Në ofanzivë ndaj islandezëve

Katër ditët e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme për fatin e Shqipërisë në kualifikimet për Botërorin 2014. Kuqezinjtë do t’i zhvillojnë dy ndeshje në shtëpi, ndaj Islandës dhe Sllovenisë, ku synojnë të dalin mirë, për të shpresuar në një mrekulli. Selektori Gianni De Biasi kërkon angazhim të madh nga lojtarët e tij, sigurisht edhe fitore, në përballjen e sontme (fillon në ora 19:00) dhe në atë të së martës.
“Sa u takon pritjeve në dy kualifikueset e radhës, duam t’i marrim 6 pikët e plota. Të gjithë besojmë se kjo është e mundshme, por duke qenë se jemi Shqipëria dhe nuk jemi as Reali i Madridit, as Spanja, nuk mund ta quajmë të sigurt. Suksesi do të varet nga shumë gjëra. E para nga kundërshtari, Islanda, që është më mirë taktikisht se ne, tepër e rrezikshme, por pavarësisht këtyre faktorëve, mund t’ia dalim”, ka thënë trajneri italian në konferencë për shtyp.
Ai nuk ka dashur ta zbulojë dhe as të flasë detajisht për formacionin, me të cilin do të luajë ndaj islandezëve, por ka nënvizuar qartësisht se Shqipëria do ta sulmojë kundërshtarin.
Cana: Në fushën tonë, mund ta mundim këdo
Në krah të tij, kapiteni Lorik Cana është shfaqur edhe më i përmbajtur sesa trajneri. Për futbollistin e Lazios, në këto dy ndeshje mund të ndodhë gjithçka. Sidoqoftë, futbollisti gjakovar nuk harron të sjellë në vëmendje forcën e Kuqezinjve kur luajnë në shtëpi, ndërsa ka kërkuar edhe ndihmën e tifozëve.
“Të paktën në fushën tonë, në këto eliminatore mund ta mundim këdo. Por, le ta fillojmë me sukses këtë gjë nga Islanda, pastaj të mendojmë edhe për Slloveninë”, ka thënë mes të tjerash kapiteni i Kombëtares shqiptare.