Tonelata kimikatesh në Devoll

DEVOLL - Alarm për ndotje ekologjike dhe kërcënim të popullatës në qytetin e Bilishtit nga një firmë fantazmë që shkarkon gjatë natës me maune me targa greke dhe turke tonelata me plastmasë të përdorur, duke rrezikuar kështu seriozisht jetën e banorëve. Qyteza me 5 mijë banorë ndihet e kërcënuar, veçanërisht 50 familjet që jetojnë në lagjen e re të qytetit, pranë ish-SMT-së, pikërisht aty ku derdhen mbetjet toksike të patretshme. Banorët ankohen dhe kërcënojnë me protestë për këtë agresion ekologjik që kërcënon seriozisht jetën e tyre, duke pretenduar se prej disa ditësh, persona ende të panjohur, me mjete që nuk dihet se nga ç’destinacion vijnë, kanë sjellë tonelata plastmasësh, për të cilat blutë e Devollit kanë nisur hetimet. Mësohet se mjete të tonazhit të rëndë janë shfaqur në lagje këto ditë, kryesisht gjatë orëve të natës dhe në orët e para të mëngjesit, duke vënë në alarm banorët, të cilët pretendojnë se një firmë do të përdorë territorin e hapur për shkrirje ose larje të plastmasës së vjetër dhe të ndotur. 50 familje në këtë lagje të re kanë kërkuar ndihmë në polici, duke denoncuar për shkarkimin e këtyre mbetjeve të rrezikshme fare pranë shtëpive të tyre. Sipas banorëve, disa shqiptarë që shoqërojnë maunet që pretendohet se vijnë nga Tirana, kanë premtuar se do të hapin një punë sezonale për pastrimin e qeseve dhe përpunimin e tyre. Familjet që kanë nisur të ndiejnë erën e keqe që vjen nga këto mbetje të papërpunueshme, janë tronditur nga fakti se mjetet që shkarkojnë natën në fshehtësi, për t’u larguar me shpejtësi, nuk kanë asnjë leje për këtë veprimtari. Ndërkaq, edhe Zyra Mjedisore pranë qarkut të Korçës nuk ka të dhëna për një aktivitet të tillë me kosto ndaj mjedisit, ndërsa mësohet se një leje e tillë nuk është kërkuar nga asnjë firmë.
Policia vihet në lëvizje
Banorët që janë përfshirë nga paniku dhe ndotja e madhe, thonë se janë të rrezikuar edhe nga zjarret, pasi banesat e tyre ndodhen jo më larg se 20 metra nga vendi ku janë grumbulluar dhe hedhur plastmasët. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë së Bilishtit, bëhet me dije se po kontrollohet edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, duke u nisur nga dëshmitë e okularëve për ardhjen e mauneve me targa të huaja. Sipas policisë, nuk rezulton asnjë firmë që të ketë kërkuar leje pranë bashkisë së qytetit për të hapur një biznes të kësaj natyre. Firma misterioze nga ana tjetër ka detyruar policinë e Komisariatit të Devollit të nisë patrullime të posaçme gjatë orëve të natës, pranë zonës ku janë hedhur tonelatat e para të plastmasës së përdorur dhe me erë të keqe, për të kapur dhe ndaluar personat që transportojnë këto mbetje me përmbajte toksike.