Në qeverisjen e PS, “Otrantot” përsërietshin çdo muaj
Ka 4 vite që deti nuk ndjen më peshën e kufomave të shqiptarëve të ngratë. Qyteti që jetonte me shpirtin tek deti dhe frikën e tij tashmë po merr frymë thellë
O moj Shqipëria ime, sa ke për të vuajtur nga Erionët e Ramët. Nuk është një refren i zakonshëm kënge, por ndoshta nesër edhe mund të jetë. Mund të jetë sepse sa herë që na shfaqet ky Erioni i vogël me ca letra në duar, na shpifet ekrani. Sepse ka 10 muaj që i bie fyellit në një vrimë. Morti i Gerdecit u qa me lot e me ligje këtu e deri në Evropë e përtej saj, nuk ngeli kusur. Morti u mbyll qëkur, mirëpo ky i vogli Eri, si ato plakat qëmoti, del në prag të selisë rozë dhe bën e ç’bën, i mbledh gazetarët dhe ligjëron “Gërdeci, shokë, Gërdeci”. Gërdeci ishte një tragjedi, që nuk u planifikua, ishte një tragjedi që ngjau aksidentalisht, që nuk u realizua nga qeveria, por ec e ndali klithmat e Erit.
Sidoqoftë kuja e selisë rozë nuk është se është e para. Ne kohëqeverisjen e saj, Gërdecat quheshin “Otranto”. Aty kishte pothuajse çdo muaj më shumë viktima e jetë të ikura nëpër det sesa tragjedia e lartpërmendur. Otranton e polli qeverisja e majtë në vitin 91, në marsin e ngratë ku Qyteti në këmbët e tij, llapashitej nën kapotën ushtarake të diktaturës. Njerëzit e ngritur me sytë e përgjumur nën cigërimën e atij dimri, kërkonin rishtazi një copë truall të ri. Të gjitha buletinet e lajmeve nga kanali i Otrantos sjellin qe nga ’97-a e deri në 2005, dhjetëra shqiptarë të mbytur e të humbur, pa llogaritur kurdët, kinezët, moldavet e të tjerë që nuk u dihet nami, emri e nishani. Madje Gërdeci i fundit “Otranto”, u ngjau socialistëve në janarin e 2004, por ende prokuroria shqiptare nuk i ka vënë përpara përgjegjësisë organizatorët shtetërorë. Gërdeci i madh ishte ai që mediumi fliste se po mbyten dhe shtetarët socialistë bënin sikur flinin gjumin e madh. Ata kishin lënë brigjet me pikëllimin që u ndihej në shpirt, dhe si udhërrëfyes kishin tokën e premtuar në perëndim, por morën fundin e detit, sepse shteti nuk i ndihmoi. Ku ishin Erët dhe Ramët? Kryesorët e tragjedive janë të strehuar sot në PS, e gjithë ajo opozitë e sotme dje ishte në krye. Thirrjet: “Ndalojeni, për atë Zot, ç’bëhet?, askush nuk i dëgjonte, sepse në brigjet e detit fryma e Zotit nuk ndihej; atje ishte fryma e parasë, trafiku njerëzor ishte nën strehën shtetërore.
Sot s’ka Otranto dhe deti është i pastër si qelibari. Ka 4 vite që deti nuk ndjen më peshën e kufomave të shqiptarëve të ngratë, si edhe të të huajve. Qyteti që jetonte me shpirtin tek deti dhe frikën e tij tashmë ka marrë frymë thellë.