Në mars Konferencë e donatorëve për Haitin
SHBA-ja do të jetë nikoqire e Konferencës së donatorëve ndërkombëtarë për Haitin, e cila do të zhvillohet në mars, në selinë e OKB-së në New York.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, deklaroi në fund të Konferencës njëditore në Montreal, e cila gjithashtu ju kushtua Haitit, se është folur për parimet e përgjithshme, të cilat duhet të zbatohen gjatë organizimit të ndihmave ndërkombëtare për Haitin.
“Jemi pajtuar për parimet kryesore, nga të cilat do të drejtohemi, siç është roli kryesues i qeverisë së Haitit dhe bashkëpunimi i ngushtë në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Clinton.
Ajo theksoi se SHBA-ja synon të mbështetë qeverinë e Haitit, e cila ka dëshmuar aftësi për të kryesuar në rrethana shumë të vështira dhe që të sigurojë ndihmë, që rindërtimi i vendit pas tërmetit katastrofal të kryesohet nga vetë banorët e Haitit.
Edhe Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, nënvizoi se synimi i ndihmave ndërkombëtare nuk është “okupimi i Haitit”.
Si pasojë e tërmetit me fuqi prej 7.0 shkallë të Rihterit, i cili goditi Haitin më 12 janar, kanë vdekur së paku 150 mijë njerëz.