Obama synon të ndihmojë klasën e mesme

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka paralajmëruar një pako të masave, për të ndihmuar familjet e klasës së mesme, të cilat sipas vlerësimeve kanë mbajtur barrën më të rëndë të krizës financiare.
“Klasa e mesme ka tashmë ca kohë që po goditet. Ne duhet ta ndalim këtë trend dhe të garantojmë siguri për klasën e mesme”, tha Obama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me zëvendëspresidentin, Joe Biden, me ç’rast ai zbuloi edhe disa fragmente të fjalimit të tij drejtuar kombit, të cilin do ta mbajë nesër.
Pasi që shkalla e papunësisë në SHBA është ngritur në 10 për qind, pritet që Obama të kumtoi lehtësime të caktuara tatimore, në veçanti për prindërit e fëmijëve të mitur dhe të studentëve, si dhe për personat më të moshuar dhe për ata që gjenden para pensionit.
Obama theksoi se hapja e vendeve të reja të punës dhe zvogëlimi i nivelit të papunësisë janë gjërat kryesore që duhet të bëhen, për të këndellur klasën e mesme.
Mediet amerikane kanë theksuar se fjalimi i Obamës drejtuar kombit vjen në një moment mjaft të ndjeshëm politik për demokratët e tij, të cilët pas humbjes që pësuan në zgjedhjet në Massachussetts, humbën edhe shumicën në senat.