E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në pension pas qershorit, minimalisht 93 mijë lekë

29/04/2005  Sa herë përmirësohet formula e llogaritjes, duhen indeksuar pensionet e mëparshme

Kush do të dalë në pension nga qershori dhe në vitet në vazhdim, do të krijojë një tjetër diferencë me ata që kanë dalë aktualisht në pension

Kush do të dalë në pension pas qershorit të këtij viti, do të fitojë minimalisht një pension 93 mijë lekë. Pensionistët e vitit 2005 e më pas, do të kenë një diferencë të theksuar me ata që kanë dalë në pension aktualisht. Specialisti i pagave dhe i pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, shpjegon se projektvendimi mbi ngushtimin e diferencave mes atyre që kanë dalë në pension para vitit 1993 dhe pas këtij viti, është ende duke u paraqitur për t’u miratuar në ministritë përkatëse, në atë të Drjetësisë e Financave, dhe më pas do të paraqitet për miratim në Qeveri. Ky vendim ngushton diferencat deri në 97.6 për qind. Megjithatë, ata që do të dalin në pension pas qershorit, pas hyrjes në fuqi të ligjit të pensioneve, me llogaritjen e re të pensioneve do të krijojnë diferenca të dukshme me ata që kanë dalë në pension aktualisht. Kështu, që disa vite më pas, edhe kjo diferencë do të ngushtohet. Pra, diferencat e pensioneve nga viti në vit, teorikisht asnjëherë nuk do të shuhen.

Pas qershorit, pensioni minimal 9.300 lekë

Specialisti i ministrisë shpjegon se deri në vitin 1993 paga neto nuk është indeksuar. Me ligjin e ri, të gjitha pagat e marra nga personi do të indeksohen për të llogaritur pensionin e tij. Kështu që asnjë person që do të dalë në pension pas qershorit të këtij viti, nuk do të ketë pension më pak se 93 mijë lekë. Rrjedhimisht do të krijohet një grup i ri pensionistësh, që do të kenë një diferencë të theksuar në pension me ata që kanë dalë para vitit 2005.

Si u krijuan diferencat

Deri në qershor të vitit 1993, njerëzit dilnin në pension me ligjin e vitit 1966, sipas të cilit pensioni nuk mund të ishte më tepër se 70 për qind e pagës. Ndërsa me ligjin e vitit 1993, pensioni nuk duhet të ishte më tepër se 75 për qind e pagës.

Pas vitit 1993 janë bërë 17 rritje pensionesh. Kanë qenë rritje të diferencuara. Më tepër për pensionet e ulëta dhe më pak rritje për pensionet e larta. Arriti një moment që diferencat u bënë shumë të dukshme. Kështu që në vitin 2000 u bë një studim për të ngushuar diferencat dhe u llogarit që pensioni maksimal para viteve ‘93 ishte 53 mijë lekë, ndërsa për ata që dilnin pas vitit 1993 arrinte në 83 mijë lekë. Për të eliminuar diferencat duheshin fonde.

Faza e parë

Në fazën e parë përfituan 103 mijë vetë, që u ndërmor në prill të vitit 2000. U arrit rritje me 76 për qind deri 80 për qind e masës së pensioneve.

Faza e dytë

Faza e dytë e rritjes u bë më shtator të 2000-shit dhe nga kjo përfituan rritje pensionet e parakohshme.

Faza e tretë

Faza e tretë u ndërmor në tetor 2002 për të eliminuar diferencat e krijuara më parë, pikërisht të atyre që kishin dalë në pension nga viti 1993 deri më ’96. Vërtet ligji hyri në fuqi në nëntor të vitit 1993 dhe mënyra e llogaritjes së pensionit bëhej në bazë të bazës së vlerësuar, por nuk ishte nxjerrë se cila ishte baza e vlerësuar. Kështu që pensioni dilte sa 75 për qind e pagës, por vazhdonte të llogaritej me metodën e vjetër.

Faza e katërt

Faza e katërt e ngushtimeve të diferencave u krye në dhjetor të vitit 2003, ku përfituan të gjitha kategoritë që

kishin përfituar nga masat e mëparshme, por u shtuan dhe invalidët.

Faza e fundit

Në këtë fazë, që është indeksimi që pritet të bëhet më 1 maj, do të indeksohen, pra do të rriten pensionet e të gjithë atyre që kanë dalë në pension para vitit 1993, duke iu indeksuar pagat e marra, sipas rritjes së inflacionit ndër vite. Ndërkohë që nuk do të indeksohen pensionet e atyre që kanë dalë në pension nga 01.10.1993 deri më 01.12.1996 dhe të një kategorie tjetër, ata që kanë dalë në pension nga viti 2000 deri në vitin 2001.

Por diferencat nuk u ngushtuan ndjeshëm, pasi pensionet u indeksuan së bashku me kompensimin.

Në vitin 1995, të gjithë pensionistët përfituan një kompensim prej 493 mijë lekë. Ky kompensim është indeksuar së bashku me pensionin bazë. Kështu pensioni minimal është 6.672 plus 494 dhe del 7.296, ndërsa pensioni maksimal duke e hequr kompensimin është 13.500 lekë, por duke u indeksuar së bashku me kompensimin, këta fitojnë një rritje dy herë më të madhe sesa pensionistët me pension minimal, ndërkohë që kompensimi është i njëjtë për të gjithë dhe nuk duhet kompensuar.

Si llogaritet pensioni

Aktualisht pensioni do të llogaritet në bazë të pensionit bazë 72 mijë lekë, që mund të quhet dhe minimumi jetik për të jetuar plus shtesa që llogaritet 1 për qind për çdo vit sigurimi.

Shembull

Një mësues që del në pension pas 25 vite punë dhe merr një pension prej 9.7 mijë lekë.

Ndërsa me ligjin e ri dhe mënyrën e re të llogaritjes, një mësues me 35 vjet punë, fiton 34 për qind pension më tepër.

Kontributi i fermerëve, Qeveria

jep 4 miliardë lekë në vit

Për të kompensuar kontributin e banorëve të fshatrave, qeveria i jep Institutit të Sigurimeve Shëndetësore 4 miliardë lekë çdo vit. Pensioni i një banori të fshatit do të llogaritet që këtej e tutje njësoj si ata të qytetit, pensioni bazë 3 mijë lekë plus 1 për qind për çdo vit kontribut. Por, banorët e fshatrave, që kur ju dha tokë, quhen të vetëpunësuar dhe duhet t’i derdhin vetë kontributet, pavarësisht se nuk derdhin gjë. Vitin e kaluar u vendos që një banor në fshat të derdhë në institut 18 mijë lekë të reja dhe u hoq kamat-vonesa për ata që nuk kishin derdhur siguracione. Në këtë mënyrë, banorët e fshatrave gati po futen me “zor” në skemën e sigurimeve. Duke qenë se 18 mijë lekëshi është sa 5 përqindëshi i kontributit të një të punësuari në qytet, shteti kompenson pjesën tjetër, duke derdhur 4 miliardë lekë çdo vit në ISKSH. Lekë me të cilat paguhen pensionet e fshatarëve që janë në pension. Kështu që skema e sigurimeve bëhet 1 i siguruar për një pensionist. Duhen 7 vjet deri në 2012-ën, që banorët e fshatrave të futen në skemën e sigurimeve, si ata të qytetit, në mënyrë që të barazohen dhe pensionet. Për një pesëvjeçar, pensionet e qytetit do të barazohen me ato të fshatit.

49.2 miliardë lekë

ose 50 për qind rritje fondi i pensioneve të qytetit. Pas vitit 2001 deri tani, fondi ishte 33 miliardë lekë

8 miliardë lekë

ose 100 për qind rritje fondi i pensioneve të qytetit

2 miliardë lekë

për secilën nga katër fazat e ngushtimit të diferencave mes pensioneve

215 milionë lekë

pensionet e invalidëve të punës

1 miliard lekë

fondi i shtesës për ata që kanë statusin e veteranit

350 milionë lekë

fondi shtesë për ata që janë familje dëshmori

40 milionë lekë

pensione të posaçme për rreth 300 veta, artistë dhe shkencëtarë

1.5 milionë lekë

pensione suplementare për ushtarakun

450 milionë lekë

për minatorët

120 milionë lekë

ish-punëtorët e ndërmarrjeve ushtarake

34 milionë lekë

fondi për pensionet e ish-pilotëve

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›