E Diel, 1 Nëntor 2026

Në prag të 61 vjetorit të lindjes, shkrimtari prezantohet me një triller policesk

Paulo Coelho, i cilësuar si alkimisti i fjalës apo edhe si fenomen letrar, kësaj here i është larguar ndjesive të forta shpirtërore, shkruar në mënyrë aq të veçantë në librat e tij …!

Siç njoftonin dy ditë më parë Agjencitë e lajmeve një ndër autorët më të pëlqyer të shekullit ka prezantuar në Brazil librin e tij të fundit, kësaj here një thriller policor që i zhvillon ngjarjet e tij në ambientet e festivalit të Kanës (Francë).

Lajmi i bërë publik edhe në Shqipëri, duket se të risjell në vëmëndje Isabel Allenden, e cila disa vite të shkuara bëri pak a shumë të njëjtën gjë. Ajo u largua nga e shkruara tipike e dashurive dhe ndjesive veshur me tisin e realizmit magjik për të shkruar një libër plot me gatime afrodiasike.

Pavarësisht se në kahe të kundërta në tematikë, duket se të mëdhenjtë që bëjnë sot letërsinë botërore ju nevojiten edhe kahe të tjera ne letërsi, ndoshta për t’u larguar nga neuroza që u jep letërsia që ata bëjnë në të përditshmen e tyre.

Shkrimtari brazilian, i cili sipas statistikave, pret të kapërcejë këtë vit pragun e 100 milionë librave të shitur në 160 vende, ka preferuar ta pagëzojë veprën e tij të fundit si "Fitimtari është i vetëm", një roman që përdor festivalin francez të kinemasë si sfond të një sërë vrasjesh, të planifikuara nga një milioner rus, i mbërthyer nga një inat dashurie.

Një një intervistë dhënë për një të përditshme brazialiane, shkrimtari i njohur ka pohuar se “ në këtë roman me formë policore kam përdorur dhunën me qëllim që të përshkruaj botën e njerëzve të famshëm, duke u përpjekur që lexuesi të kuptojë se një festival si ai i Kanës fsheh një univers të madh aferash, ngjarjesh dhe etje për pushtet".

Sipas autorit të "Alkimistit", suksesi i tij i parë nëpër librari i botuar para njëzet vjetësh, "kulti i njerëzve të famshëm është shumë i fortë dhe pasqyron epokën tonë".

Në fakt lexues nga më shumë se 160 vende, pa dallim gjuhe dhe kulture, e kanë pranuar tashmë si autorin e tyre sa personal, por edhe aq të domosdoshëm në jetën e tyre . Librat e tij të përkthyer në mbi 56 gjuhë të botës kanë zënë vendet e para pa mëdyshje në listat e librave më të shitura sikundër edhe në temat e diskutimit shoqëror dhe kulturor.

Idetë dhe filozofitë e tij, tematika e librave të këtij shkrimtari përmbledhin pa mëdyshje aspiratat e miliona lexuesve që kërkojnë rrugë të tjera, alternativa të tjera për të kuptuar botën. Shkronjësi i "Alkimisti" dhe i një sërë librash të suksesshëm, u cilësua si autori më i shitur në botë në vitin 2003 me librin “Njëmbëdhjetë minuta” dhe kjo renditje u arrit kur libri nuk ishte botuar ende në SHBA , Japoni dhe në 10 vende të tjera ku u hodh në shitje një vit më vonë . Por romani i tij ‘Njëmbëdhjetë minuta” i botuar në Shqipëri në vitin 2003 nga Shtëpia Botuese “Toena” , shtëpi që ka ekskluzivitetin e botimit të veprave të tij, i ribotuar të paktën tetë herë , duket se vazhdon të jetë në vëmëndjen e lexuesit shqiptar. Bile në një Panair libri të organizuar së fundmi në Ulqin (Mali i Zi), ky libër i Coelhos rezultonte ndër librat më të shitur .

Edhe “Shtriga e Portobellos”, libri i tij më i ri, botuar një vit më parë nga shtëpia botuese “Toena”, rezultojnë të jenë preferuar nga lexuesit shqiptarë i cili po përmes kësaj shtëpie botuese ka lexuar edhe disa nga kryeveprat e tij si ,“Djalli dhe zonjusha Prym”, “Veronika vendos te vdesi” “Mali i pestë”, “Pelegrini i Kompostelës” , “Manuali i luftëratrit të dritës”, “Zahiri”.

Ndërkohë shkrimtari brazilian, Paolo Coelho, lejoi të lexohet falas në internet një pjesë e romanit të tij të ri "Shtriga e Portobello" (Planeti). Kjo ishte hera e parë që Coelho përdori internetin për veprat e tij, duke promovuar diskutime dhe këmbyer ide me lexuesit e tij. Mesazhet e dërguara në faqen e tij të internetit gjithsesi treguan se “Shtriga e Portobello” u kthye në një nga librat me polemizues të këtij autori. Në librin “Shtriga e Portobello”, Coelho vlerësohet si një rrëfimtar që refuzon të shkruajë "një libër tradicional". Ai shkruan për një seri personazhesh që rrethojnë Athenën, protagonisten dhe që tregojnë për të . "Unë ia detyroja këtë Athenës. Të rishkruaja historinë e saj. Të shkruaja mitin e saj”, shpjegon ai. Athena, e njohur gjithashtu si Sherine apo Shtriga e Portobellos, është një nga ato lloj femrash që shpërndan qortim, atraksion dhe mister aty ku ajo kalon. Një nga pjesët më pikante të librit është dhe përshkrimi i rrethanave të tmerrshme të vdekjes së saj

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›