t’ju them që misionet nuk janë të përbërë nga ekspertë të KE, KE kontrakton ekspertë nga vendet anëtare por që nuk kanë domosdoshmërisht lidhje me procesin, pra janë njerëz që në njohuritë e tyre për Shqipërinë janë shumë më të ftohtë sesa punonjësit e KE që e njohin realitetin e zhvillimit të vendit, gjë që do të thotë që vlerësimet e tyre, apo nëse ka nevojë për komente apo kriticizëm, janë shumë të mirëpritura, sepse janë shumë më fiktive.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›