Në prag të Krishtlindjes: kuptimi litugjik i Solemnitetit
Kremtimet liturgjike të kohës së Krishtlindjes, duke filluar nga Mesha e Mesnatës, u prijnë besimtarëve në kundrimin e misterit të Mishërimit, mister i shëlbimit tonë. Në këtë kohë Kisha kundron Atë, që është i vetmi shpërblyes i botës. Përballë misterit të Mishërimit gjithçka duhet të ndihmojë për të ngjallur mahnitje e mrekullim. Sepse nuk mund të mos na mrekullojë nata, në të cilën Biri i Zotit bëhet foshnjë për ne e për shëlbimin tonë. E, duke lindur në një grazhd të varfër, mbi kashtë, na tregon fytyrën e vërtetë të Hyjit, si pasojë, të vërtetën mbi jetën e mbi fatin e njeriut. Në të shikojmë bukurinë e misterit të Hyjit e të dashurisë së tij plot mëshirë. Është Ai Hyji me ne!
Nuk kujtojmë një ngjarje që ndodhi në të kaluarën e largët, por një fakt që vijion edhe sot të jetë i prekshëm e pranishëm në kremtimin liturgjik. E fjala-kyç për ta kuptuar këtë është “sot”, që përsëritet shumë herë gjatë kremtimeve të kohës së Krishtlindjes.
Prandaj Krishtlindja është festa e gëzimit: për Krishtlindje njeriu zbulon planin e amshuar të Hyjit, që ndriçon jetën e tij personale e kolektive si dhe kuptimin e vetë historisë, duke dëftuar Dashurinë që mbush plot zemrat e të gjithë njerëzve e të mbarë popujve.
Kremtimi i Dëftimit të Zotit vë në dukje pikërisht këtë karakter universal të misterit të Mishërimit, përmes figurave të Mbretërve Dijetarë. Kremtimet liturgjike u japin të gjithë njerëzve Lajmin e mirë përmes fjalëve, sjelljeve, heshtjes, muzikës, këngës, ritit në tërësinë e tij.
Papa i nxit të rinjtë e Veprimit Katolik të jenë miq të Jezusit/Dje, duke u takuar me fëmijët e të rinjtë e Veprimit Katolik, Papa u foli pikërisht për takimin e afërt me Jezusin, duke i ftuar t’i thonë Foshnjës Hyjnore: ‘Ti je miku ynë më i dashur, që na shoqëron kur luajmë e kur shkojmë në shkollë, kur jemi në shtëpi e kur shëtisim me miqtë” e t’i ndihmojnë edhe shokët e tyre të jenë gjithnjë pranë Jezusit. Veprimi Katolik – u kujtoi Papa fëmijëve – ka për qëllim t’ju bëjë shenjtorë: prandaj ju ndihmon ta takoni Jezusin, ta doni Kishën, të interesoheni për problemet e botës e të luteni që të ketë paqe.Po, të dashur fëmijë – vijoi Papa – ju mund t’i luteni Zotit t’i shndërrojë zemrat e atyre që prodhojnë armë, t’i urtësojë terroristët, t’u japë një zemër të re atyre që mendojnë vetëm për luftën e ta ndihmojë njerëzimin të ndërtojë një ardhmëri më të mirë për të gjithë fëmijët e botës.