Të vësh skedina? Ide e mirë, pasi fitimin ta mbron shteti
Kuvendi debatoi dje projektligjin e qeverisë për lojërat e fatit dhe kazinotë, ku në një pjesë e tij merr në mbrojtje dhe lojtarët e basteve. Pavarësisht debateve mes opozitës dhe mazhorancës për këtë çështje, projektligji nuk kaloi, për shkak se mungonte numri i mjaftueshëm i deputetëve për ta votuar. Risia e këtij ligji qëndron në faktin se të gjithë bastexhinjtë që luajnë me skedina, pra baste sportive, do t’i marrin lekët me siguri të plotë. Madje edhe në rast se kompania e basteve nuk kërkon të shlyejë fituesit e lotarisë apo bastit, ligji garanton se lekët do të jepen. Nga ana tjetër, bastet sportive duhet të paguajnë në shtet 10 për qind të xhiros dhe duhet t’u paguajnë lojtarëve jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë. Ndryshimi i ligjit për lojërat e fatit dhe kazinotë ka qenë një nga temat e debatit sot në Parlament. Partia Socialiste ka kundërshtuar faktin e ndryshimit të ligjit pikërisht tani para zgjedhjeve. Por ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se sipas projektligjit të ri, do të liberalizohet tregu dhe do të shtohen të ardhurat nga ruletat. Në fillim të këtij viti u ndryshua ligji për kazinotë dhe ruletat, i cili vendoste se në Shqipëri do të kishte vetëm kazino të mëdha, por kjo atëherë u kundërshtua nga PS-ja për shkak se sipas saj, ndalonte konkurrencën. Pavarësisht se projektligji i ri hap hapësira dhe lejon konkurrencë, sipas rekomandimeve të PS-së në fillim të vitit kur u ndryshua ligji, ajo e kundërshtoi përsëri. Projektligji i ri u jep edhe një herë mundësinë kazinove të vogla që të rikthejnë ruletat në këmbim të tatimeve shumë të larta. Sipas projektit, mijëra pika të lojërave të fatit dhe kazinotë elektronike do të mbikëqyren nga një njësi speciale e qeverisë. Kazinotë elektronike, të cilat janë tepër të përhapura, projekti parashikon që duhet të kenë më shumë se 10 makina të ndryshme. Ndryshimi favorizon kompanitë e vogla, të cilat tashmë mund të vendosin sa makina dhe ruleta të duan në sallonet e tyre. Për një sallë duhet të paguhet taksa mujore prej 400 mijë lekësh të reja, e shoqëruar edhe me 20 mijë lekë për çdo makinë.