E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pranga 20 shqiptarë në Itali, për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni

Policia italiane ka arrestuar 20 shqiptarë, pjesë e një grupi kriminal, i cili merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Pas disa muajsh hetime, karabinierët italianë organizuan operacionin e koduar “Ramazan”, ku arrestuan grupin e madh të shqiptarëve. Bashkë me personat e arrestuar, policia italiane ka sekuestruar edhe 32 kilogramë drogë, 5 automjete dhe 62 mijë euro si provë materiale. Policia italiane ka shoqëruar të arrestuarit për në ambientet e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara drejtësisë italiane. Ata akuzohen për “shfrytëzim prostitucioni”, si dhe për “shitje të lëndëve narkotike”.

Arrestimi

Ditën e djeshme, karabinierët italianë organizuan me sukses operacionin “Ramazan”, ku vunë në pranga 30 persona. Nga personat e arrestuar 20 prej tyre ishin shqiptarë, ndërsa 10 të tjerë nga Italia. Gjatë kontrollit të kryer u sekuestruan edhe 32 kilogramë drogë, 5 automjete dhe 62 mijë euro. Operacioni u zhvillua në Luca ditën e djeshme. Policia italiane nuk bën të ditur emrat e 20 shqiptarëve të arrestuar së fundi. Sipas policisë, grupi merrej dhe me transportin e drogës. Ai e sillte atë nga Holanda, për ta shitur më pas në tregun vendas.

Hetimet

Hetuesit kishin 15 muaj që kishin filluar nga puna për të ndjekur grupin që merrej me trafikun e drogës dhe shfrytëzimin e prostitucionit. Gjithçka kishte nisur në vitin 2007, pas arrestimit të tre shqiptarëve. Sipas agjentëve, ata e kishin shtrirë aktivitetin e tyre në disa zona të Italisë, në Pistoia, Pisa, Massa dhe Lombardi. Sipas mediave italiane, nga hetimet paraprake kapoja i grupit është një 40-vjeçar me emrin Artur Lamkja, qytetar shqiptar dhe rezident në Luka, por që aktualisht ndodhet në Shqipëri, pasi ishte dëbuar nga Italia. Mësohet se ai ka vazhduar të organizojë trafikun e drogës, duke shfrytëzuar kontaktet që kishte me persona në veri të Evropës. Në këtë mënyrë janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që droga të depërtojë në Itali, destinuar posaçërisht për Luka-n, Pistoia-n dhe Massa-n.

Kakome, përplasje mes banorëve të fshatit dhe rojeve të firmës

Banoret e fshatit Kakome kanë ushtruar dhunë ndaj dy rojeve të firmës që do të ndërtojë fshatin turistik në këtë vend. Sipas burimeve të policisë, banorët kanë keqtrajtuar dhe më pas kanë marrë peng shtetasin Halil Shanaj, i cili ruante fadromat, ndërsa kanë dhunuar edhe kolegun e tij Refat Hoxha. I plagosuri Hoxha u dërgua ne spital për të marrë mjekim, për shkak të lëndimeve në pjesë të ndryshme të trupit. Në vendngjarja shkuan edhe forcat e policisë, të cilat nisën nga puna për normalizimin e situatës. Ato arritën që të qetësojnë gjendjen dhe të merrnin dy rojet e keqtrajtuar dhe t’u jepnin ndihmën e parë, duke i shoqëruar në spital.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›