Defekt në linjën e tensionit, Jugu pa drita
GJIROKASTER - Një defekt në linjën kryesore ndërlidhëse të tensionit të lartë mes Greqisë dhe Shqipërisë ka lënë disa orë pa drita jugun e vendit. Rrethet e Gjirokastrës dhe të Tepelenës, kanë qëndruar pasditen e së shtunës për disa orë rresht pa energji elektrike, si pasojë e këtij defekti. Në qytetin e Memaliajit mungesa e energjisë elektrike është ndier më tepër, pasi banorët kanë qenë pa energji elektrike gati për katër orë rresht. Ndërkohë që rryma elektrike ka munguar edhe për banorët e zonës së Gjirokastrës dhe të Tepelenës. Mësohet se ndërhyrja e menjëhershme e reparteve të specialistëve në një kohë rekord, ka bërë të mundur rikthimin e energjisë në orët e mbrëmjes, duke zgjidhur situatën në këtë zonë. Rasti i fundit i ndërprerjes së dritave ishte stuhia me erë të fortë dhe shi të rrëmbyeshëm, ku shkaktoi djegien e tre transformatorëve në qytetin e Gjirokastrës si dhe dëmtimin e shtyllave të tensionit të lartë në zonat rurale. p.n