E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pep Guardiola, një ish-kapiten për të zëvendësuar Rajkard

Mediat spanjolle tani janë të bindura: Josep Guardiola do të jetë trajneri i ri i Barcelonës, ndërsa Frenk Rajkard do t‘u japë lamtumirën katalanasve pas përfundimit të këtij sezoni. Vendimi është marrë të hënën në një mbledhje të bordit drejtues të klubit, ku kanë marrë pjesë presidenti Joan Laporta dhe drejtori sportiv Çiki Begirishtajn. Ndonëse Rajkard kishte deklaruar pak ditë më parë se do të vazhdonte të qëndronte në stolin e ekipit katalanas deri në përfundimin e kontratës së tij, në qershorin e vitit 2009, duket se vendimi është marrë dhe largimi i tij do t‘i hapë rrugë revolucionit që pritet të fillojë në radhët e katalanasve.

Sipas gazetës "Marca", drejtuesit kanë vendosur që të emërojnë si trajner ish-mesfushorin Josep Guardiola. Ndërsa zyrtarizimi i kësaj lëvizjeje në pankinë do të bëhet më 19 maj, pas ndeshjes së fundit të kampionatit, ku Rajkard pritet t‘i japë lamtumirën tifozëve. Barcelona e mbylli edhe këtë sezon pa fituar asnjë trofe dhe projektet për zhvillim të Guardiolës, të prezantuara para bordit drejtues gjatë muajit të kaluar, duket se e kanë bindur përfundimisht Laportën që të marrë këtë hap të rëndësishëm. Fillimisht, mediat spanjolle mendonin se Guardiola do të emërohej zv/trajner, por tashmë të gjithë janë të bindur se ai do të ulet në pankinën e boshatisur nga Rajkard.

Guardiola ka pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me klubin që në vitin 1984, kur ai iu bashkua skuadrës nga ekipi i të rinjve. Me katalanasit ai përjetoi shumë suksese si në kampionatin vendas, ashtu edhe në Evropë, duke përfshirë këtu Kupën e Kampioneve në vitin 1992 dhe 6 tituj kampionë në Spanjë gjatë viteve ‘90, ku ishte pjesë e asaj që u cilësua "Skuadra e ëndrrave". Aktualisht, Guardiola është trajner i skuadrës B dhe ka bindur të gjithë me idetë e tij për zhvillimin e klubit. Kritikët mendojnë se ai nuk ka përvojën e duhur për të drejtuar katalanasit drejt majave të futbollit evropian, ndërsa kërkojnë që Hoze Murinjo të marrë drejtimin e skuadrës pas largimit të Rajkard. Por Laporta e ka hedhur poshtë këtë hipotezë, duke këmbëngulur se çdo trajner që do të pasonte Rajkard, duhej të vazhdonte të luante futboll "sipas stilit të Barcelonës", një gjë të cilën mendon se do të garantohet nga Guardiola.

Drejtuesit e klubit kanë marrë në konsideratë edhe hipoteza të tjera gjatë ditëve të fundit, mes të cilave spikat emri i Majkëll Laudrup. Danezi është një ish-futbollist i katalanasve dhe në sezonin e tij të parë si trajner i Getafes ka bërë një punë të shkëlqyer, duke e çuar këtë skuadër në finalen e Kupës së Mbretit dhe në çerekfinalet e Kupës UEFA. Edhe francezi Loren Blank shihej si një hipotezë e mundshme nga mediat franceze, ndërsa një tjetër alternativë ishte Marçelo Lipi, ish-trajneri i Italisë që u shpall Kampion Bote në vitin 2006. Megjithatë, në fund ka fituar alternativa e Guardiolës, i cili e njeh shumë mirë ambientin dhe ka mundur të shohë nga afër të gjithë lojtarët që militojnë aktualisht në radhët e katalanasve. Mendohet që ai do të përqendrohet në zhvillimin e talenteve të reja si Mesi, Krkiç dhe Dos Santos.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›