Sot paradite, Kryeministri Berisha priti në një takim Ekipin e vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, i kryesuar nga Zoti Jean – Claude Frecon.

Sot paradite, Kryeministri Berisha priti në një takim Ekipin e vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, i kryesuar nga Zoti Jean – Claude Frecon.
Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha i shprehu Ekipit Vëzhgues të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KE-së vendosmërinë dhe masat e marra nga qeveria për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Kryeministri u shpreh se është shumë i kënaqur që Kongresi i Autoriteteve Lokale të KE-së është angazhuar me këtë nivel të lartë vëzhguesish, të cilët, së bashku me vëzhgues nga organizata të tjera ndërkombëtare dhe vëzhguesit e përcaktuar nga partitë politike shqiptare, do të vlerësojnë zgjedhjet lokale në Shqipëri.
Kryeministri bëri një prezantim të ecurisë së fushatës elektorale, e cila po zhvillohet në kushte normale, si dhe i njohu me kuadrin institucional dhe ligjor, pas amendamenteve si rezultat i marrëveshjes së 13 janarit. Kryeministri shprehu gadishmërinë e qeverisë shqiptare për të krijuar të gjitha lehtësitë dhe për të mbështetur plotësisht vëzhguesit ndërkombëtar në përmbushjen e misionit të tyre.
Kryetari i Ekipit të vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KE-së, Zoti Frecon, vlerësoi faktin që zgjedhjet në Shqipëri po zhvillohen në respektim të afateve kushtetuese dhe u shpreh se Këshilli i Europës vlerëson përpjekjet që ka bërë Shqipëria javët e fundit për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Duke përfituar nga rasti, Ekipi i vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KE-së vlerësoi faktin që mandati i qeveritarëve vendorë në Shqipëri u zgjat nga 3 vjet, në 4 vjet. Gjithashtu, ata vlerësuan angazhimin dhe masat e qeverisë për thellimin e procesit të decentralizimit, në veçanti, dyfishimin e financimit të buxhetit të qeverisjes vendore.
Nga ana e tij, Kryeministri shprehu besimin e plotë se zgjedhjet e 18 shkurtit do të plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa theksoi se vlerësimi final për këtë u takon vëzhguesve ndërkombëtar.