E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, fillimisht Kryeministri Berisha ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë të marrin pjesë, nesër, në zgjedhjet për qeverisjen vendore. Në fjalë

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, fillimisht Kryeministri Berisha ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë të marrin pjesë, nesër, në zgjedhjet për qeverisjen vendore. Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:

"Shfrytëzoj këtë mbledhje, për t'u bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë në këto zgjedhje.Çdo votë e tyre është një dhuratë e vërtetë për veten e tyre, familjen e tyre, vendin e tyre.Çdo votë e tyre, nesër, e lirë dhe e ndershme, është një thirrje, është një kontribut për konsolidimin e demokracisë shqiptare, për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe NATO, me vendet partnere dhe aleate.Çdo votë e tyre është një kontribut thelbësor që ata japin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sikundër, dua t'i siguroj qytetarët se, qeveria ka vullnetin e plotë dhe total të respektojë plotësisht votën e tyre, ta nderojë atë. Ndaj dhe dua të theksoj se për qeverinë dhe spektrin që ajo përfaqëson, çdo përpjekje, sado e vogël, për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në procesin zgjedhor, për të cënuar votën e lirë dhe të ndershme, është absolutisht e dënueshme.

Ftoj të gjithë qytetarët, në mënyrë të veçantë komisionerët, të cilët, nesër, kanë në dorë trajtimin dhe administrimin e të drejtës së parë të një shoqërie demokratike të qytetarëve, të drejtës së votës, të dëshmojnë veten e tyre në lartësinë e duhur.

Unë kam shumë besim se këto zgjedhje të lira dhe të ndershme janë procesi që pret çdo shqiptar, që pret e tërë Shqipëria, që presin 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian, me të cilat ne kemi një kontratë historike, kontratën e Stabilizim Asociimit. Zgjedhje të lira dhe të ndershme është ajo që presin vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, partnerë të Shqipërisë, të cilët në mirëbesim, nisën mesazhin e Rigës drejt shqiptarëve, duke besuar se ky vend do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka asnjë të humbur, në kuptimin thelbësor. Ka vetëm të fituar. Fiton çdo qytetar shqiptar, fiton çdo forcë politike, fiton i gjithë vendi. Unë kam besim të plotë në maturinë demokratike dhe politike të qytetarëve shqiptarë. Fushata tani ka marrë fund, ajo i përket të shkuarës, ndërsa dita e nesërme është dita e verdiktit të qytetarëve, verdikt të cilin duhet ta respektojmë në mënyrën më të përkushtuar dhe më serioze"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›