Pabesia e Edvinit ndaj ndërkombëtarëve
Një sy qorr për reformat, por asnjë votë dhe karton jeshil për ligjet me 3/5 sa për ti hedhur hi syve Brukselit. Kështu u deklarua kreut i PS-së, Edi Rama, gjatë një predikimi për mediat, ku ka sqaruar pozicionin e grupit parlamentar pas takimin me dy ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Italisë. Kësaj radhe kishim nderin që kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama ta shikonim me zë dhe figurë në të gjitha edicionet kryesore të lajmeve. Ky ishte lajmi. Çdo gjë tjetër, si për shembull që opozita është alternativë për integrimin e Shqipërisë në BE – ishte jo serioze. Sepse serioze nuk është edhe aq Opozita socialiste që konsumoi energji për më shumë se dy vjet një kauzë të pasinqertë dhe absurde. Pretendimi se Edi Rama ka ndryshuar në mendësi është i vështirë për t’u pranuar. Kush kupton pak nga gramatika politika kupton se Rama është i detyruar të zbutet deri palcë, pasi është në një pafuqi politike dhe financiare. Kursi i ri është reflektim i pafuqisë së Partisë Socialiste për të qenë alternativë konkurruese e Qeverisë Berisha.
Mirëpo kjo nuk do të thotë se ai është i gatshëm të bashkëpunoj për të amenduar dhe votuar ligjet që kërkojnë një shumicë prej 84 votash. Përkundrazi. Vetë Rama gjatë konferencës së djeshme për shtyp tha se “nuk do të votojnë ligjet që kërkojnë edhe votën e opozitës , sa për t`i hedhur hi syve Brukselit”. Justifikimi tashmë është gjetur “vizion solid” dhe “platformë kombëtare”. Dy pyetje liderit të opozitës: së pari c’është vizioni solid dhe së dyti c’kupton ai me platformë kombëtare? A ka Rama një vizion solid për Partinë Socialiste dhe opozitën? Jo! A ka Rama një platformë politike sot si kryetar i PS-së dhe opozitës? Besoj se jo. Ngase do ta kishim kuptuar po të kishte nj vizion solid për veten dhe një platformë opozitare. Mirëpo me këto gjetje frazeologjike ai kërkon të kushtëzojë integrimin e Shqipërisë në familjen e Europiane vetëm për të plotësuar dëshirën e ethshme për të qenë një faktor i padiskutueshëm i politikës. Kushti është i nisur për të qenë i papranueshëm “Ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave të Kuvendit nuk do të votohen nga opozita, nëse nuk do të jenë pjesë e një platforme kombëtare”. Ai kërkon të fshehë pas togfjalëshit “platformë kombëtare” pamundësinë për të bashkëpunuar me maxhorancën. Aq larg ka shkuar opozita këta dy vitet e fundit saqë “platforma kombëtare” duket një gjetje qesharake për të refuzuar sipërmarrjen konstruktive në Parlament.
Ajo që kuptohet nga dalja e djeshme për mediat është në grackën që ka ngritur me duart e tij. Kursi i ri mund të kthehet në një bumerang për Partinë Socialiste nëse ajo nuk hipën në trenin e plotësimit të 12 pikave të Bashkimit Europian. Me pretendimin se nuk do të votojmë “ligjet e Berishës”, që PS-ja i konsideron të gjithë përmirësimet ligjore si “arna”, duke u rikthyer sërish në rutinën e bojkotimit të standardeve demokratike. Pabesia e Ramës ndaj ndërkombëtarëve në pak minuta, kur e ktheu pllakën aty për aty, duke thënë se nuk votojmë “arnime”. Është absurde të hedhësh poshtë votimin e ligjit për ngritjen e Gjykatës Administrative, pasi konsiderohet si “arnë” e Saliut, kur të gjithë e dinë ndërkombëtarët dhe veçanërisht SHBA-të kanë hedhur një thes me para taksapaguesish amerikanë për të korrigjuar një handikap të sistemit tonë të drejtësisë.
Sidoqoftë akrobacitë e qëndrimeve politike të Ramës janë të njohura për komunitetin ndërkombëtar, të cilët vijnë në Shqipëri për t’i dhënë mesazhe shprese dhe nxitje për reformat afruese me familjen Europiane, dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë japin pasqyrën për të parë se kush është kundër kësaj aspirate shekullore të shqiptarëve.