E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Ekzekutimi i Tafaruçit, hakmarrje ose për pazaret e drogës

DURRES- Hetimet për vrasjen e 33- vjeçarit të kërkuar për drogë tek Mali i Robit, janë përqendruar kryesisht në të shkuarën e errët të tij. Burime nga policia kanë bërë me dije se Ervis Tafaruçi është ekzekutuar për shkak të problemeve që ai ka pasur në të shkuarën, duke e lidhur atentatin me çështjet e drogës apo edhe në tentativën për vrasje në 2009, ku ishte i përfshirë edhe 33-vjeçari. Policia sqaron se këto janë dy pistat në të cilat po vazhdojnë hetimet, por pa përjashtuar edhe pistat e tjera. Sipas policisë, dyshohet se 33- vjeçari Tafaruçi mund të jetë ekzekutuar për hakmarrje,
për shkak të përfshirjes së tij në tentativën e vrasjes në vitin 2009, ku 33-vjeçari, që në atë kohë mbante mbiemrin Qarri, bashkë me I. Shtrazën dhe E. Kasën tentuan të vrisnin shtetasin maqedonas Besnik Kulla. 

Mësohet se për këtë ngjarje Qarri ishte dënuar me dy vjet dhe pas kryerjes së dënimit ai ka ndërruar mbiemrin nga Qarri në Tafaruçi. Por, policia nuk përjashton as mundësinë që Tafaruçi mund të jetë ekzekutuar edhe për shkak të përfshirjes së tij në pazaret e drogës. Mësohet se 33-
vjeçari ishte person me precedent penal, dhe ishte i kërkuar nga Interpoli për trafik droge. Ndërsa më 28 mars të viti 2011, Ervisi u arrestua nën akuzën se i vuri flakën makinës tip “Renault Clio” të një studenteje. Ngjarja ndodhi mëngjesin e 28 marsit, pranë Komisariatit nr.2 në kryeqytet. 33-vjeçari u ekzekutua dy net më parë në zonën pranë Malit të Robit në Kavajë. Rreth orës 17:00 të së hënës, Ervis Qarri (Tafaruçi), banues në qytetin e Durrësit, ishte duke udhëtuar në aksin Durrës-Tiranë, kur është ndjekur nga pas nga një fuoristradë me ngjyrë të zezë. Mësohet se fuoristrada e ka ndjekur përgjatë rrugës dytësore, ndërsa i vetëm 33-vjeçari ka udhëtuar përgjatë rrugës nacionale. Gjatë kësaj kohe, në afërsi të Malit të Robit, autovetura me të cilën po udhëtonte Qarri është qëlluar me breshëri kallashnikovi, duke i shkaktuar atij vdekjen me katër plumba.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›