Në pranverë ndërtohen edhe 100 banesa!

Pranverën e vitit të ardhshëm pritet të fillojnë punët për ndërtimin e dy objekteve banesore, me nga 50 banesa për fëmijët e dëshmorëve , invalidëve dhe veteranëve të luftës së UÇK-së dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre si dhe 50 banesa për familjet në asistencë sociale.
Këto objekte, për dallim nga ato që Komuna i ka ndërtuar në të kaluarën në lagjen “Fusha e Pajtimit”, do të ndërtohen në lagjen “Prishtina e Re”, afër Hajvalisë.
Për ndërtimin e këtyre dy objekteve banesore, komuna ka ndarë nga buxheti i saj diku rreth dy milionë euro.
Valbon Krasniqi, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ka njoftuar se tashmë se procedurat tenderuese kanë përfunduar dhe tanimë janë përzgjedhur kompanitë për ndërtimin e këtyre 100 banesave, shkruan gazeta “Zëri”
“ Janë procedurat tenderuese që duhet të kryhen, gjegjësisht nënshkrimi i kontratës. Pas përfundimit të këtyre procedurave do të zgjidhet menaxhmenti mbikëqyrës dhe besoj që në pranverë do të fillojë ndërtimi i tyre, pasi që tashmë jemi në kohën e dimrit dhe nuk mund të punohet”, tha Krasniqi.
Objektet e reja të cilat ndërtohen në lagjen “Prishtina e Re”, sipas Krasniqit,do të jenë përafërsisht të njëjta, për nga plani i ndërtimit me ato që janë ndërtuar në “Fushë të Pajtimit”.
E familjet të cilat do të aplikojnë për këto banesa, duhet t’i përmbahen Rregullores për ndarjen e banesave, e cila është miratuar në mbledhjen e fundit, me disa ndryshime.
Krasniqi po ashtu njoftoi se pas përfundimit të ndërtimit të dy objekteve banesore, do të krijohet komisioni i cili do të bëjë përzgjedhjen e familjeve të cilat i plotësojnë kushtet e përcaktuara me Rregullore.
Kompania e zgjedhur nga komuna për ndërtimin e objektit banesor për anëtarët familjeve të invalidëve ët luftës, veteranëve, etj , është “Albes”, nga Istogu , me vlerë të kontratës 847,807 mijë euro.
E kompania e cila do të ndërtojë objektin banesor për familjet që janë raste sociale, është “CTA & IZOLIMI”, nga Prishtina me vlerë të kontratës 749,241 mijë euro.
Sipas njoftimit Komuna ka zgjedhur kompanitë që kanë ofruar çmimin më të lirë.
Kontratat mes dy kompanive fituese dhe Komunës së Prishtinës, pritet të nënshkruhen me 27 të këtij muaji.
Ata të pastrehë që mezi kanë pritur lajmin e mirë për banesat që po ndërtohen shpresojnë se do të jenë njëri nga përfituesit e tyre.
“Shyqyr që dikush po mendon edhe për fukaranë. Unë bashkë me familje ende jam në këta kontejnerë, në kushte të mjerueshme. Shpresoj se do të kemi fat kësaj here dhe do të jemi fitues në banesat që do t’i ndërtojë Komuna, kjo pasi që në kushtet në të cilat ne jetojmë, as kafshët nuk mund të jetojnë”, tha banori A. Krasnqi, i cili jeton në kontejnerë së bashku me familjen e tij tetanëtarëshe. /Indeksonline/