E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët nuk e harrojnë luftën

“Lufta Iliro-Romake”, një komedi e shkruar nga aktori kosovar Lirak Çelaj, u luajt mbrëmjen e së premtes në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë si produksion i trupës së aktorëve të Teatrit “Oda”, Prishtinë (Kosovë). Për rreth 1 orë e 30 minuta, nën regjinë e Florian Mehmetit, aktorët kosovarë përcollën me nota humori këtë luftë, e zhvendosur në kohë, ku përfshiheshin dhe elementët surrealiste. "Ideja për këtë komedi më lindi një vit më parë" thotë autori. Frymëzimi i tij vjen si stili i komedive angleze të programit televiziv BBC, të titulluar “Monty Python’s”, të njohur si Flying Circus (Cirqet fluturuese).

Kjo “luftë” skenike zhvillohet gjatë mesit të shekullit III p.e.s, në trojet Ilire, ku përgjatë gjithë kohës “heronjtë” janë të vendosur të mos bëjnë gjë tjetër veçse të dehen lokaleve dhe të pushtohen herë pas here nga romakët, grekët, e së fundmi nga sllavët. Gjithashtu figurat burracake dhe pak inteligjente të pushtuesve janë të deformuara aq sa përgjatë gjithë shfaqjes spektatorët nuk rreshtnin së qeshuri me to.

Autori Lirak Çelaj shprehet se përmes kësaj komedie, “tentoj të bëj një paralelizëm për luftën e Kosovës dhe historisë shqiptare, por të modernizuar”, pasi sipas skenaristit, “interesi im është të jap një farë qëndrimi për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës dhe historisë shqiptare”. Ai shpjegon se “kjo zhvendosje në element modern dhe surrealist na krijon një farë distance kohore dhe na jep hapësira të cilat na lehtësojnë të 'tallemi' me to”. Në skenografinë e komedisë jo pa qëllim ishin vendosur objekte si ashensor, bar, skulptura greke sigurisht dhe personazhe të cilat nuk përqaseshin me kohën kur ka ndodhur kjo luftë, por ato janë një prezantim i asaj çfarë tenton të sjell autori për të shfiguruar imazhin e vet luftës.

Realizimi i plotë i kësaj shfaqjeje është kurorëzim i punës së aktorëve pjesëmarrës, Ard Islami, Naser Rafuna, Adrian Morina, Flutura Zeneli dhe Besfort Daka, gjithashtu me bashkëpunimin e ngushtë me regjisorin Florent Mehmeti.

Komedia “Lufta Iliro-Romake” vjen si premierë në Teatrin Kombëtar pas shfaqjes së saj në amfiteatrin e Apollonisë (Fier) më 30 korrik dhe më pas në Vlorë.

Kompania teatrale private “Oda” do të rikthehet pas dy javësh në Teatrin Kombëtar të Tiranës, me komedinë “Çdo të hënë”, e shkrimtares dhe aktores italiane Sarah Bogatti. Kjo performancë do jetë e përfshirë përsëri në këto qytete, gjatë një qëndrim 3 ditor në vend.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›