E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi kundër KSHC-së: Institucion pa autoritet

Anëtarët e Komisionit të Ligjeve, vërejnë se raporti është konstatues dhe jo analitik.


TIRANË- As ndryshimet e bëra në raportin vjetor nga Komisioni i Shërbimit Civil, nuk ka lënë të kënaqur Komisionin e Ligjeve.

Të thirrur dje për herë të dytë brenda një afati të shkurtër kohor, anëtarët e KSHC-së janë gjendur në vështirësi dje, teksa deputetët e të dyja krahëve kanë kritikuar ashpër punën e bërë nga ky institucion, qoftë në trajtimin e problemeve, që kanë lindur për zbatimin e ligjit për statusin e nëpunësit civil, ashtu edhe efektshmërinë praktike të vendimeve që ky komision ka marrë gjatë vitit të shkuar.

Pasi janë hasur edhe një herë me konfliktin e përhershëm që ekziston mes anëtarëve të këtij komisioni, deputetët kanë evidentuar faktin se në gjithë përmbajtjen e tij, raporti është thjesht konstatues i rasteve të marra në shqyrtim, por nuk jep asnjë informacion sesa e efektshme ka qenë puna e tij në zgjidhjen e problematikës së hasur.

"Raporti është konstatues dhe nuk kemi një raport të mirëfilltë analitik. Së dyti, vërehen shkelje flagrante të ligjit, siç është rasti i Ministrisë së Kulturës, ku 50 % e punonjësve janë emëruar jo me konkurs të hapur.

Ka konkurse që kryhen në mënyrë fiktive dhe kjo dihet. Mirë që ka rekomandime, por çfarë do bëhet nëse rekomandimet nuk merren parasysh, a ka përgjegjësi dhe a duhet të dalin përgjegjësitë", - tha Fino.

Ndërkohë, akoma më i ashpër ka qenë deputeti tjetër socialist, Pandeli Majko, i cili ka theksuar se KSHC-ja, falë mënyrës sesi vepron dhe problemeve të brendshme, është kthyer në një institucion pa autoritet, duke mos mundur që të bëhet avokat i atyre nëpunësve, që bien pre e tekave të shefave të tyre në administratën shtetërore.

"Zotëri, ju jeni për të qenë pjesë e zgjidhjes, në fakt jeni bërë pjesa më e keqe e problemit të administratës civile. Nëse do të kuptosh se çfarë ndodh në administratë, boll t'u dëgjosh juve dhe të shohësh si funksiononi ju, për të kuptuar se çfarë ndodh me administratën civile në Shqipëri. Ju duhet të ishit avokatë të tyre, por nuk jeni avokatë të vetes suaj.

Kjo duhet t'i bëhet e qartë dhe Parlamentit", - tha Majko. Në të njëjtën frekuencë qëndrimi ka qenë edhe deputeti republikan Arian Madhi, i cili ka vërejtur se KSHC-ja nuk mund të justifikohet më me faktin se nuk ka instrumentet e duhur ligjorë për të detyruar administratën të zbatojë ligjin.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›