E Shtunë, 31 Tetor 2026

In memoriamm/Selim Hysa i Lashkizës

Selim Asllan Hysa lindi në fshatin Lashkizë të komunës Zall-Dardhë të rrethit Dibër në një familje me tradita të larta patriotike me 20 shkurt 1878. Familja e tij ka dhënë një kontribut të madh në luftën kundër turqve dhe serbëve, si dhe është angazhuar edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e atdheut. Selimi që i vogël dallohej ndër bashkëmoshatarët e tij. Pjesëmarrja që në rini në mexhliset dhe odat e burrave ia zhvilluan intelektin dhe ai u burrërua para kohe. Këto cilësi të tij u admiruan nga patrioti dibran Elez Isufi dhe kështu Selimi bashkë me vëllanë e tij Xheladin Hysa qëndruan përkrah tij besnikë deri në vdekjen e Elez Isufit. Siç shkruan  shkrimtari Xhaferr Martini në librin “Elez Isufi” faqe 23-24: “Përveç Elez Isufit në Dibrën e Poshtme kishte mjaft krerë të tjerë me ndikim në popull me të cilët pati bashkëpunim të ngushtë si Selim Hysa, Han Topuzi, Shaban Mema etj”. Kundër Shefqet Durgut Pashës, gazeta “Shqypja e Shqypnis’” datë 15.05.1910, njofton se “2000 dibranë të udhëhequr nga prijësit popullorë të krahinave të ndryshme midis tyre Elez Isufi e Selim Hysa u nisën për të luftuar me Shefqet Durgut Pashën që donte të nënshtronte Kosovën. Në këtë luftë Selim Hysa u dallua si një luftëtar i madh”. Selim Hysa ka marrë pjesë përkrah Elez Isufit në kryengritjen e qershorit 1912. Në betejën e Kolesjanit të rrethit të Kukësit kundër bishës serbe. Patriotizmi i lartë i Selim Hysës u dha fitoren. Për këtë patriotizëm rapsodi popullor i këndon vargjet: “Po sjell dimri borë e gjak,/Ka shkelë serbi në konak./Nxin Korabi digjet Runja,/Digjen male e shemben kulla.
Vjen Haberi n’Rec e Dardhë:/-Me i dalë hasmit ballë përballë./Qet martina një flakë të kuqe./Kush po del në ballë kësaj lufte?
Fort po i dridhet krajlit mjekra,/Djemtë e Dardhës si zogj ndër shkrepa./Të lumtë dora Misim Ahmeti,/N’rah ke Likën prej Shënlleshni,
Kazinë, Hoxhën e Mustafën,/Osman Cajkrin edhe Kacën,/Selim Hysën e Lazhkizës/Besa-besë krejt shtëpitë Dibrës.
Në kryengritjen e shtatorit 1913 krahas Elez Isufit si udhëheqës u shqua edhe Selim Hysa. Në këtë kryengritje Selimi vrau me dorën e vet gjeneralin serb dhe i detyroi serbët të largohen. Ja si i këndon vargjet e këngës rapsodi:
Gjëmon Drini kep më kep,
-Ndal o kral se nuk ke shteg!
Selim Hysa pika e djalit,
Ç’po i vigat gjeneralit:
Unë jam djali i Lashkizës,
Kam Hashimin këtu bri meje,
Na shkrep syni flak rrufeje.
Po të jap këtë pare ballit,
Njikjo është pushka e shqiptarit.
Selim Hysa mori pjesë edhe në betejat e Kaushit në tetor të viti 1915. Në këtë betejë serbët lanë 2000 të vrarë e shumë material luftarak. Në kuvendin e Arrasit të rrethit të Dibrës me 13 gusht 1920 për vetë kontributin që kishte dhënë Selim Hysaq në luftën kundër serbëve u zgjodh anëtar  i komitetit të luftës. Selim Hysa ka dhënë kontributin e tij përkrah Elez Isufit edhe në luftën e Tiranës nga 7-11 mars 1922. Në këtë luftë Selimi ka shpuar muret e avllive për të arritur sa më shpejt në qendër të Tiranës, gjithmonë përkrah Elez Isufit, kundër qeverisë së Tiranës.
Gjatë luftës Antifashiste, Selim Hysa u angazhua në luftë kundër pushtuesit. I biri, Shahini, u inkuadrua në brigadën 18 sulmuese, por Selim Hysa, pas mbarimit të luftës, nuk u pajtua kurrë me komunizmin. Tek kjo ideologji, ai shihte rrezikun më të madh që i kanosej vendit, i cili ishte çliruar me gjakun e mijërave shqiptarëve, që dhanë jetën e tyre për çlirimin e vendit. Selimi së bashku me vëllezërit Hashim e Xheladin Hysa me 15 prill 1946 u burgosën si antikomunistë. Me vendim të gjykatës së Elbasanit, nr. 84 datë 10.06.1946 i ndaluar me 15.04.1946 është deklaruar si antikomunist. U dënua me 15 vjet burg dhe konfiskim të pasurisë. Selimi në një nga përgjigjet që u ka dhënë gjykatësve thekson: “Unë qysh me 1912 e në çdo luftë që është bërë më pastaj kam luftuar për lirinë e kombit e për demokraci të vërtetë”. Më poshtë rapsodi këndon: “Selim Hysa në atë Lashkizë,/Prapë mejdan i lyp trimërisë/-Miku i shtëpisë nuk pritet brenda:/-Të kam në besë o Tahit Mena!
Qofsh e zezë moj bishë e kuqe,/Po ma kalb trimërinë ndër burgje!/Mirë po vdes si i ka hije,/Pa fëmijë e miq mbi krye!/Shahin Hysa bën gajret:
Babai yt kurrë s’ka me vdek!/Qëndro burrë, o Isuf Hysa/T’u rrit shtati nëpër prita!/Sa mirë babës po i çon rixhanë,/Dorë pas dore me të vëllanë.
Sipas Vendimit të Këshillit të Komunës Zall-Dardhë, datë 04.06.1997 dhe propozimit të Muzeumit të rrethit të Dibër për kontribut të madh patriotik dhe atdhetar, këshilli i Qarkut Dibër, me vendim nr. 04 datë 25 shkurt 2000 u shpall dëshmor të atdheut. Ceremonia për dhënien e titullit dëshmor i atdheut është bërë në ish shtëpinë e Selim Hysës ku morën pjesë drejtues të lartë të Qeverisë dhe gjithë popullsia e asaj treve. Përsëri vazhdojnë vargjet e këngës: “Ja ku erdh dita e vërtetë,/Me e marrë hakun vetë:/Ke medaljen e trimërisë,/Je dëshmor’ i gjithë Shqipërisë!”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›