E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Triumf”, bazat e grupit në Elbasan dhe Tiranë



Rrjeti i trafikantëve kishte dy baza, në Elbasan dhe Tiranë. Aty ata rekrutonin njerëzit, të cilët më pas përgatiteshin që të niseshin për në Greqi.

Personat e arrestuar nga operacioni “Triumf” në mbrëmjen e së hënës janë marrë në pyetje dje nga hetuesit. Të pranishëm kanë qenë edhe nga prokuroria e rrethit. Ndërkohë që ditën e djeshme numri i të arrestuarve ka shkuar në 15. Në prangat e uniformave blu ka rënë edhe Ferdinand Caci, i cili ishte taksist dhe merrej me transportimin e klandestinëve. Sipas burimeve nga policia, Alfred Çikani, Luan Klosi dhe Thanas Todhri, konsiderohen si organizatorët e aktivitetit të rrjetit. Ata arrinin që të siguronin viza false dhe kalime ilegale në kufirin me Greqinë, por që sipas policisë, dyshohet të ketë korruptuar funksionarë konsullatash, duke arritur që të përfitoheshin edhe viza të rregullta. Dy prej klandestinëve që gjendeshin në varkën e tragjedisë së Butrintit ishin rekrutuar dhe dërguar prej Klosit. Todhri dyshohet se është personi që kryente lidhjet me punonjës të konsullatave të huaja. Todhri kryente edhe rekrutime të klandestinëve, duke i gjetur në radhët e ambasadave. Balliu së bashku me Halilajn, Myftar Prengezajn, Berishën dhe Vukajn, luanin rolin e sekserit, duke gjetur personat që paguanin për të ikur klandestinë. Përparim Lama, taksist nga Elbasani, ish-polici Bardhi dhe taksisti nga Korça, Ferdinand Caci, kryenin transportin e klandestinëve. Shahini, pronar hoteli në Përmet dhe Tato, pronar hoteli në Ersekë, prisnin dhe kujdeseshin për klandestinët që grumbulloheshin në hotelet e tyre.

Agjentët e policisë kishin tetë muaj që kishin nisur hetimet për veprimtarinë e grupit që merrej me trafikun e qenieve njerëzore. Sipas policisë, hetimet për këtë operacion kanë filluar në muajin maj të vitit 2008, duke përdorur metodat speciale të hetimit. Aktiviteti i këtij grupi kriminal shtrihej në qytetet Tiranë, Elbasan, Korçë, Ersekë, Përmet dhe Fier. Anëtarët e saj vepronin duke siguruar pasaporta, viza dhe dokumente për kalimin e paligjshëm të kufirit për personat që synonin të kalonin në shtetin grek. Ata kishin arritur që të korruptonin individë të veçantë, duke shfrytëzuar dhe përdorur mjete transporti, si dhe ambiente strehimi të përkohshme. Personat e arrestuar akuzohen për kryerjen e veprave penale të “falsifikimit të pasaportave dhe vizave” dhe “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Të arrestuarit e “Triumf”

Strukturat e Krimit Ekonomik në Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Fier, finalizuan me sukses operacionin “Triumf”, ku vunë në pranga 15 persona. Nëntë prej personave të arrestuar ishin nga Tirana. Në prangat e uniformave blu ranë Alfred Çikani, Luan Klosi, Ilir Balliu, Dashamir Halilaj, Korab Lama, Myftar Prengezaj, Ardian Berisha, Përparim Lama dhe Ferdinand Caci. Për këta persona u dha masa arrest me burg nga Gjykata e Tiranës. Ndërkohë me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë u ndaluan Fatmir Vukaj, Thanas Todhri, Astrit Hasa, Ramis Shahini, Fatmir Tato dhe Gurali Bardhi. Gjatë shoqërimit dhe kontrolleve të banesave të anëtarëve të këtij grupi, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale 16 copë celularë, si dhe dokumente të falsifikuara që implikojnë këta shtetas në veprimtarinë kriminale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›