“Hapja e dosjeve, detyrim moral ndaj mijëra viktimave të komunizmit”

Kryetari i PDK-së Anton Gurakuqi, vlerëson miratimin e ligjit të dosjeve
Partia Demokristiane e Shqipërisë përshëndeti dje miratimin e ligjit për lustracionin (hapjen e dosjeve) nga Kuvendi i Shqipërisë.
Kreu i PDK-së Anton Gurakuqi deklaroi se miratimi i një ligji të tillë përbën hapin e parë, por shumë thelbësor, të detyrimit moral që shoqëria shqiptare i ka disa mijëra viktimave të komunizmit dhe se e majta shqiptare duhet të faktojë se nuk është pasardhëse direkt e ish-Partisë Komuniste apo Partisë së Punës.
“Ne shprehim bindjen se miratimi i një ligji të tillë do të vendosë sadopak në vend dinjitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve nga regjimi më i egër që ka njohur Evropa pas luftës së dytë botërore. Ky ligj përbën për ne, demokristianët shqiptarë, një shlyerje ndaj mijërave shqiptarë të pushkatuar, burgosur dhe internuar, me ose pa gjyq. Të bindur se ligji do të veprojë me forcën e duhur ndaj xhelatëve, ndaj atyre njerëzve që s’kanë as dinjitetin më të vogël njerëzor dhe që sot nuk kanë kurajë minimalisht ti kërkojnë falje viktimave apo pasardhësve të tyre, PDK i bën thirrje të majtës shqiptare që të dëshmojë se nuk është pasardhëse direkt e ish-Partisë Komuniste apo Partisë së Punës”, u shpreh Gurakuqi.
Kreu i PDK-së theksoi më tej se “me keqardhje konstatojmë se edhe brezi i ri i politikanëve të majtë ka mendësinë e baballarëve të tyre shpirtërorë”.
“PDK i bën thirrje Presidentit të Republikës që të dekretojë ligjin sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi vetëm në këtë mënyrë të gjithë ne, politikanët e sotëm të Shqipërisë, do të kemi kurajën dhe guximin të shohim fëmijët tanë në sy”, nënvizoi Gurakuqi.