E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne mbledhjen e sotme Keshilli i Ministrave i Republikes se Shqiperise miratoi Aktin Normativ "Për pjesëmarrjen e një force ushtarake Shqiptare në Rajonin e Gjirit Persik në kuadër të koalici

Ne mbledhjen e sotme Keshilli i Ministrave i Republikes se Shqiperise miratoi Aktin Normativ "Për pjesëmarrjen e një force ushtarake Shqiptare në Rajonin e Gjirit Persik në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit".

Në Aktin Normativ thuhet se Republika e Shqipërisë vë në dispozicion të Forcave të Koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit hapësirën tokësore, detare dhe ajrore si dhe krijon lehtësira stërvitore. Pjesëmarrja me nje kompani komando të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë në Rajonin e Gjirit Persik bëhet në kuadër të operacioneve në mbështetje të paqes dhe është në mbështetje të plotë me angazhimet e deritanishme të shtetit shqiptar në luftën kundër terrorizmit global. Ky vendim vjen pas miratimit të rezolutës nga ana e Kuvendit të Shqipërisë më datë 3 mars 2003.

Në fjalën e tij ne mbledhjen e sotme, Kryeministri Fatos Nano theksoi:

Në mbledhjen e sotme do të diskutojmë dhe miratojmë projekt aktin normativ e paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë në lidhje me dërgimin e një force ushtarake shqiptare në Rajonin e Gjirit Persik për mbrojtjen e paqes.

Ky projekt akt është rrjedhojë logjike e qëndrimeve të vazhdueshme që ka mbajtur qeveria jonë dhe Kryeministri qysh në fillim në lidhje me situatën e krijuar në botë pas akteve terroriste të 11 shtatorit. Nga ana tjetër ky projekt akt vjen në mbështetje të Kushtetutës së Republikës dhe rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, e cila u miratua me 100 perqind të votave në seancën plenare të datës 3 mars 2003. Republika e Shqipërisë u rreshtua qysh në fillim dhe pa mëdyshje në krahun e shteteve që mbajtën një qëndrim të prerë ndaj terrorizmit ndërkombëtar dhe ka dëshmuar me prova konkrete pjesëmarrjen e saj në këtë koalicion. Vendimarrja jonë nuk është as emocionale, as impulsive, por ka ardhur si rezultat i një analize të thelluar e të gjithanëshme të provave të ofruara nga aleatët tanë, të interesave tona kombëtare për integrim dhe mundësive tona reale. Trupat tona ushtarake, edhe pse të vogla në numër, tashmë kanë krijuar një emër të respektuar në misionet paqeruajtëse dhe paqendërtuese në Bosnjë-Hercegovinë dhe së fundi në Afganistan. Ne tashmë jemi bërë de facto antarë të koalicionit të vullnetit progresist për paqe globale. Të gjitha këto veprime janë pjesë e pandarë e realizimeve tona integruese dhe provë e shndërrimeve të padiskutueshme që ka realizuar qeverisja socialiste gjatë pesë viteve të fundit. Më lejoni të përsëris se ne bëmë shndërrimin e madh të Shqipërisë e cila nga një vend që konsumonte sigurinë e të tjerëve dhe asistohej prej tyre, tashmë është një vend që gjeneron siguri, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Të ashtuquajturave analiza spekulative sipas së cilave ky qëndrim mund të konsiderohet si një qëndrim antieuropian, ne u jemi përgjigjur qartë dhe pa lënë shteg abuzimi se ne i konsiderojmë SHBA dhe Bashkimin Europian jo si institucione kundërshtare, por si dy institucione mike dhe të pandara me kontirbute të përbashkëta në progresin e demokracisë dhe sigurisë në botë. Qëndrimet e ndryshme në lidhje me një cështje të caktuar janë vetëm pjesë e debatit politik dhe provë e lirisë së zgjedhjes.

Situata në të cilën Republika e Shqipërisë po jep kontributin e vet konkret kërkon nga ana tjetër që ne të tregojmë më shumë vëmendje ndaj nevojës për rritjen e aftësisë mbrojtëse të vendit, forcimin e vazhdueshëm të sigurisë, cka mund të realizohet vetëm me fuqizimin e pandërprerë të institucioneve demokratike në Shqipëri".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›