E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në prag të provimeve të maturës, ‘boom’ shitjesh për antistresantët

TIRANE - Ethet e provimit të maturës po shtohen nga dita në ditë. Me kalimin e orëve presioni nga mësuesit (gjatë konsultimeve) e prindërit rritet dhe natyrisht me rritjen e këtij presioni, bëhen më evidente edhe notat e ankthit apo të stresit në jetën e shumë prej maturantëve. Disa prej tyre, duke u bazuar dhe në këshillat e psikologjisë mundohen ta kapërcejnë këtë situatë stresante që po kalojnë aktualisht në jetën e tyre, duke u marrë me aktivitet fizik, duke menduar për gjërat e bukura që kanë kaluar një ditë më parë, duke u ushqyer në mënyrë të shëndetshme, etj. Deri këtu situata nuk paraqet asnjë problem, problemi shfaqet nga ata që për të ulur nivelin e stresit përdorin pilula kundër tij. Këtë na e konfirmojnë edhe vetë ata, gjimnazistët e stresuar... dhe në fakt nuk janë të vetmit, edhe disa nga farmacistet që ushtrojnë profesionin e tyre përreth gjimnazeve pohojnë prezencën e këtij fenomeni...
“Matura, po më nxihet jeta”
“Provimet e maturës janë arsyeja pse më del gjumi në mëngjes”, kështu e nis ligjërimin e saj një nga maturantet e kryeqytetit. Duket sikur provimet e maturës janë kthyer në kryefjalën e ditës së maturantëve kohët e fundit. Më tej ajo vazhdon se “kjo është një dukuri që po e vë re për herë të parë këtë vit. Kurrë më parë nuk më ka ndodhur që të zgjohem për shkak të një provimi. Kur kisha provimin provë në letërsi përpara 2 javësh pothuajse nuk fjeta fare gjatë natës, ndonëse më kishin thënë që duhej të bëja pushim dhe të mos mendoja fare për të, unë përsëri nuk e hiqja dot mendjen. Në fund fare mund të them se ngarkesa e këtyre muajve të fundit, lufta për të ruajtur të lartë mesataren, mësuesit e lëndëve që vijojnë të mbeten po aq rigorozë sa edhe ditën e parë (të atyre mësuesve, lëndët e të cilëve s’do t’i jap provim me zgjedhje), dhe ankthi i notës së provimeve më janë kthyer në një ferr për jetën time, po çmendem. Mezi po pres të mbarojë”, përfundon maturantja e “Ismailit”.
Pilula kundër ankthit
Ankthi apo stresi është një dukuri e pashmangshme në jetën e gjithsecilit prej nesh. Ai është shfaqur në jetën tonë që me marrjen e përgjegjësive të para në jetë... Megjithatë në momente të tilla siç është edhe provimi i maturës, përmes së cilit përcaktohet në një farë mënyre e ardhmja e një adoleshenti, ai bëhet edhe më i dukshëm. “Gjithmonë në këtë periudhë rritet interesi i nxënësve për këto ilaçe”, tregon një nga farmacistet e intervistuara. Sikundër pohoi edhe kolegia e saj, një tjetër farmaciste këtë herë pranë shkollës “Partizani”, e cila na tregon se: “Në një pjesë të mirë të rasteve janë prindërit ata që kërkojnë pilula antistres për fëmijët e tyre...”. Të dobishme ose jo, vetë nxënësit tregojnë se me konsumimin e tyre, kalon edhe gjendja e ankthit që i ka përfshirë (kjo ndoshta ndodh edhe pse ata duan të besojnë kështu). “Unë e ndjej veten shumë më të çliruar pas konsumimit të një kokrre të tillë. Ajo mbahet nën gjuhë, ka një shije të mirë dhe veç kësaj, ka një efekt të menjëhershëm tek unë”, na pohon Mersi. “Nuk e di pse, por sa herë që konsumoj një të tillë, e kam trurin më të qetë. Si ilaç në fillim ma rekomandoi mami, përpara 2 muajsh, atëherë kur m’u desh të kaloja një provim shumë të rëndësishëm të gjuhës angleze... Dhe që atëherë nuk e heq më nga përdorimi, pasi me të vërtetë më ka dhënë efekt”, përfundon shoqja e Mersit, Jonida.
“Cigarja të çliron”
Natyrisht që përdorimi i pilulave kundër stresit është një fakt shqetësues, ndaj dhe këshi-llojmë të gjithë mësuesit dhe prindërit që të bëjnë të pamundurën për t’i dhënë gjithë suportin e nevojshëm adoleshentëve në këtë periudhë, pasi ka edhe nga ata që veç ilaçeve, përdorin si antistresante cigaren. “Më mjafton një e tillë përpara ose pas provimit për të shfryrë tërë akthin që kam”, tregon një nga maturantët e intervistuar. Me gjithë propagandimin e madh për luftën kundër pirjes së duhanit, gjimnazistët vijojnë të gjejnë strehëz tek ai sa herë që ndihen në konfuzë, sikundër po ndodh edhe tani... 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›