E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në rrezik Vila e Zogut dhe 274 banesa

Andi Lila, drejtori i degës së ALUIZNI-t Durrës, njëherësh edhe kryetari i Komisionit të Tokës në shkallë qarku, ka deklaruar dje për standard se situata mbetet kritike, shembjet e dherave në zonën e Kodër-Vilës rrezikojnë rreth 274 banesa të ndërtuara në kurorën e kësaj kodre, si dhe janë afruar deri në afërsi të themeleve të vetë ndërtesës nga e cila njihet si Vila e Zogut. Këtë shqetësim për rrezikun që paraqesin rrëshqitjet e mundshme, kreu i ALUIZNI-t për qarkun e Durrësit, Andi Lila, e ka bërë edhe dy ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të qytetit të Durrësit që u bë për miratimin e buxhetit të vitit 2010. Në deklaratën e tij për standard Lila tha: Për emergjencat e rrëshqitjeve nuk është punuar sa duhet, pasi nga bashkia është paraqitur një plan emergjence me vetëm 3 milionë lekë dhe studimi ka afat deri në fund të vitit, sipas këtij plani, - ka nënvizuar ai, - ndërkohë që situata është shume dramatike. Sipas tij, nga strukturat e dëmtuara të dherave nuk rrezikohen vetëm pak biznese e banesa, por janë 274 të tilla mbi kurorën e Kodër-Vilës, të cilat janë të rrezikuara në çdo moment. Lila ka theksuar: Është e domosdoshme që të bëhet një plan i shpejtë ndërhyrjeje dhe mundësisht brenda muajit, për të bërë ndërhyrje në strukturat e shkatërruara të kësaj kurore dhe më shumë fonde, pasi linja e rrezikimit ka shtrirje në të gjithë strukturën gjatësore të kësaj kurore deri në Currila. Shembjet në Kodër-Vilë kanë shqetësuar banorët që jetojnë në afërsi, pasi rruga çdo ditë e më shumë po rrëshqet së bashku me dherat. Shirat kanë bërë që rruga që kalon ngjitur me bazamentin e Vilës së Zogut, po mbahet në fijen e perit dhe mund të rrëshqasë, pasi ka humbur rreth 40 cm trashësi asfalti. Nga rënia e dherave kanë dalë në sipërfaqe edhe tubacionet e ndryshme që dikur ishin poshtë tabanit të rrugës së dëmtuar. Banorët shprehen se e ndiejnë veten të rrezikuar, pasi sipas tyre, rrëshqitja e dherave që ndodhën pas rënies së shirave në Kodër-Vilë të qytetit e ka përkeqësuar situatën për mjaft banorë që banojnë atje. Shembja e Vilës së Zogut mund të jetë një humbje katastrofike për vlerat e arkitekturës kombëtare, ndaj Lila tha se pa asnjë minute vonesë duhet ndërhyrje urgjente atje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›