E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pritje të Andrea Chenier-it

Opera "Andre Chenier" shfaqet pesë ditë në TOB. Artistë shqiptarë dhe të huaj po punojnë prej thuajse dy javësh. Dy ditë larg premierës, të gjithë në skenë


"Andre Chenier" është opera e parë premierë që vjen për këtë sezon në Teatrin e Operës dhe Baletit. Pas dy rivënieve "Norma" dhe "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" ky institucion propozon një histori të revolucionit francez. Historinë e poetit Andrea Chenier. Prej thuajse dy javësh nga Italia ka mbërritur një ekip artistësh të cilët po drejtojnë artistët shqiptarë në këtë shfaqje.

Bëhet fjalë për tre elementët kyç: regjisori Antonio Petris, dirigjenti Vito Clemente si dhe skenografi Alfredo Troisi. Po kështu nga Italia është ftuar tenori Gianluca Zampieri si dhe baritoni shqiptar që jeton në Francë, Ymer Kaca. Me kaq TOB mbyll listën e të ftuarve të huaj.


Opera me katër akte "Andrea Chenier" është krijimi kompozitorit italian Umberto Giordano. Libreti i Luigi Illica rrëfen historinë e jetës së poetit francez Andre Chenier (1762-1794), i cili u ekzekutua gjatë Revolucionit Francez.


Dy ditë larg premierës, të gjithë artistët i sheh në skenën ende të papërfunduar! Përpara regjisorit, i cili ka rreshtuar tre karrige të ndryshme në skenë ku ulet herë pas here, kalojnë një nga e nga një personazhet, Andre Chenier, Carlo Gerard, Madalena de Coigny, Bersi, Pietro Fleville, kori etj.

Të gjithë këta regjisori i vështron me kujdes. Flet pak, vetëm kur është e nevojshme (dhe atëherë në italisht). Nuk i drejtohet artistëve me fjalë, por u afrohet teksa interpretojnë dhe i lëviz pak hapa para apo mbrapa. Pa e ndërprerë asnjëherë artistin, Petris njësoj siç veprohet më një manekin, i lëviz gjymtyrët në pozicionin që ai mendon së është më i përshtatshmi. Njëkohësisht nuk ka sy vetëm për solistët por edhe për korin.

Ndërkohë që solistët janë në mes të skenës vrapon në anën tjetër për tu treguar këngëtarëve të korit se si duhet të hyjnë në pjesë. Paksa i nervozuar ndonjëherë e lë skenën dhe zbret në sallë - aty ku të shtunën publiku do të ndjekë premierën, më 4 prill - për të parë se si duket ideja e tij.


Fjalët e pakta të regjisorit i plotëson dirigjenti Vito Clemente. Një njeri me humor, të cilit nuk i shpëton detaj, sado i vogël. Edhe notën e gabuar të trombave që ndodhen në fund të formacionit të orkestrës e dallon, dhe për këtë e rikthen edhe një herë pjesën nga e para. E kur artistët interpretojnë mirë, prej tij dëgjohet një bravooo (sigurisht në italisht) entusiazte.


Pastaj gjithçka fillon nga e para. Pjesa tjetër që duhet të provohet është një duet i Andre Chenier-it (Armaldo Kllogjeri) me Madalenën (Etleva Golemi). Muzika është shumë e lehtë në fillim, fjalët e solistëve dëgjohen pothuajse të gjitha. Klemente, me finesë, herë e detyron orkestrën të thërrasë e herë e detyron pothuajse të heshtë, çdo veprim është në sintoni me dramën që përjetojnë personazhet.

Pastaj Madalena (Etleva) zëvendësohet nga një tjetër soprano, Irini Nikolla. Skena luhet përsëri. Prezantohet një tjetër variant i dashurisë së Chenierit. Provohen e riprovohen vendndodhjet e artistëve. Në një moment duket sopranoja Nikolla duke vrapuar si 15-vjeçare. Skena ndërpritet dhe nis rishtazi.


Baritoni Ymer Kaca që interpreton Carlo Gerard-in, hyn në skenë me qetësi, shkon drejt Chenierit dhe provon arien e tij. E ndërsa regjisori largohet për pak nga skena për të udhëzuar korin që do të hyjë, së bashku me Kllogjerin përfitojnë nga rasti të provojnë lëvizjet (zënkat) mes dy personazheve.


Në këtë provë të shfaqjes të bie në sy prania e korit. Pothuajse në të katër aktet ai është i pranishëm, e më tepër në aktin e parë gjatë ballos së konteshës Coigny dhe në aktin e tretë kur gjyqi dënon me vdekje poetin Chenier. Hyrjet dhe daljet e vrullshme të korit nga një cep i skenës në tjetrin ndoshta do të kuptohen më mirë kur artistët të jenë në skenë me kostumet e personazheve të revolucionit dhe jo me xhupat e mbërthyer deri në grykë nga të ftohtit.


Në skenë veç artistëve dhe regjisorit nuk duket thuajse asgjë. Skenografia e Alfredo Troisit thuhet se do të jetë një ndërthurje e klasikes me video projeksionin. Nuk është hera e parë që në skenën e TOB aplikohet kjo.

Bezet e mëdha ku do të projektohen ilustrime të skenave nga revolucioni. Në skenën e TOB janë vendosur edhe dy banka prej të cilave populli (kori) do të gjykojë poetin. Nëse video projeksioni është e reja e fundit në skenografi, bankat të kthejnë gati 30 vite pas. Dekoracionet e realizuara mbi to mund edhe të të kujtojnë vizatimet nga një dorë fëmije. Më tej gjyqtarët janë vendosur pas një tavoline, gjysmë funksionale.

Ndoshta qëndrimi i saj në skenë është i përkohshëm dhe skenografi nuk ka për të bërë figurë të keqe më një tavolinë me këmbë të thyer. Gjithë puna e këtij grupi artistësh do të shihet në premierën e të shtunës në orën 19:00.

Një "Mesditë" western

"Mesdita" (High Noon), filmi që i dha Oscarin e parë aktorit amerikan Garry Cooper shfaqet sot në orën 19:00 në kinemanë e "Marubit". Regjisori Fred Zinnermann prezanton një dramë western. Ditën e martesës gjykatësi Willi Kane vendos të dorëzojë distinktivin dhe t'i përkushtohet gruas së tij.

Pak orë përpara se të lërë qytetin ai merr vesh se Frank Miller-i, një njëri të cilin e kishte dënuar vite më parë ka dalë nga burgu dhe po atë pasdite vjen në qytet të lajë hesapet me Gjyqtarin.

Willi vendos të mos largohet nga qyteti dhe të përballet me të, por për çudi të gjithë qytetarët që ka mbrojtur për shumë vite, refuzojnë ta ndihmojnë. Ai është i detyruar të përballet i vetëm jo vetëm me Millerin por edhe me bandën e tij. Filmi prodhim i vitit 1952, zgjat 105 minuta.

Rikthehet në teatër "Alegretto Albania"

Komedia dramatike "Alegretto Albania" e dramaturgut Stafan Çapaliku rikthehet
skenën e Teatrit Kombëtar, sot edhe nesër në orën 19:00. Pjesa me regji të Altin Bashës trajton në mënyrë thuajse komike një nga problemet më të mëdha sociale në Shqipëri, gjakmarrjen. Interpretojnë Mirush Kabashi, Ahmet Pasha, Olta Daku, Gazmend Paja, Xhejni Fama, Klea Konomi dhe Vasjan Lami.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›