E Diel, 1 Nëntor 2026

Njeriu që shtiu mbi policët hetohet si vrasës me pagesë

Pogradecari dyshohet për disa ekzekutime të pazbardhura

Arrestimi i 45-vjeçarit nga Leshnica e Pogradecit për armëmbajtje pa leje dhe gjetja e një sasie të madhe armësh dhe municionesh në banesën e tij, kanë ngritur dyshimet se Myrderi Verdha mund të jetë një vrasës me pagesë.

I dënuar më parë për vrasje dhe i njohur si person me precedentë penalë, 45-vjeçari, që i bëri rezistencë policisë gjatë rrethimit të tij për një kontroll banese, ka të gjitha gjasat të jetë autor i disa vrasjeve të pazbardhura që kanë ndodhur në zonën e Pogradecit.

Policia e Korçës dhe strukturat e hetimit të krimeve të rënda kanë ngritur dyshimet se 45-vjeçari që mbante në shtëpi armë dhe municione ka kryer vrasje që deri më tani kanë mbetur mister dhe të pazbuluara, për shkak se nuk ishte bërë e mundur me prova gjetja e autorësisë. Por pas zbulimit të disa armëve, në banesën e Myrderi Verdhës policia ka hedhur dyshimet se ato janë përdorur për disa krime.

Në shtëpinë e 45-vjeçarit nga Leshnica janë gjetur elemente komprometuese, të cilat për policinë kanë hedhur menjëherë dyshimin se armët e fshehura nga Verdha janë përdorur në disa vrasje. Nga Drejtoria e Policisë së Korçës është ngritur një grup pune bashkë me strukturën e hetimit të krimeve të rënda, pasi siç konfirmohet zyrtarisht nga policia, ky shtetas akuzohet për disa vepra penale, kryesisht vrasje të ndodhura më parë në rrethin e Pogradecit.

Në banesën e 45-vjeçarit janë gjetur tri pistoleta tip TT, që dyshohet se janë përdorur në ekzekutimin e disa personave. Për faktin se gjatë kontrollit, krahas armëve janë gjetur edhe sasi parash në euro, dollarë dhe lekë, mendohet se 45-vjeçari mund të ketë kryer krime kundrejt pagesës. Disa armë të dyshimta dhe paratë që janë gjetur në një depo kanë ngritur policinë në nisjen e hetimeve të zgjeruara, me dyshimin se Verdha është një vrasës me pagesë.

Tri pistoleta tip TT, si dhe një kallashnikov, që janë zbuluar gjatë kontrollit në shtëpinë e 45-vjeçarit në Leshnicë janë dërguar për kryerjen e ekspertizës balistike në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë, ku do të bëhet krahasimi me armët e përdorura në krimet e pazbardhura.

Sipas policisë, Myrderi Verdha nga Leshnica është akuzuar në vitin 2001 si i dyshuar për vrasjen e shtetasit Azem Gora. Edhe pse kreu disa vjet burg, 45-vjeçari u lirua, pasi nuk u vërtetua me prova pjesëmarrja e tij në vrasje. Më pas Myrderi Verdha është dënuar për armëmbajtje pa leje. Kontrolli në banesën e Verdhës ka qenë i befasishëm, ndërsa për faktin se në shtëpi kishte armë dhe municione, për policinë ka qenë e vështirë ta finalizojë me sukses arrestimin e 45-vjeçarit, i cili ka kundërshtuar me armë zjarri punonjësit e policisë që kanë rrethuar menjëherë banesën. Gjatë kontrollit që u ushtrua në banesën e tij, policia sekuestroi tri pistoleta, një kallashnikov, 200 kapsolla detonatore, 50 m fitil zjarrpërcjellës, një aparat për shpërthimin e lëndëve plasëse, 10 kallëpe tritol, si edhe kartëmonedha në euro, dollarë dhe lekë shqiptare.

Armët dyshohet se janë përdorur për krime dhe kjo ka bërë që policia të nisë jo vetëm hetimet për vrasje ndaj 45-vjeçarit, por edhe kryerjen e ekspertizave, që do të vërtetojnë shkencërisht se në çfarë krimesh janë përdorur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›