Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u morën në shqyrtim dhe u miratuan një sërë vendimesh: V E N D I M PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2006, MIRATUAR PËR MI
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u morën në shqyrtim dhe u miratuan një sërë vendimesh:
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2006, MIRATUAR PËR MINISTRINË E TURIZMIT, KULTURËS, RINISË
DHE SPORTEVE PËR REALIZIMIN E
STUDIM-PROJEKTIMIT TË QENDRËS NDËRKOMBËTARE TË KULTURËS "ARBNORI" DHE KTHIMIN E SAJ NË TEATËR KOMBËTAR DHE GALERI KOMBËTARE TË ARTEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21 e 27, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, "Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit në Republikën e Shqipërisë", dhe të nenit 12, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006", me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2006, zëri "Studim-projektim", artikulli 230, t'i shtohet fondi prej 13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekësh, për realizimin, me tender të hapur ndërkombëtar, të studim-projektimit të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës "Arbnori" dhe kthimin e saj në Teatër Kombëtar dhe Galeri Kombëtare të Arteve.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
3. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË POLONISË, PËR BASHKËPUNIMIN EKONOMIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare", me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Polonisë, për bashkëpunimin ekonomik.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
SHKRIRJEN E DREJTORISË SË INFORMACIONIT AGROUSHQIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave", me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shkrirjen e Drejtorisë së Informacionit Agroushqimor (Shtëpia e Propagandës Bujqësore), në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
2. Arkivi i filmit dhe atij dokumentar të depozitohen pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
3. Dorëzimi dhe marrja në dorëzim e mjeteve, në përdorim të Drejtorisë së Informacionit Agroushqimor (DIA), në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të bëhen sipas bilancit kontabël në datën e dorëzimit dhe të marrjes në dorëzim. Afatet e dorëzimit dhe të marrjes në dorëzim caktohen me urdhër të ministrit.
4. Efektet financiare të përballohen nga buxheti i vitit 2006, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
5. Shkronja "b", e pikës 2, e vendimit nr.28, datë 19.2.1970, të Këshillit të Ministrave, shfuqizohet.
6. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I NËNSTACIONIT 220/110/35/20 KV, KOPLIK, MALËSI E MADHE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, " Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik", me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i nënstacionit 220/110/35/20 kV, Koplik, Malësi e Madhe, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të KESH, sha-së.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 21 834 m2, tokë bujqësore arë, vlerësuar në shumën e përgjithshme prej 18 558 900 (tetëmbëdhjetë milionë e pesëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind ) lekësh.
4. Ky fond të përballohet nga fondet e KESH, sha-së, zëri "Kosto vendore për shpronësimet".
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të shpronësimit të jetë në shumën 236 000 (dyqind e tridhjetë e gjashtë mijë) lekë dhe të përballohet nga KESH, sha-ja, si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.
6. Shpronësimi të fillojë brenda muajit nëntor 2006 dhe të përfundojë brenda muajit dhjetor 2006.
7. Punimet për ndërtimin e këtij nënstacioni të fillojnë brenda muajit nëntor 2006 dhe të përfundojnë brenda vitit 2007.
8. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe KESH, sha-ja, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren zyrtare".
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
FILLIMIN E PROCEDURAVE PËR MBYLLJEN E KONTRATËS SË KONCESIONIT, PËR NDËRMARRJEN E UJËSJELLËS-KANALIZIMEVE, ELBASAN, DHE LEJIMIN E MINISTRISË SË EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS TË BLEJË 100 PËR QIND TË AKSIONEVE TË SHOQËRISË "BERLINWASSER INTERNATIONAL, GmbH", NË "ELBER", SHPK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, "Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare", të ndryshuar, të ligjit nr.7973, datë 26.7.1995, "Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë", dhe të ligjit nr.8783, datë 7.5.2001, "Për miratimin e marrëveshjes së koncesionit, të formës "Bot", ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, bashkisë së qytetit të Elbasanit dhe Berlinwasser International, GmbH, për ndërmarrjen e ujësjellësit dhe ujë-kanalizimeve, Elbasan, si dhe dhënien e disa stimujve dhe garancive për koncesionarin e kësaj marrëveshjeje", me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Fillimin e procedurave për mbylljen e kontratës së koncesionit, të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, bashkisë së qytetit të Elbasanit dhe shoqërisë "Berlinwasser International, GmbH", për ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve, Elbasan.
2. Lejimin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të blejë 100 për qind të aksioneve të shoqërisë "Berlinwasser International, GmbH", në "Elber", shpk, (ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve, të qytetit të Elbasanit), me vlerë 10 000 (dhjetë mijë) lekë.
3. Fondi për blerjen e këtyre aksioneve të përballohet nga buxheti i vitit 2006, zëri "Shpenzime operative", miratuar për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
4. Ngritjen e grupit të punës, me përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, për negociimin, me shoqërinë "Berlinwasser International, GmbH", të kushteve, teknike e juridike, të kontratës së shit-blerjes së këtyre aksioneve.
5. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për përgatitjen e ndryshimeve të nevojshme tekniko-juridike dhe të autorizimeve përkatëse për realizimin e procedurave.
6. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STUDIMIT "PËR MUNDËSINË E NDËRTIMIT TË TERMINALEVE TË GAZIT NATYROR TË LËNGËZUAR (GNL) DHE TË INFRASTRUKTURËS PËRKATËSE, NË BREGDETIN E QARKUT TË FIERIT"
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e studimit "Për mundësinë e ndërtimit të terminaleve të gazit natyror të lëngëzuar (GNL) dhe të infrastrukturës përkatëse, në bregdetin e qarkut të Fierit", që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Për zonat e përcaktuara në studim, për ndërtimin e terminaleve të gazit natyror të lëngëzuar (GNL), Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me organet përkatëse të njësive të qeverisjes vendore, të përgatisin masterplanin për terminalet dhe për infrastrukturën përkatëse, tokësore dhe detare. Për hapësirat e paraqitura në studim të fillojnë procedurat ligjore për shqyrtimin e tyre edhe në zbatim të ligjit nr.8405, datë 17.9.1998, "Për urbanistikën", të ndryshuar, dhe të ligjit nr.8093, datë 21.3.1996, "Për rezervat ujore", të ndryshuar.
Paraqitja e masterplanit për shqyrtim në KRRTRSH, të bëhet brenda datës 20.12.2006.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.622, DATË 12.11.2001, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, « PËR PËRCAKTIMIN E ZONAVE, KU MUND TË HAPEN KAZINO », TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 13, të ligjit nr.8701, datë 1.12.2000, « Për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet », të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Në vendimin nr.622, datë 12.11.2001, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime:
1. Kudo në vendim emërtimi « Ministria e Financave » zëvendësohet me «Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ».
2. Kudo në vendim emërtimi « Ministria e Rendit Publik » zëvendësohet me « Ministria e Brendshme ».
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në « Fletoren zyrtare ».
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA