E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët në Greqi, afat deri në 31 maj

GJIROKASTËR- Tragjedia e Gërdecit hap më shpejt kufijtë me shtetin grek. Ndërsa ishte parashikuar që lëvizja e lirë e të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë legalisht në Greqi, të fillonte prej datës 1 prill deri më 31 maj, shpërthimet në Gërdec bënë që Ministria e Brendshme Greke të ndryshonte afatin. Lëvizjet në pikën më të madhe tokësore në vend, atë të Kakavijës, vazhdojnë të jenë të ulëta, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër ka marrë të gjitha masat për përballimin me sukses të fluksit. "Në të gjitha pikat e kalimit kufitar që mbulon kjo drejtori, do të shtohen efektiva me qëllim shtimin e sporteleve për t'u krijuar lehtësirat ligjore emigrantëve që do të vijnë në Shqipëri. Është hartuar një plan masash të përbashkët me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër për të bërë të mundur parandalimin e ndonjë ngjarjeje kriminale në ambientet e këtyre pikave të kalimit, por edhe në akset rrugore, parandalimin e aksidenteve rrugore, goditjen e elementëve trafikantë të cilët mund të përfitojnë nga fluksi i emigrantëve", është shprehur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Gjithashtu në fokus të veprimtarisë policore përgjatë gjithë kësaj kohe do të vazhdojë të jetë goditja e veprimtarive kriminale dhe trafiqeve dhe në këtë kuadër në bashkëpunim me drejtoritë e policive të Janinës dhe Epirit është hartuar plani i masave për zhvillimin e operacioneve të përbashkëta me afat të shkurtër kohor "për të parandaluar dhe goditur veprimtarinë e mundshme kriminale, trafikimin e lëndëve narkotike, qenieve njerëzore që mund të zhvillohen nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin Grek". Ndërkaq, për të parandaluar rastet e mundshme të abuzimit të punonjësve të policisë në këto pika kalimi, por edhe në akset rrugore Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe MigracionitGjirokastër, Vasil Valera dhe Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër Hysni Burgaj kanë vendosur në dispozicion të emigrantëve dhe të gjithë qytetarëve numrin e tyre të celularit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›