Në pranga 13-vjeçari, autor i disa vjedhjeve në kryeqytet
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një fëmijë 13 vjeçar i cili akuzohet se ka kryer një sërë vjedhjesh në kryeqytet. Specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve të Biznesit në bashkëpunim me shërbimet e komisariatit të policisë nr. 3, kapën në flagrancë shtetasin J. A., 13 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, i cili ka rezultuar të jetë autor vjedhjeje më shumë se një herë dhe për këtë dhe më parë janë kryer veprimet procedurale. Para dy ditësh, ky i mitur në “Rrugën e Durrësit” ka vjedhur dyqanin parukeri, para gjimnazit “Qemal Stafa”, ku ka marrë një sasi pajisjesh parukerie, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale; dyqanin e celularëve në sheshin “Rilindja”, ku ka marrë dy telefona celularë “Nokia”; dyqanin supermarket “Bonus”, në “Rrugën e Barrikadave”, ku ka marrë sende të ndryshme ushqimore. 13-vjeçari akuzohet edhe për një sërë vjedhjesh të tjera në lokale, dyqane e vjedhje me thyerje në tri makina.