E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miss Franca "shkurorëzohet" 6 muaj për "amoralitet"

29/04/2005  Sanksionet nuk ishin shumë të forta. Vetëm 6 muaj shkurorëzim për "amoralitetin" e Laetitia Bléger, Miss Franca 2004, e cila pozoi nudo për kopertinën e revistës së mirënjohur "Playboy", botimi francez. Pezullimi e Bleger është bërë i ditur nga shoqata "Miss France", një filial i "Endemol-France", nëpërmjet një komunikate për shtyp. Shoqata "Miss France", në mirëkuptim të plotë me komitetin organizativ, "vendosi që të mos shkurorëzojë përfundimisht Laetitita Bléger, dhe as t'i kërkojë asaj kthimin e dhuratave", ashtu sikundër e parashikon kontrata e nënshkruar midis miss-eve dhe organizatorëve të aktivitetit, ka saktësur komiteti organizator, duke shtuar se kjo masë është marrë pasi ajo u prezantua në kopertinën e "Palyboy", si edhe në faqet e brendshme të saj, në një kohë kur me këtë veprim "Laetitia Bléger ka thyer rregulloren si edhe marrëveshjen e firmosur midis saj dhe shoqatës organizatore, ku i ndalohet miss-it kombëtar të fotografohet tërësisht apo edhe pjesërisht nudo, veprim i cili shkakton shkurorëzimin e menjëhershëm të saj, si edhe marrjen e të gjitha dhuratave dhe privilegjeve që ajo gëzon, si një miss kombëtar", nuk ka harruar të theksojë komunikata për shtyp, por pa dhënë shpjegim të qartë, se përse në këtë rast u operua vetëm me sanksione të pjesshme. Laetitia Bléger, një ish-stjuardesë, ish-miss Alsaza, u zgjodh Miss Franca, në dhjetor të vitit 2003, do të duhet t'i dorëzojë kurorën dhe spektrin e saj sot, Lucie Degletagne, Miss Bourgonja, e cila do të jetë Miss Franca 2004, për një "mandat" gjashtë mujor. Por nuk është rasti i parë që ndodhin shkurorëzime të tilla. Isabelle Turpeaut, Miss Franca 1983, pas një pozimi tepër joshës në faqet e revistës sportive "Paris Match", por edhe aktorja dhe këngëtarja amerikane Vanessa Williams, e para vajzë zezake që mori kurorën e Miss Amerika, në vitin 1983, u detyrua të "japë dorëheqjen" nga posti i saj, vetëm dy muaj para përfundimit të "mbretërimit" të saj, pas zbulimit të faktit, se para se të fitonte titullin, në një moshë ende të njomë, kishte pozuar në forma tepër "joshëse" për një tjetër revistë me botime ndërkombëtare "Penthouse". Miss Franca aktuale është Cindy Fabre, e cila u shpall fituese më 5 dhjetor 2004. Le të shpresojmë se Fabre, nuk do të shkelë rregulloren apo marrëveshjet e firmosuara me shoqatën respektive, pasi sikundër deklarojnë organizatorët, koha e "faljeve" ka përfunduar dhe sanksionet do të jenë të "pamëshirshme".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›