E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Deputetët do t’i shpall vetëm 45 ditë para zgjedhjeve

Edi Rama konfirmon atë që flitet në korridoret e PS-së dhe që ka futur në ankth të gjitha figurat e vjetra dhe të reja të kësaj partie. Lista e deputetëve do të jetë një surprizë. Vetëm 45 ditë para zhvillimit të zgjedhjeve elektorati i majtë do të njihet zyrtarisht me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 2009-ës. Vetëm në fillim të fushatës zgjedhore PS-ja do të publikojë listën e ekipit garues, e në këtë mënyrë, kush ngelet jashtë, nuk ka kohë të kundërshtojë, veç të pranojë realitetin ose të punojë për hir të interesave të partisë. Kjo është e vetmja rrugë që ka lënë të hapur kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, për të rinjtë që pretendojnë të kandidojnë ose për ata që kërkojnë rikonfirmimin në radhët e grupit parlamentar socialist. Çështja u pohua dje nga Rama, i cili në një intervistë për Top-Channel shpjegoi jo vetëm afatet e zyrtarizimit të listës së kandidatëve, por edhe cilat do të jenë mënyrat se si do të arrihet në këto përzgjedhje, ku për herë të parë, jo vetëm që nuk flitet për parimin e njohur “një anëtar një votë”, po as për struktura të bazës. Këtë të drejtë kryetari Rama do t’ua njohë vetëm qytetarëve me parti apo pa parti. “Ne jemi duke menduar mbi formën me të cilën do të thithim opinionin qytetar dhe njëkohësisht mbi mënyrën se si do të harmonizojmë mosha, gjini, eksperienca dhe energji të reja në këtë listë që është shumë herët për të folur konkretisht dhe që do t’u paraqitet zgjedhësve në momentin më të përshtatshëm që është edhe fillimi i fushatës elektorale”, - tha Rama. Ndërsa anëtarësia e thjeshtë, e njohur në regjistrat e PS-së, merr një rol dytësor në dhënien e mendimit për kandidatët, rolin parësor e marrin qytetarët. Një ngërç i madh që mund të shkaktojë probleme e përplasje në PS mbeten listat e emrave të kandidatëve. Zëra të ndryshëm në PS thonë se grupi parlamentar socialist e ka mjaft të vështirë të rikonfigurohet i gjithi, për shkak të aktivitetit personal të çdo deputeti apo qëndrimet kundrejt Ramës. Si e tillë, përplasja e vërtetë dhe serioze pritet të ndodhë pikërisht dy javë para fushatës. Ata që do tA shohin veten jashtë listës, kanë pak mënyra, për të mos thënë asnjë, për të qenë në listë. Në këtë mënyrë, puna për hir të partisë mbetet njëra rrugë, ndërsa kundërshtimi dhe kalimi në ndonjë parti tjetër të së majtës mbetet rruga tjetër. LSI-ja mund të jetë një strehë e fortë e tyre, po kjo mbetet për t’u diskutuar pas zhvillimeve të grevës së urisë ku asnjë deputet i PS-së nuk denjoi t’i takonte ish-kolegët e tyre. Një tjetër mundësi dhe e vetmja mbetet PS’91. Në lidhje me formimin e koalicioneve, një ndër çështjet më të diskutueshme mes të majtëve, Rama shprehet optimist kur thotë se pretendon krijimin e një koalicioni me qytetarët dhe jo me kryetarët. Duke aluduar për kundërshtarin e tij aktual brenda opozitës, Ilir Metën, Rama tha se “procesi i formësimit të koalicioneve është një proces në vazhdim dhe unë jam besimplotë se PS-ja do të jetë qendra e gravitetit të formimit të një koalicioni të madh njerëzish përtej kufijve të vjetër. Sot Shqipëria ka nevojë për një bashkim të ri dhe të madh qytetarësh dhe jo për pazar kryetarësh”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›