Humbet gomonia me tre persona në ujërat e Adriatikut
Një gomone me tre personat që ishin në të rezultojnë të humbur prej tre ditësh në ujërat e Adriatikut.
Kërkimet për tre personat u ndërprenë mbrëmjen e ditës së djeshme. Autoritetet policore kanë bërë të ditur se kërkimet u mbyllën për shkak se moti i keq dhe errësira e bënin të pamundur vazhdimin e misionit kërkues. Ndërkohë që u pezulluan edhe patrullimet nga ajri, sepse gjetja e gjurmëve në errësirë ishte e pamundur.
Kërkimet rifilluan sërish në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.
Kështu, tre peshkatarët që rrezikuan jetën në gomone, u detyruan të kalojnë edhe një natë tjetër në det.
Strukturat e Policisë së Shtetit janë informuar nga Kapitaneria e Portit Vlorë se rreth orës 08:30 të ditës së djeshme nga një shtetase nga qyteti i Vlorës, që ka njoftuar se bashkëshorti i saj, Romeo Purizo, 43 vjeç, gjendej në det të hapur me një mjet lundrues së bashku me dy shokë të tij, Sotir dhe Niko Golaj dhe dallgët po i çonin drejt Malit të Zi. Me të marrë informacionin nga strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit është kontaktuar me celular me këtë shtetas, por nga ana e tij, nuk ishte e mundur që të përcaktohej saktë vendndodhja, ndërkohë në telefonin celular dilte sinjali i telefonisë së Malit të Zi. Nga punonjësit e policisë është marrë kontakt dhe me familjarët e shtetasit Romeo Purizo, të cilët deklaruan se ky shtetas ishte larguar nga shtëpia që prej ditës së diel, datë 18.01.2009, rreth orës 16:00, duke u thënë se do të dilte për të peshkuar me shokët. Komunikimi i fundit që ata kanë pasur me shtetasin Romeo Purizon ka qenë dje në mëngjes, ku ky shtetas u ka deklaruar familjarëve që gjendej në det të hapur me mjetin lundrues së bashku me dy shokë të tij dhe dallgët po i çonin drejt Malit të Zi.
Për t’ju ardhur në ndihmë këtyre qytetarëve nga strukturat e Policisë së Shtetit, përkatësisht Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit, u mor kontakt menjëherë me policinë malazeze, për të bërë të mundur fillimin e kërkimeve në ujërat e tyre. Po ashtu, homologëve malazezë iu kërkua që të lejonin fluturimet në hapësirën e tyre tokësore dhe ujore të helikopterëve të Ministrisë sonë të Mbrojtjes. Gomonia me tre persona në bord dha alarmin "SOS" në ujërat territorialë të Malit të Zi, në detin Adriatik.
Personat që ndodhen në gomone, njoftuan se arritën të shikojnë në det tragetin "Riviera del Connero" të linjës Ankona-Durrës. Kapitaneria e Portit të Durrësit i dha urdhrin kapitenit të tragetit të ndërpresë udhëtimin dhe të mbikëqyrë zonën. Sipas burimeve të kapitanerisë së përgjithshme, trageti vijoi kërkimet për rreth tre orë, por pa rezultat.